Individët kanë qenë donatorët më të shquar në Kosovë që kur filloi gjurmimi i filantropisë në Kosovë. Vetëm në periudhën 2020-2022, ata dhuruan më shumë se 2,3 milionë euro për të mirën e përbashkët përmes 912 rasteve unike të dhurimit

Arsimi dhe lehtësimi i varfërisë janë dy temat më të mbështetura nga individët ndër vite. Donacionet e njëhershme janë lloji dominues i donacioneve individuale për sa i përket efekteve të synuara dhe vitin e kaluar individët kanë dhuruar 15.5% të shumës së dhuruar, si dhe kanë marrë pjesë në 29.6% të rasteve të donacioneve.

Në pjesën tjetër të artikullit, lexoni tregime frymëzuese për dhënien individuale në Kosovë.

“Jetimat e Ballkanit” – një shoqatë humanitare e besuar dhe e mbështetur nga individë

“Jetimat e Ballkanit” është një shoqatë humanitare e mbështetur shpesh nga individë të njohur me donacione parash, shërbimesh dhe mallrash. Një nga shembujt është donacioni i vitit 2020 kur M.A. nga Zvicra i dhuroi shoqatës një “Mercedes V Class 220”, me vlerë rreth 51,000 euro. Qëllimi i donacionit ishte që të jetë në shërbim të shtëpisë së të moshuarve në Suharekë, Komuna e Prizrenit.

Në të njëjtin vit, Xhavit Krasniqi dhuroi 20,000 euro për shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, për të kontribuar në ndërtimin e shtëpisë së familjes pesë anëtarëshe të F.M., e cila ishte me aftësi të kufizuara fizike dhe jetonte në kushte të mjerueshme.

Në vitin 2021, Sejdi Tasholli i dhuroi shoqatës 1,000 kg miell për të mbështetur aktivitetet e tyre humanitare për njerëzit në nevojë, ndërsa Gzim dhe Artan Elshani nga fshati Piranë i Prizrenit dhuruan 5,000 kg miell për të njëjtin qëllim.

Vitin e kaluar, Veton Hoti, i cili jeton në Zvicër por me origjinë nga Krusha e Madhe dhe është donator i rregullt i organizatës, ka dhuruar një automjet.

Mbështetja për Shoqatën Humanitare “Bereqeti”

Një organizatë tjetër e njohur për punën e saj dhe e mbështetur nga shumë donatorë është shoqata humanitare “Bereqeti”. Njëri prej tyre është Sadri Buzhala nga Suhareka, me banim dhe punë në Zvicër, i cili në vitin 2020 ka dhuruar një automjet të llojit “Pikap” për shoqatën “Bereqeti”, dega në Suharekë, për të lehtësuar procesin e dërgimit të ndihmave nga shoqata tek njerëzit në nevojë.

Në vitin 2021, një donator që donte të mbetej anonim ndihmoi 40 familje nga Janjeva, Shashkovci dhe Akllapi, me një donacion prej 2,000 euro dhe 1,000 kg miell.

Një shembull tjetër është sipërmarrësi Xhavit Krasniqi i cili iu bashkua fushatës “Sofra e Ramazanit 2022”, duke dhuruar gjithsej 2,500 euro për pako ushqimore që iu dorëzuan familjeve në nevojë gjatë Ramazanit. Çdo pako kushton 30 euro.

Mbështetje për Shoqatën Humanitare “Bereqeti”

Mbështetja për arsimin

Një nga shembujt e donacioneve për mbështetjen e arsimit është donacioni për bibliotekën e shkollës "18 Prilli" në Malishevë, në vitin 2020. Biblioteka ka pranuar një donacion prej 221 kopje të teksteve shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e 9-të. Kjo është arritur me donacionin e një bashkatdhetari nga Malisheva, me banim në Zvicër, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Shembulli tjetër është nga viti 2022. Shoqata humanitare “Bereqeti” në Drenas, në bashkëpunim me kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, kanë paralajmëruar hapjen e pusit për shkollën fillore “Hasan Prishtina” në fshatin Llapushnik. Puset ekzistuese në terrenin e shkollës nuk prodhonin më ujë të pijshëm, ndaj duhej një zgjidhje urgjente. Një pronar i tokës fqinje, Jeton Thaçi, ka dhuruar përdorimin e tokës së tij për hapjen e pusit.

Kontributet vullnetare nga ekspertët e diasporës

Në vitin 2022, përmes Programit për Angazhim Qytetar në Kosovë (CEA), një iniciativë pesëvjeçare e zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), tre ekspertë nga diaspora, në mënyrë vullnetare, për disa javë kanë ofruar ekspertizën e tyre profesionale duke ngritur kapacitetet e përfaqësuesve dhe aktivistëve të tri OShC-ve vendore, në fushat: mjedis, edukim dhe marrëdhënie me publikun për çështje të ndjeshme, ku përfshihen grupe të margjinalizuara. Angazhimin e tyre e ka bërë partneri i KCSF-së në realizimin e këtij aktiviteti, organizata GERMIN.

Atifete Xhemaj, eksperte nga Belgjika, ka punuar vullnetarisht bashkë me stafin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në gjetjen e formave dhe kanaleve adekuate për të komunikuar përkrahjen që ofrojnë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Për më tepër, ajo ka arritur të ndihmojë organizatën në përgatitje të kampanjave për vetëdijesim të shoqërisë sonë rreth kësaj kategorie të ndjeshme.

Organizata Sustainability Leadership Kosova (SLK) ka arritur të përfitojë njohuri nga eksperti Kreshnik Rama, i cili jeton në Suedi. Kontributi i tij specifik ishte në trajnim të stafit të organizatës rreth çështjes së energjisë dhe sfidave që ndërlidhen me mbledhjen e të dhënave për emetimin e gazrave. Informatat e përfituara në një prej fushave me boshllëkun më të madh të njohurive në vend, kjo organizatë i përdorë për edukimin e masës dhe partnerët e saj.

Kaltrina Durmishi, eksperte nga Austria, ka mbështetur organizatën Teach For Kosova në zgjerimin e kontakteve dhe rrjetëzimin me përfaqësues të diasporës, biznese dhe organizata të rëndësishme në Austri. E gjithë kjo është bërë me qëllim të krijimit të partneritetit, ngritjes së fondeve, si dhe përfshirjen e diasporës në programin e tyre të bursave.

Kontributi vullnetar nga ekspertët e diasporës

Përfundim

Shumë tregime rreth kontributit të individëve në komunitetet e tyre në Kosovë na tregojnë se sa i rëndësishëm është roli i tyre në ekosistemin filantropik të Kosovës. Për të marrë informacion të detajuar rreth filantropisë individuale në Kosovë dhe për t'u frymëzuar se si mund të ndihmoni, vizitoni këtë link.

 

Fotografia kryesore: Komuna Istog


Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).