Në Kosovë, rrugëtimi drejt barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave është karakterizuar me sfida dhe arritje. Pavarësisht nga iniciativat e ndryshme, ka ende nevojë për të bërë më shumë, si dhe mbështetja duhet të rritet nga viti në vit. Prandaj, ky artikull synon të theksojë rëndësinë e shfrytëzimit të përpjekjeve filantropike si mjet për ta përshpejtuar barazinë gjinore në Kosovë.
“Zhytja” në të dhënat për donacionet
Të dhënat tregojnë se nga viti 2019 deri në vitin 2023 gratë kanë qenë përfituese të 20 aksioneve bamirëse me vlerë totale prej 61,751 eurosh. Zbërthimi vjetor i të dhënave tregon se viti 2019 është karakterizuar me sasinë më të madhe të donacioneve (38,459 euro), ndërsa vitet 2020 dhe 2022 kanë pasur numrin më të madh të aksioneve (nga 5 secili).
Qytetarët, përmes dhënies masive-individuale, ishin kontribuesi më i madh, duke dhuruar 56,362 euro, që përbën 91% të shumës totale. Ndërkohë, kjo kategori pasohet nga organizatat e shoqërisë civile që kontribuan me 4,389 euro dhe sektori i korporatave me 1,000 euro. Nga ana tjetër, organizatat jofitimprurëse ishin përfituesit kryesorë që morën shumën prej 53,362 euro, të pasuara nga individët apo familjet që morën 8,389 euro.
Nga të gjitha 20 aksionet bamirëse, 15 prej tyre ishin mbështetje afatshkurtër (si p.sh.: ndihmë humanitare, strehim individual, trajtime mjekësore, etj.), ndërsa vetëm tri prej tyre ishin mbështetje afatgjatë (si p.sh. investime kapitale, pajisje, ose bursa). Përveç kësaj, për dy aksione të tjera bamirëse që u investuan në fuqizimin e grave nuk dihet nëse ato aplikohen për mbështetje afatshkurtër apo afatgjatë.
Histori frymëzuese të dhënies/dhurimit
Gjatë pesë viteve të fundit, ka pasur histori të ndryshme që vënë në pah rëndësinë e dhënies për të ngritur barazinë dhe shërbejnë si frymëzim për t'u ndjekur nga individët dhe organizatat.
Një nga historitë frymëzuese është nga OJQ “Sakuntala”. Dy vite më parë, në vitin 2022, përmes platformës për mbledhjen e fondeve “KOSOVA ideas”, nga kjo OJQ u mblodhën 850 euro për fuqizimin e grave dhe vajzave rome. Fondet janë përdorur për të ofruar trajnim profesional për gratë dhe vajzat rome të moshës 18-50 vjeç nga komuniteti rom në komunën e Prizrenit. Ky trajnim pesëmujor, i organizuar nga Instituti Yunus Emre në Prizren, kishte për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e aftësive të tyre përmes trajnimit profesional për aktivitetet artizanale, si dhe në përmirësimin e zhvillimit socio-ekonomik, promovimin e krijimtarisë tradicionale dhe forcimin e bashkëpunimit të tyre me tregun privat, OJQ-të e grave, institucionet kulturore dhe ato lokale.
Gratë dhe vajzat rome gjatë një aktiviteti artizanal
Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare në “Facebook” e OJQ-së “Sakuntala”
Diaspora vazhdon të mbetet një kontribues i rëndësishëm në mjedisin filantropik në Kosovë. “Vaji i burrave është kënga” ishte motoja e evenimentit humanitar të organizuar në Nju-Jork më 17 shkurt 2019 me rastin e Festës së Pavarësisë së Kosovës, nga biznesmeni me origjinë shqiptare, Ramiz Kukaj. Kjo mbrëmje iu kushtua shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, një OJQ që angazhohet për gjetjen e personave të zhdukur nga koha e luftës në Kosovë dhe për mbështetjen e familjeve të tyre. 45,000 dollarë u mblodhën dhe u dhuruan për shoqatën, si kontribut për mbështetjen e saj për mirëqenien e grave.
Në të vërtetë, fushatat e kryera përmes platformave të mbledhjes së fondeve ofrojnë rrugë efektive për të mbledhur para për një kauzë të rëndësishme. Në këtë drejtim, me qëllim të mbledhjes së 4,000 eurove, Vjollca Kuqi, udhëheqëse e Shoqatës së Sportit dhe Shëndetit “VITA”, filloi një fushatë në platformën e mbledhjes së fondeve “KOSOVA ideas” me qëllim të rivitalizimit të klubit të fizioterapisë së grave. Kjo iniciativë për mbledhjen e fondeve mblodhi me sukses 3,053 euro për të riparuar dhe përmirësuar objektin ekzistues, duke siguruar kontributin e vazhdueshëm në përmirësimin e gjendjes shëndetësore për gratë e moshave të ndryshme, veçanërisht gratë e moshës së mesme dhe ato pensioniste.
Për më tepër, gratë e prekura nga kanceri i gjirit morën mbështetje nga "Meridian Express", përpjekje e cila demonstron përgjegjësinë sociale korporative. Ndihma prej 500 euro iu dha shoqatës kundër kancerit të gjirit “Renesansa”.
E fundit për t'u përmendur, por jo për nga rëndësia, nën moton "T'u Dhanë Pak, Bon Shumë", qendra sociale dhe kulturore "Termokiss" në Prishtinë hapi ambientet e saj për një "pazar të hapur" me synim mbledhjen e fondeve për burime jetike për t'i mbështetur gratë dhe fëmijët që jetojnë në strehimoret e Kosovës. Ngjarja, gjatë së cilës qytetarët mundën të shisnin mallra, kryesisht punime artizanale, mblodhi 570 euro, të dhuruara për Qendrën e Strehimit në Mitrovicë për mbështetje bazike si p.sh. produkte ushqimore, produkte higjienike dhe dru zjarri.
Pazari i hapur "T’u Dhanë Pak, Bon Shumë"
Burimi i fotografisë: Koha.net
Nëse dëshironi të lexoni më shumë histori të tilla frymëzuese, mund t'i gjeni në artikullin: “Përkrahja filantropike e Kosovës për të drejtat dhe mirëqenien e grave”.
Përfundim
Ndërsa thekson gamën e larmishme të kontribuesve për kauza që synojnë avancimin e barazisë gjinore, ky artikull zbulon se pavarësisht progresit të arritur ndër vite, ende ekzistojnë boshllëqe, duke e bërë të domosdoshme nevojën e vazhdueshme për nisma të qëndrueshme për ta përkrahur fuqizimin e grave. Krahas përfshirjes së institucioneve për t'i adresuar sfidat, krijimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse kërkon përpjekje kolektive.
Për më shumë njohuri mbi filantropinë dhe donacionet në Kosovë, eksploroni raportin tonë gjithëpërfshirës mbi gjendjen e filantropisë - Kosova dhuron 2022.
Dizajni i fotografisë kryesore: Uran Krasniqi
Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).