25 nëntori u zgjodh si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave në takimin e parë të feministeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (Feminist Encuentro) të mbajtur në Bogota në 1981, në përkujtim të motrave Mirabel (Patria, Minerva dhe Maria Teresa) të cilat u vranë brutalisht nga diktatori Rafael Trujillo në Republikën Domenikane në vitin 1960.

Që nga viti 1999, kjo datë është caktuar zyrtarisht si dita kur aktivistët dhe organizatat për të drejtat e grave kërkojnë llogari nga qeveria e tyre dhe institucionet e tjera për dhunën që ushtrohet ndaj grave dhe vajzave. Nën tematikën "BASHKOHUNI! Investoni për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave", 25 nëntori shënon gjithashtu fillimin e fushatës 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, në të cilën marrin pjesë më shumë se 1,700 organizata në mbi 100 vende.

Në këtë drejtim, artikulli më poshtë shqyrton se si filantropia në Kosovë i mbështet gratë dhe organizatat që punojnë në mënyrë të palodhshme për mirëqenien e tyre.

Avancimi i mirëqenies së grave: Iniciativat filantropike të Kosovës gjatë tre viteve të fundit 

Sipas të dhënave paraprake nga Platforma e Filantropisë “Kosova Dhuron”, nga 1 janari 2020 deri më 31 tetor 2023, qytetarët dhe kompanitë kanë dhuruar më shumë se 15 milionë euro përmes 2,817 instancave të dedikuara për të mirën e përbashkët në Kosovë. Nga shuma totale, vetëm 42,892.6 euro (më pak se 1%) janë dhuruar për kauzën e grave në tre vitet e fundit. Sipas raportit të vitit 2019 të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) “Ndihma në mbështetje të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave”, vetëm 1% e ndihmës shtetërore të fokusuar në gjini u drejtohet organizatave që punojnë në mbrojtjen dhe mbështetjen e grave. Ndërsa, sipas analizës së UN WOMEN 2023 “BASHKOHUNI! Investoni për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave”, financimi i iniciativave me në qendër gruan nuk është përmirësuar në nivel global, me gjithë vrullin e shtuar dhe dëshminë e qartë të nevojës. Kjo tregon se jo vetëm në Kosovë, por investimet e ulëta, përfshirë donacionet, në çështjet që trajtojnë të drejtat e grave duhet të rriten globalisht.

Megjithatë, me shumën e lartpërmendur të dhuruar për të drejtat e grave në Kosovë, shkaqet më të mbështetura përfshinin kujdesin shëndetësor, dhënien sezonale (që përfshin donacionet e dhëna në festat kombëtare dhe/ose fetare) dhe sipërmarrësinë sociale.

Donatorët që kanë mbështetur më shumë gratë gjatë kësaj periudhe kanë ardhur nga sektori i korporatave me 15.4%, OShC-të me 23.1%, individët e njohur me 23.1% dhe shumica individuale (donacionet kolektive nga një numër individësh të paidentifikuar) me 38.5%. Përfituesit që morën donacione për të mbështetur gratë dhe kauza të ngjashme ishin OShC-të (53.8%), individët dhe familjet (30.8%) dhe institucionet publike (15.4%).

Përfituesit më të mbështetur që morën donacione për kauzën e grave dhe mënyra të tjera të mbështetjes përfshinin:

  • Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve        
  • Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave
  • Klinika Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
  • Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)           
  • OJQ “Have Hope”      
  • Shoqata e grave në përkrahje të luftës kundër kancerit të gjirit  “Renesansa”           
  • OJQ “Sakuntala” nga Prizreni, me fokus në mbështetjen e grupeve vulnerabël     
  • Kompania e kuzhinës tradicionale "Te Anna", një kompani e udhëhequr nga gratë
  • Klubi i Grave për Fizikoterapi “VITA"

Në pjesën tjetër të artikullit, mund të lexoni disa histori frymëzuese se si qytetarët dhe kompanitë e Kosovës i kanë mbështetur vajzat dhe gratë dhe mirëqenien e tyre.

1. Mbështetja e grave gjatë pandemisë COVID-19 dhe grave që përballen me probleme shëndetësore (Kancer të gjirit dhe leukemi) 

Në vitin 2020, Raiffeisen Bank në Kosovë përmes Fondacionit “Aksioni për Nënat dhe Fëmijët” (AMC), i ka dhuruar 32 lloje të pajisjeve mjekësore dhe barnave mjekësore në vlerë prej 20,000 euro për Klinikën Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ky donacion është bërë me synimin për të përfunduar sallën e operacionit për gratë shtatzëna të infektuara me COVID-19.

Donacion i Raiffeisen Bank për Klinikën Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës Burimi i fotografisë: Faqja zyrtare e AMC

Në vitin 2021, Banka NLB mbështeti gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Pas përfundimit të muajit tetor, “Muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit” dhe fushatës vjetore ndërkombëtare për shpërndarjen e informacionit dhe edukimin e njerëzve për rëndësinë e shëndetit të gjirit, NLB Bank dhuroi epitafe, sutjena dhe paruke për gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Donacioni i është dorëzuar OJQ-së “Have Hope”, e themeluar në vitin 2020, e udhëhequr nga Arnisa Osmani, e cila ka fituar betejën kundër kancerit të gjirit.

Në vitin 2022, gjatë muajit tetor, Fondacioni “Aksioni për Nënat dhe Fëmijët” (AMC) dhuroi 100 pako me produkte esenciale për gratë e diagnostikuara me kancer gjiri për OJQ-në “Renesansa”, një organizatë për përkrahje të luftës kundër kancerit të gjirit në Kosovë.

Në vitin 2023, “Golden Eagle”, një kompani që prodhon pije dhe lëngje të ndryshme, mundësoi blerjen e 150 protezave profesionale të gjirit si donacione për gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Shuma totale prej 12,000 euro është mbledhur nga fushata e tyre e shitjes së lëngjeve “Natural100%” të kompanisë.

Gjithashtu, Fondacioni “Golden Eagle” ofron në vazhdimësi mbështetje për personat që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Fondacioni ndau 10 mijë euro për E., 12-vjeçaren nga Shqipëria, me leukemi akute.

2. Mbështetja e të mbijetuarave të dhunës seksuale

Në vitin 2020, Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale të kohës së luftës, që jeton dhe punon në SHBA, përmes fondacionit të saj, shpërndau pako ushqimore për të mbijetuarat e dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë. Ky ishte donacioni i parë nga Fondacioni “Vasfije Initiative”. Vëllai i Vasfijes, Nafi Krasniqi, ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme ka qenë 5 mijë dollarë dhe është dorëzuar nëpër shumë institucione në disa komuna.

Një mbështetje tjetër ishte në vitin 2022, kur Shoqata Humanitare “Bereqeti”, dega në Gjakovë, dhuroi 30 pako ushqimore për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

3. Shpresa për strehim: Ndihmë për të mbijetuarat nga dhuna në familje

Në vitin 2020, fushata “Give love, not violence!” (“Dhuro dashuri, jo dhunë!”_, e organizuar nga Shoqata TLP Alumni, mblodhi fonde për tetë strehimore kundër dhunës në familje në Kosovë. Strehimoret përdorën fondet e mbledhura për të ofruar mbështetje emocionale dhe këshillim për gratë dhe fëmijët e strehuar. Gjatë kësaj fushate janë mbledhur 4,000 euro nga 85 donatorë.

Në vitin 2021, “Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve”, e cila punon për eliminimin e të gjitha formave të dhunës dhe diskriminimit ndaj grave dhe fëmijëve duke mbështetur këto dy grupe vulnerabël përmes strehimit, këshillimit dhe shërbimeve të tjera, u vizitua nga dizajnerja Merita Harxhi-Koci, e cila ua organizoi një surprizë për festat e fundvitit duke i dhuruar fustane të bukura  dhe veshje të tjera për festat e fundvitit, me shpresën për t'u ofruar kujtime festive.

4. Arti për të mirën më të madhe

Me qëllim ndërgjegjësimin për fenomenin e rrezikshëm por ekzistues të trafikimit të qenieve njerëzore, në mars të vitit 2023 në Klan Arena u organizua një gala koncert i quajtur “Gratë Artiste për Komunitetin”. Përveç ndërgjegjësimit, qëllimi i gala koncertit ishte mbledhja e fondeve në mbështetje të “Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (MVPT)”. Nëpërmjet këtij koncerti, donatorët mundësuan vazhdimin e punës së MVPT-së në ofrimin e një strehimi të sigurt, të ngrohtë dhe komod, si dhe një mjedis jetese të shëndetshëm dhe produktiv për gratë ndërkombëtare dhe vendase të prekura nga trafikimi.

Një performancë në gala koncertin e quajtur "Gratë Artiste për Komunitetin" / Burimi i fotografisë: Faqja zyrtare e Presidencës së Republikës së Kosovës në “Facebook”

Gjithashtu, në shtator të vitit 2023, në Prishtinë për nder të veprës së Nënë Terezës u hap një ekspozitë me më shumë se 30 vepra pikture, skulpture dhe grafike, organizuar nga Elona Ndrecaj. Blerësit me blerjen e atyre veprave të artit të më shumë se 20 artistëve pjesëmarrës në këtë ekspozitë kushtuar Nënë Terezës, ndër të cilët ishin Kadrush Ramaj, Sabri Behramaj, Genc Ibrahimi, Anton Krasniqi, Esat Vella e shumë të tjerë, kontribuan drejtpërdrejt në ofrimin e mbështetjes për femrat e margjinalizuara.

Përfundim

Mbështetja e grave në shoqëri është thelbësore për nxitjen e një bote që lulëzon në barazi, drejtësi dhe dhembshuri. Gratë, që përbëjnë gjysmën e popullsisë globale, luajnë role integrale në aspekte të ndryshme të jetës, megjithatë ato shpesh përballen me sfida sistematike dhe dhunë me bazë gjinore që pengojnë pjesëmarrjen dhe potencialin e tyre të plotë. 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore shërben si një rikujtim prekës i çështjeve të përhapura që hasin gratë dhe i nevojës urgjente për veprim kolektiv.

Shpresojmë që përmes të dhënave dhe historive të ndara në këtë artikull t'ju kemi frymëzuar të ndërmerrni veprime dhe të mbështesni komunitetin tuaj lokal ose global të aktivistëve, organizatave dhe liderëve në kërkimin e barazisë gjinore dhe ofrimin e mbështetjes për ata që janë prekur nga padrejtësitë e dhunës me bazë gjinore.

Nëse dëshironi të dini më shumë për ekosistemin filantropik në Kosovë, mund të hyni në bazën e të dhënave Kosova Dhuron dhe t'i analizoni të dhënat vetë.

Dëshironi të dini më shumë për filantropinë dhe donacionet në Kosovë? Shikoni raportin tonë mbi gjendjen e filantropisë - Kosova Dhuron 2022.

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Fotografia kryesore: Biblioteka Universitare Kombëtare e Kosovës "Pjetër Bogdani" në ngjyrë portokalli, që shënon 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore / Meritat për fotografi: Arben Llapashtica