Fushatat “Crowdfunding” (financimi nga grupe njerëzish në internet) kanë revolucionarizuar mënyrën se si komunitetet mund të mbështesin kauza të rëndësishme, duke ofruar një platformë për veprim kolektiv dhe ndryshim domethënës. Duke kombinuar burime nga donatorë të ndryshëm, “crowdfunding” ka potencialin të sigurojë fonde jetike për organizatat jofitimprurëse dhe iniciativat sociale, duke i kthyer vizionet në realitet.

Në Kosovë, “crowdfunding” ka qenë instrumental në avancimin e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe fushave të tjera të rëndësishme. Nga projektet inovative te iniciativat për shpëtimin e jetës, nëntë fushatat e mëposhtme (nga 2019 në 2023) nxjerrin në pah fuqinë e mbështetjes së drejtuar nga komuniteti dhe ndikimin e saj të rëndësishëm në zhvillimin e vendit.


1. “Bashkoju luftës"

Si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19, “BONEVET” lansoi një fushatë për mbledhjen e fondeve për prodhimin e maskave të printuara 3D. Qëllimi ishte sigurimi i pajisjeve mbrojtëse për të gjithë profesionistët shëndetësorë që rrezikonin sigurinë e tyre gjatë trajtimit të personave të prekur nga sëmundja.

Nga bujaria e donatorëve, përmes platformës “KOSOVA ideas” u grumbullua një shumë prej 65,999.87 euro, duke ndihmuar dukshëm këtë përpjekje të rëndësishme. “BONEVET” kishte prodhuar 8,497 maska ​​dhe i kishte dhuruar 7,093 për punonjësit shëndetësorë dhe administrativë, si dhe të tjerëve në nevojë, për të parandaluar përhapjen e virusit gjatë punës së tyre.

Lexo më shumë këtu


2. “Një robot për çdo fëmijë”

Kosova Makers League (KML) ka lansuar fushatën “Një robot për çdo fëmijë” me qëllim të grumbullimit të 50,000 eurove përmes platformës “KOSOVA ideas” për të mbështetur digjitalizimin e së paku 50% të shkollave fillore në Kosovë. Fondet kishin për qëllim pajisjen e këtyre shkollave me mjetin edukativ mikrorobotik “Maqueen Plus."

Kjo fushatë, e nisur më 16 nëntor 2023, mblodhi me sukses 64,175 euro. Nisma është një hap i madh përpara në integrimin e teknologjisë në sistemin arsimor, duke u ofruar nxënësve mundësinë për të punuar me mjete moderne dhe duke nxitur një kulturë të inovacionit në klasat gjithandej Kosovës.

Lexo më shumë këtu | Lexoni këtu më shumë detaje


3. “Galeria 17”

OJQ “Shtatëmbëdhjetë (17)” ka sjellë një dimension të ri në skenën e artit në Prishtinë me krijimin e “Galeria 17”, një hapësirë për ​​ekspozita kushtuar çështjeve sociale. Kjo galeri u ofron artistëve dhe kuratorëve një platformë për të eksploruar koncepte, ide dhe mjedise fizike, duke inkurajuar ekspozita që janë të guximshme në përmbajtje dhe synojnë të nxisin dialogun dhe debatin publik.

Për të realizuar këtë vizion, ekipi lansoi mbledhjen e fondeve në platformën “KOSOVA ideas”. Nga mesi i shtatorit 2021, ata kishin mbledhur me sukses 15,008 euro. Fondet u dedikuan edhe për renovime të mëtejshme, duke e shndërruar hapësirën jo vetëm në një galeri, por edhe në një vend eksperimental për artistët, duke ofruar një qendër kreative shumë të nevojshme në Prishtinë.

Lexo më shumë këtu


4. “Linja e Jetës”

“Linja e Jetës” është linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve e krijuar në nëntor të vitit 2019 nga OJQ “QIPS”. Gjatë vitit 2021, ishte i vetmi shërbim emergjent në Kosovë që kryesisht ndihmoi individët që kishin probleme me mendimet për vetëvrasje. Linja telefonike, e përbërë nga 29 vullnetarë të trajnuar, përdor metoda të mësuara nga linja telefonike "113" për parandalimin e vetëvrasjeve në Holandë.

Për të përmirësuar aftësitë e vullnetarëve të tyre, OJQ-ja lansoi mbledhjen e fondeve në platformën “KOSOVA ideas”. Kjo fushatë, e cila përfundoi në mesin e prillit 2021, mblodhi me sukses 5,295 euro. Fondet u ndanë për të mbështetur trajnimin e vullnetarëve aktivë nga partnerët e tyre në linjën telefonike “113”, duke përmirësuar aftësitë e tyre dhe duke u siguruar që ata të jenë më të përgatitur për të ndihmuar individët në krizë.

Lexo më shumë këtu


5. “Muzikë për të gjithë”

“Muzikë për të gjithë (MUSIC 4 ALL)” është një shkollë muzikore që gjendet në Plementinë të Obiliqit, e cila ofron kurse muzikore dhe punëtori falas për fëmijë dhe të rinj. Shkolla ka lansuar një projekt përmes platformës për mbledhjen e fondeve “KOSOVA ideas” me qëllim të zgjerimit të aktiviteteve të tyre muzikore dhe artistike. Deri në fillim të vitit 2022 u mblodhën 5,075 euro për blerjen e materialeve të nevojshme mësimore dhe artistike, pajisjeve si dhe fonde për transportin, ngjarjet dhe për ngrohje.

"Muzikë për të gjithë" është një nismë pioniere, që shquhet veçanërisht për fokusin e saj në muzikën tradicionale rome dhe zhanre të tjera.

Lexo më shumë këtu


6. “BONEVET Labs x MANIFESTA”

“BONEVET Prishtina”, në bashkëpunim me artistin shqiptar Driant Zeneli, nisën një projekt emocionues të titulluar “Kafshët. Njëherë e një kohë… në një kohë të tashme”. Ky projekt u shfaq në Bienalen Manifesta - një nga bienalet më prestigjioze në Evropë – dhe synonte të portretizonte strucin (një zog që nuk fluturon) si avokues mjedisor, duke ripërdorur mbeturinat e plastikës në objekte dhe mjete të dobishme.

Përmes kësaj iniciative, më shumë se 150 të rinj në mbarë Kosovën patën mundësinë të punojnë me printerë 3D, softuer të dizajnimit 3D dhe të mësojnë rreth riciklimit praktik. Projekti mori mbështetje përmes platformës “KOSOVA ideas”, duke mbledhur 3,486 euro për blerjen e materialeve dhe krijimin e hapësirës për procesin e riciklimit.

Lexo më shumë këtu


7. “Me biçikletë nëpër Kosovë për fëmijë”

Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (ANF), së bashku me organizatorët e "Me biçikletë nëpër Kosovë për fëmijë" lansuan një fushatë për mbledhjen e fondeve për të adresuar mungesën e shtretërve për foshnje në repartin e neonatologjisë në Mitrovicë. Kjo nismë lokale është pjesë e një aktiviteti të përvitshëm bamirësie ku çiklistët mbledhin fonde për ANF.

Në vitin 2019, evenimenti siguroi me sukses pesëmbëdhjetë shtretër të foshnjave për repartin. Ky vit shënoi evenimentin e gjashtë të suksesshëm, me rreth tridhjetë çiklistë që morën pjesë në një udhëtim katër-ditor që mblodhi 10,000 euro përmes kontributeve të kompanive, donacioneve individuale dhe fushatave online. Segmenti “crowdfunding” i fushatës, i cili përfundoi më 9 dhjetor 2019, mblodhi 2,195 euro.

Lexo më shumë këtu


8. “Fuqizimi i grave dhe vajzave rome përmes artizanatit”

OJQ “SAKUNTALA” nisi një fushatë “crowdfunding” përmes platformës “KOSOVA ideas”, për të fuqizuar gratë dhe vajzat rome duke përmirësuar aftësitë e tyre profesionale në aktivitetet artizanale. Ky projekt, i dizajnuar që të nxis zhvillimin socio-ekonomik, krijimtarinë tradicionale dhe forcimin e bashkëpunimit me tregun privat, OJQ-të e grave dhe institucionet lokale, mblodhi 850 euro nga 2,400 euro të synuara.

Trajnimi u zhvillua në komunën e Prizrenit, në Institutin Yunus Emre, me sesione shtesë të mbajtura si në Prizren ashtu edhe në Pejë. Gratë e moshës 18-50 vjeçare morën pjesë në trajnimin 4-5-mujor, të facilituar nga ekspertë në fuqizimin e grave përmes punimeve artizanale. Ky projekt ofroi përfitime të drejtpërdrejta për gratë dhe vajzat rome në komunën e sipërpërmendur.

Lexo më shumë këtu


9. “Krijimtaria në aksion: Na ndihmoni të ndriçojmë të ardhmen e gjimnazit “Odhise Paskali”!!”

Shkolla e Lartë e Artit Aplikativë “Odhise Paskali” në Pejë të Kosovës, është duke u përball me një sfidë të rëndësishme në programin e tyre të “Dizajnit të Qeramikës”, për shkak të mungesës së një furre të përshtatshme për pjekjen e krijimeve të nxënësve. Me 60 studentë - 60% e të cilëve janë femra - kapaciteti i kufizuar i furrës ka kufizuar zhvillimin e tyre të aftësive dhe eksplorimin krijues. Për të adresuar këtë sfidë, shkolla nisi një fushatë për mbledhjen e fondeve për blerjen e një furre të re të qeramikës, me qëllim rritjen e aftësive të nxënësve dhe formësimin e peizazhit artistik për brezat aktualë dhe të ardhshëm.

E lansuar më 16 nëntor 2023, fushata mblodhi me sukses 6,610 euro nga objektivi i saj prej 11,000 euro. Mbështetja e donatorëve është thelbësore për suksesin e këtij projekti, i cili do të ketë një ndikim afatgjatë në komunitetin artistik në Kosovë.

Lexo më shumë këtu


Konkluzioni

Këto fushata vënë në pah ndikimin e prekshëm të “crowdfunding” në Kosovë, duke ndihmuar komunitetet dhe përmirësuar jetët. Çdo kontribut, pavarësisht nga madhësia e tij, ndihmon në hapjen e rrugës për një të ardhme më të qëndrueshme. Për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme, konsideroni eksplorimin e fushatave aktive në Kosovë dhe bëhuni pjesë e komunitetit që punon për të përmirësuar jetën e njerëzve në të gjithë rajonin.

 

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).