Në një botë ku inovacioni është kyç për të çliruar (shfrytëzuar) potencialin e plotë të gjeneratës së ardhshme, paramendoni nëse çdo fëmijë do të kishte njohuritë dhe mjetet për të shkëlqyer përmes të mësuarit praktik. Ky artikull thellohet në historinë e Kosova Makers League (KML), e cila është një platformë arsimore joformale, si dhe në misionin e saj për ta transformuar arsimin në Kosovë përmes një iniciative inovative. Ndër programet kryesore të saj është gara më e madhe e robotikës në Kosovë, ku marrin pjesë fëmijët e moshës 6 deri në 15 vjeç nga shkollat fillore dhe institucionet e tjera arsimore. Rrjedhimisht, ambicia kryesore e KML-së është t'i sigurojë çdo fëmije në Kosovë qasje në arsimimin e robotikës përmes fushatës "Një robot për çdo fëmijë".
Ndërtimi i të ardhmes, një "bot" në kohë - Fushata "Një robot për çdo fëmijë"
KML-ja ka dashur të sigurojë sa më shumë robotë edukativë të cilët do të shpërndahen falas në shkollat fillore publike në Kosovë, në këtë mënyrë duke e arritur dixhitalizimin e tyre. Kjo do të mundësonte përfshirjen e sa më shumë fëmijëve që është e mundur në një qasje të re ndaj arsimit, ku teknologjia përdoret për të inkurajuar të menduarit kritik dhe kreativ, punën në grupe dhe aftësitë e komunikimit - aftësi kritike të nevojshme për t'i adresuar sfidat e këtij vendi.
Përmes fushatës “Një robot për çdo fëmijë”, KML-ja synoi të pajisë të paktën 50% të shkollave fillore publike në vend, në mënyrë që sa më shumë fëmijë të moshës 6-15 vjeç të kenë mundësi të angazhohen me botën e robotikës. Të bindur se duke nxitur një atmosferë gjithëpërfshirëse dhe edukative brenda shkollave fillore publike në mbarë vendin, fëmijët e gjinive, moshave dhe prejardhjeve etnike të ndryshme do të kenë mundësinë të eksplorojnë lirshëm dhe të frymëzohen, përfundimisht duke i formësuar ata në liderë të ardhshëm në fushat e shkencës dhe teknologjisë.
Si ndodhi e gjithë kjo?
Flatra Thaqi, Drejtoreshë Menaxhuese në Kosova Makers League dhe Ardita Dushi, Drejtoreshë Ekzekutive në “Kosova Ideas”
Fotografitë: Arbër Gjoni
KML-ja ka kuptuar, sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit në Kosovë, se 878 shkolla fillore publike (shkollat fillore dhe të mesme) janë të regjistruara për vitin shkollor 2021/22. Në të kaluarën, ata kishin përfshirë 212 shkolla publike, kështu që donin të arrinin qëllimin e tyre për të siguruar një robot të qasshëm për të gjithë fëmijët në shkollat fillore në Kosovë – dhe për ta bërë këtë, atyre iu desh të përfshinin 666 shkolla të tjera dhe t'u siguronin robotë edukativë (falas natyrisht). Deri në vitin 2024, ata synojnë të shpërndajnë 908 robotë për të mbështetur rreth 227 shkolla.
Për ta arritur këtë, KLM-ja filloi një fushatë për mbledhjen e fondeve në partneritet me organizatën e tyre simotër “KOSOVA ideas”, platforma e parë për crowdfunding e angazhuar për projekte në të gjitha fushat e artit dhe kulturës, angazhimit qytetar dhe qëndrueshmërisë të realizuara në dhe për Kosovën. Ajo u nis online më 1 qershor 2023 dhe përfundoi më 15 korrik 2023, një maratonë që zgjati 45 ditë. Ata projektuan fushatën “Një robot për çdo fëmijë” dhe rrjedhimisht një plan fillestar se si të arrijnë objektivin e tyre për të mbledhur 50 mijë euro dhe për të përfshirë 227 shkolla. Plani përfshinte këmbënguljen dhe përshtatjen. Hapi i parë ishte arritja e kompanive të teknologjisë përmes adresave elektronike të personalizuara. Pasi që nuk arritën të merrnin mbështetjen e pritur aty, atëherë e përshtatën planin e tyre. Më pas vazhduan me një iniciativë tjetër të quajtur “Dhuro 1 euro”, duke përhapur mesazhin tek të gjitha shkollat e mëparshme pjesëmarrëse, mësimdhënësit, prindërit, etj. Kjo i mundësoi ata të inkurajojnë donacione prej vetëm 1 euro, duke u ofruar fëmijëve të tjerë të njëjtat mundësi që fëmijët në komunitetin e tyre kanë tashmë.
Hapi tjetër ishte arritja e komunave, prej edhe nga erdhën ekipet e KML-së “Kosova Makers League OPEN”, duke u treguar atyre rëndësinë e programit arsimor, në të cilin shërbejnë, si dhe suksesin që shkollat e tyre kanë arritur në mbarë Kosovën. Disa nga komunat e kanë përkrahur këtë fushatë duke dhënë gjithsej 41,536 euro për të mbështetur të gjitha shkollat e tyre. Në këtë drejtim, ata arritën të sigurojnë një pjesë të mirë të mbështetjes, përkatësisht rreth 65% të shumës totale të mbledhur të fushatës.
Një gjë që KML-ja nuk e kishte parashikuar, por e zbuloi me kënaqësi, ishin iniciativat spontane për mbledhjen e fondeve të nisura nga ekipet e "Kosova Makers League OPEN". Këto ekipe morën përsipër të organizonin individualisht fushatën "Një robot për çdo fëmijë" në komunitetet e tyre përkatëse. Për shembull, studenti Amar Dobreva, nga Mitrovica e Jugut, organizoi një iniciativë për mbledhjen e fondeve për të mbështetur fushatën, me thirrjen për të krijuar një ekip nga dega e “Down Syndrome Kosova” në Mitrovicë dhe duke premtuar një donacion të fondeve nga kursimet e tij për një robot.
Një tjetër shembull i dukshëm i angazhimit të komunitetit vjen nga organizata jo-qeveritare (OJQ) “Young Innovators”, pjesëmarrëse në “Garën e Robotikës” që nga fillimi. Ata organizuan punëtori për fëmijët dhe prindërit që kanë përfituar nga edukimi i KML-së, duke mbledhur fonde për fushatën. Qëllimi i tyre ishte të ndihmonin institucionet dhe shkollat e tjera në blerjen e robotëve. Nëpërmjet përpjekjeve të tyre, ata mblodhën me sukses fonde të mjaftueshme për rreth 8 deri në 10 shkolla të reja për t'iu bashkuar ligës.
“Gara e robotikës” në Shtime, gjatë së cilës janë mbledhur para për fushatën “Një robot për çdo fëmijë”.
Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare në “Facebook” e OJQ “Young Innovators” në Shtime
Më e rëndësishmja, përpjekjet për mbledhjen e fondeve të KML-së përfshinin përpjekjet e arritjes së masës, duke përfshirë adresat elektronike masive dhe të personalizuara në rrjetin e tyre, mbështetësit e rregullt, rrjetet e mediave sociale dhe më gjerë. Të gjitha përpjekjet e kombinuara gjatë fushatës rezultuan në një sukses të madh.
Shndërrimi i planeve në arritje: Një vështrim më i afërt i suksesit të fushatës
Në fund të fushatës “Një robot për çdo fëmijë”, KML-ja ia doli jo vetëm të arrijë, por edhe të tejkalojë objektivin e saj për mbledhjen e fondeve prej 50 mijë eurosh me më shumë se 14 mijë euro. Mjetet totale të grumbulluara arritën në 64,175.00 euro, me mbështetjen e 135 burimeve. Gjatë gjithë fushatës, KML-ja mori mbështetje nga individë, organizata dhe kompani të sektorëve shumë të ndryshëm, duke përfshirë individë privatë, OShC, fondacione, kompani biznesi dhe institucione publike.
Përmes këtyre fondeve të mbledhura online, KML-ja tani do të jetë në gjendje të angazhojë në programin e tyre edhe 1,000 nxënës dhe 250 mentorë shtesë përmes 250 shkollave shtesë, duke arritur kështu të angazhojë 50% të shkollave publike në Kosovë. Ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre në të ardhmen për të mbledhur më shumë fonde dhe për të përfshirë 50% të mbetur të shkollave publike në Kosovë.
Eksplorimi i inovacionit: Një vështrim më i afërt i Kosova Makers League
KML-ja, platformë në kuadër të Fondacionit BONEVET Prishtina, synon të krijojë një mjedis inovacioni dhe kreativiteti për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të cilët janë të interesuar në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Projekti inkurajon dhe zhvillon aftësitë e tyre njohëse, duke zgjedhur misione të ndryshme me qëllim dhe teknikë. Ai drejtohet nga një ekip prej tre profesionistësh të rinj dhe një grup prej njëzet vullnetarësh.
Projekti i tyre më i njohur është “Kosova Makers League OPEN” ku KML-ja organizon një program edukativ në formatin e garës, ku një mentor me një ekip prej katër nxënësish duhet të aplikojë për programin, të pajiset me një robot dhe udhëzimet se si ta "mësojë" robotin të bëjë gjërat sipas udhëzimeve të nxënësve.
Burimi i fotografisë: Kosovo Makers League
KML-ja më pas organizon gara tremujore, ku të gjitha ekipet e regjistruara ftohen të shfaqin aftësitë e tyre të mjeshtërisë me robot. Gjatë garës ata marrin udhëzime specifike se çfarë duhet të bëjë roboti, dhe të rinjtë duhet të kodojnë drejtpërdrejt, të bashkëpunojnë, të gjejnë zgjidhje kreative dhe të shpejta për ta bërë robotin të arrijë të gjitha pikat e përcaktuara gjatë garës. Kështu, çdo skuadër fiton pikë në varësi të asaj që ka arritur të ndjekë udhëzimet e dhëna gjatë garës. Pas përfundimit të vitit, disa skuadra shpërblehen për arritjet e tyre bazuar në pikët që kanë mbledhur gjatë gjithë vitit.
Deri më tani, 900+ ekipe të ndryshme janë bashkuar në garat e tyre (me më shumë se 10,000 nxënës dhe 700 mentorë të komunitetit të angazhuar), duke arritur në zonat urbane dhe rurale, shumë të rinj etnikë jo-shumicë dhe komunitete më të cenueshme si p.sh. personat me Sindromë Down. Në Prishtina Mall u organizua finalja e fundit fizike e garës vjetore “Kosova Makers League OPEN” (2022).
Gara e robotikës “KML Open 2022/23”
Burimi i fotografisë: Kosovo Makers League
Kosova Makers League filloi programin e tyre edukativ “Kosova Makers League OPEN” në vitin 2018. Ata filluan me 600 robotë dhe 120 ekipe, por pas edicionit të pestë të garës dhe suksesit të tij, ata vendosën që së paku të dyfishojnë shtrirjen në më shumë komuna në Kosovë dhe më shumë të rinj që të kenë mundësinë të mësojnë logjikën e programimit, të forcojnë aftësitë e tyre të bashkëpunimit, të eksplorojnë STEAM (Shkenca, Teknologjia, Inxhinieria, Artet dhe Matematika) dhe tu ofrojnë atyre një hapësirë për të shprehur talentin e tyre.
Përfundim
Kosova Makers League dhe fushata e saj “Një robot për çdo fëmijë” është një model se si veprimi i frymëzuar nga komuniteti, me mbështetjen e komunitetit, mund të çojë në ndryshime të jashtëzakonshme pozitive brenda komunitetit. Suksesi i fushatës nuk ishte vetëm një dëshmi e planifikimit të tyre strategjik, por gjithashtu theksoi mbështetjen e palëkundur nga një grup i ndryshëm kontribuesish, duke përfshirë individë privatë, OShC, fondacione, biznese dhe institucione publike.
Në fund, fushata "Një robot për çdo fëmijë" e Kosova Makers League shkon përtej promovimit dhe mundësimit të edukimit STEAM. Ai mishëron një qasje të drejtuar nga komuniteti, duke bashkuar individë, organizata dhe kompani nga sektorë të ndryshëm në një vizion të përbashkët për fuqizimin e gjeneratës së ardhshme. Suksesi i fushatës jo vetëm që arriti qëllimin e saj për mbledhjen e fondeve, por gjithashtu shërbeu si një dëshmi për fuqinë kolektive të palëve të ndryshme të interesuara që bashkëpunojnë për të formuar një të ardhme më të ndritshme për rininë e Kosovës.
Burimi i fotografisë kryesore: Kosova Makers League
Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Leave a comment