Donacionet me efekte afatgjata janë një forcë e fuqishme për krijimin e ndryshimeve të qëndrueshme dhe adresimin e shkaqeve rrënjësore të çështjeve sociale.

Këto donacione fokusohen në zgjidhje strategjike që kanë ndikim afatgjatë dhe synojnë të trajtojnë çështjet themelore sistematike që stërzgjatin deri në pafundësi sfidat sociale, në vend që thjesht të adresojnë simptomat e tyre. Donacionet afatgjata mundësojnë zhvillimin e programeve të qëndrueshme, si edukimi dhe trajnimi për zhvillimin e shkathtësive, përmirësimi i infrastrukturës dhe ngritja e kapaciteteve. Duke prioritizuar të dhuruarit me efekte afatgjata, anëtarët e komunitetit mund të krijojnë një efekt përhapës të ndryshimit pozitiv që shtrihet shumë përtej kontributit fillestar, duke lënë një trashëgimi të qëndrueshme të progresit shoqëror.

Si është gjendja me të dhuruarit me efekte afatgjata në Kosovë?

Sipas të dhënave të Catalyst Balkans, donacionet me efekt afatshkurtër janë lloji mbizotërues, por akterët në ekosistemin filantropik në Kosovë dhurojnë edhe në mënyrë strategjike. Nga fillimi i vitit 2020 deri në fund të vitit 2022, qytetarët dhe kompanitë në Kosovë kanë dhuruar më shumë se 13,870,352 euro përmes 2,676 instancave të donacioneve, nga të cilat 5,367,352 euro dhe 459 veprime filantropike ishin dhurim strategjik.

Kauzat që u mbështetën më së shumti përmes donacioneve afatgjata në periudhën 2020-2022 ishin: arsimi (1,1 milion euro të dhuruara), kujdesi shëndetësor (1,2 milion euro), ndërmarrësia sociale (1 milion euro) dhe mbështetja për grupet e margjinalizuara (960 mijë euro).

Lexoni pjesën tjetër të artikullit për histori suksesi dhe shembuj të dhurimit afatgjatë në Kosovë. Nëse ju ka ikur artikulli ynë për donacionet afatshkurtra, mund ta lexoni këtu.

Të dhuruarit për arsimin në Kosovë

Të dhënat e Catalyst Balkans tregojnë se arsimi ka qenë një nga kauzat më të mbështetura ndër vite. Tashmë kemi shkruar blogun se si Kosova e mbështet arsimin, dhe tani mund të mësoni më shumë rreth mbështetjes strategjike.

Dhurimi për arsimin ka qenë më intensiv në vitin 2020, kur u mblodhën më shumë se 7.7 milionë euro për të kapërcyer efektet e mbylljeve dhe ndërprerjes së mësimit. Një nga donacionet strategjike që ra në sy ishte përkrahja për Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren e ofruar nga Banka Raiffeisen. Banka dhuroi tableta dhe pajisje shkollore për fëmijët e familjeve me vështirësi ekonomike. Donacioni përmbante 151 tableta dhe 275 çanta shkollore me pajisje. Donacioni ishte pjesë e Fondacionit të Bankës Raiffeisen, “Stepic CEE Charity”, në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar midis UNICEF-it dhe Bankës Raiffeisen për të rritur bashkëpunimin në promovimin e çështjeve me rëndësi sociale dhe kujdesit ndaj fëmijëve.

Në vitin 2021 dhe 2022, KEDS ka dhuruar kompjuterë dhe pajisje përcjellëse për shkollën fillore “Dëshmorët e Vitisë”, shkollën fillore “Xhavit Syla” dhe shkollën fillore “Astrit Bytyçi”. Falë këtyre donacioneve, shkollat krijuan laboratorë kompjuterikë dhe siguruan mësim më të qasshëm për nxënësit gjatë orëve të TI-së.

Donacionet strategjike për të mbështetur kujdesin shëndetësor

Kujdesi shëndetësor ka qenë një kauzë shumë e mbështetur që nga fillimi i hulumtimit filantropik të Catalyst Balkans në Kosovë, por niveli i mbështetjes ishte më i larti në vitin pandemik kur u dhuruan më shumë se 1.5 milion euro. Njëri prej këtyre donacioneve është ofruar nga IPKO. Kompania i ka dhuruar Klinikës së Onkologjisë aparatin për diagnostikimin e sëmundjeve malinje me vlerë 15 mijë euro, për të mbështetur përmirësimin e kapaciteteve të spitalit për trajtimin e pacientëve.

Po të njëjtin vit, Fondacioni “Labinot Tahiri” i ndau 20 mijë euro për blerjen e bombolave të oksigjenit për spitalet e Kosovës. Shuma është përdorur për blerjen e 20 pajisjeve të dorëzuara në spitalet në mbarë Kosovën.

Fondacioni “Labinot Tahiri” pranoi gjithashtu një donacion nga diaspora suedeze, autoambulancë me vlerë 10 mijë euro. Ajo është dorëzuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë për trajtim më të mirë të pacientëve dhe për reagim më të shpejt në raste emergjente.

Gjatë pandemisë, Instituti i Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është pajisur me analizatorë dhe reagjent automatik, duke mundësuar analizën e hibridizimit In Situ, metodë ndihmëse kjo për diagnostikimin e kancerit të gjirit, me vlerë rreth 80 mijë euro. Kjo pajisje dhe reagjentët e nevojshëm janë dhuruar përmes shoqatës "Jeta Vita", e udhëhequr nga Nafije Latifi, me Swissmed dhe ROCHE.

OJQ “ASB” dha donacionin që u shqua në vitin që lamë pas. Organizata ka dhuruar 11,500 euro për blerjen e aparaturave dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare nën Drejtorinë e Shëndetësisë në Mitrovicë.

Mbështetja për ndërmarrësinë sociale - donacioni që ndryshoi imazhin e filantropisë në vitin 2021

Një nga rastet më të spikatura të donacioneve të vitit 2021 për sa i përket shumës së dhuruar ishte Fondacioni “Golden Eagle” dhe projekti i “Frutex” për hapjen e një ndërmarrje të re sociale: fabrikës së letrës dhe ambalazhit.

Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte inkurajimi i përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, duke i punësuar ata për të punuar në fabrikë. Planet fillestare ishin që të punësoheshin 30 persona, ku numri i të punësuarve do të rritet në të ardhmen. Kompania “Frutex” financoi projektin dhe vlera totale e kostos ishte 1 milion euro.

Mbështetja për grupet e margjinalizuara

Mbështetja për grupet e margjinalizuara ka qenë vazhdimisht një nga kauzat kryesore të përkrahura në Kosovë. Një nga shembujt e paktë të donacioneve afatgjata për këtë fushë  është ai në vitin 2021 nga “Gold Gym & Healthy Food”, me pronar Diamant Paçarizi, që dhuroi dy pajisje fitnesi për Departamentin e Fizioterapisë në shtëpinë e të moshuarve “Jetimët e  Ballkanit”.

Konkluzion

Ekziston një trend pozitiv në qasjen strategjike ndaj të dhuruarit në Kosovë, duke demonstruar një njohje të rëndësisë së adresimit të shkaqeve rrënjësore dhe zbatimit të programeve të qëndrueshme. Duke prioritizuar të dhuruarit me efekte afatgjata, individët dhe organizatat në Kosovë mund të kontribuojnë në ndryshime të qëndrueshme dhe të ndikojnë thellësisht në shoqëri.

Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth filantropisë dhe donacioneve në Kosovë nga viti 2015 e deri më tani, hidhini një sy aplikacionit në internet Giving Kosovo dhe merrni një tablo më të plotë të kulturës së të dhuruarit në Kosovë.

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).