Ekziston një dallim midis efekteve afatshkurtra dhe afatgjata të dhënies.

Dhënia afatshkurtër fokusohet në adresimin e nevojave të menjëhershme dhe ofrimin e lehtësimit të përkohshëm. Ajo ofron ndihmë të drejtpërdrejtë për ata që janë në krizë, të tilla si ndihma emergjente, ushqim ose strehim. Ndikimi i dhënies afatshkurtër është shpesh i përkohshëm. Nga ana tjetër, dhënia afatgjatë merr një qasje më strategjike. Ajo synon të fuqizojë individët dhe komunitetet për të kapërcyer sfidat duke adresuar shkaqet themelore të çështjeve të tyre. Në vend që të sigurojë zgjidhje të shpejta, dhënia afatgjatë fokusohet në zgjidhje të qëndrueshme. Ajo mund të përfshijë iniciativa si programe arsimore, trajnime profesionale ose përpjekje për ngritjen e kapaciteteve që pajisin individët me aftësitë dhe resurset e nevojshme për të krijuar ndryshime të qëndrueshme.

Sipas të dhënave të Catalyst Balkans, lloji dominues i dhënies së Kosovës janë donacionet afatshkurtra. Nga fillimi i vitit 2020 deri në fund të vitit 2022, qytetarët dhe kompanitë në Kosovë kanë dhuruar më shumë se 13,870,352 euro përmes 2,676 rasteve të dhënies. Të njëjtat të dhëna tregojnë se 8,016,065 euro dhe 2,148 raste donacionesh kanë qenë donacione afatshkurtra.

Kauzat që u mbështetën më së shumti përmes donacioneve afatshkurtra në periudhën 2020-2022 ishin ulja e varfërisë (4.1 milionë euro të dhuruara), mbështetja për grupet e margjinalizuara (410 mijë euro), dhënia gjatë festave (260 mijë euro) dhe kujdesi shëndetësor e trajtimet mjekësore (2.7 milionë euro). 

Në pjesën tjetër të shkrimit, lexoni disa nga tregimet e suksesit dhe shembujt e dhënies afatshkurtër në Kosovë.

Dhënia për uljen e varfërisë

Shoqata Humanitare “Bereqeti” shpeshherë mbështetet me donacione afatshkurtra. Në vitin 2022, organizata mori një donacion të konsiderueshëm veshjesh nga “Hill Group LLC”. Veshjet e dhuruara ishin të destinuara për personat në nevojë ekonomike. Vlera totale e donacionit ishte mbi 40,000 euro, kurse veshjet u janë dorëzuar personave në nevojë ekonomike nga degët e shoqatës “Bereqeti”.

Një shembull tjetër është tregimi për një grup donatorësh nga diaspora të cilët dhuruan 900 euro për të blerë 310 pako miell për përfituesit e Shoqatës Humanitare “Bereqeti”. 

Një shembull tjetër është fushata “Toy Retrieval” (kthimi i lodrave), e organizuar nga dyqani i lodrave “The Entertainer Kosovo”. Dyqani ka mbledhur shumë lodra kushtuar organizatës "Nëna dhe fëmijë të lumtur". Qytetarët i dhuruan lodrat, ndërsa për çdo lodër të dhuruar, dyqani i ndau organizatës 0.50 euro. Përveç shumë lodrave, u arritën edhe 1,000 euro, ndërsa të gjitha lodrat dhe paratë e mbledhura iu dhuruan organizatës “Nëna dhe fëmijë të lumtur”.

Mbështetja për grupet e margjinalizuara

Grupet e margjinalizuara gjithashtu shpesh mbështeten përmes donacioneve me efekte afatshkurtra. Në vitin 2022, NLB Banka dhuroi materiale dhe inventarë didaktik, që janë mjete thelbësore për trajtimin e fëmijëve me çrregullime komunikimi, çrregullime të njohjes dhe çrregullime të zërit e gëlltitjes, në Kabinetin e Logopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjithashtu, NLB Banka ka shpërndarë dhurata për shoqatat për kujdesin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në qytete të ndryshme të Kosovës, si shoqata "Handikos", "Pema", "Down Syndrome Kosova" dhe Qendra Burimore "Nënë Tereza".

Një shembull tjetër është i vitit 2020. Me mbështetjen e shoqatës së donatorëve, “Jetimat e Ballkanit” ka ofruar çdo muaj mbështetje financiare për familjet me jetimë. Gjatë vitit 2020, shuma totale e grumbulluar dhe e dorëzuar arriti në 41,887 euro. Donatorët ishin individë nga Kosova ose që jetonin në diasporë.

Dhënia për kujdes shëndetësor dhe trajtime mjekësore

Qytetarët dhe kompanitë në Kosovë janë të përkushtuar për të ndihmuar individët me probleme shëndetësore dhe për të mbështetur kujdesin shëndetësor në Kosovë. 

Fondacioni humanitar “Avni Hyseni” është i njohur për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar personat me probleme shëndetësore. Në vitin 2022, fondacioni dhuroi 3,000 euro për trajtimin e K.M. nga Deçani, ndërsa ka thirrur të tjerët që të kontribuojnë pasi tarifa totale e trajtimit është 50,000 euro.

Disa nga rastet e donacioneve të fondacionit "Avni Hyseni" që u dalluan për nga shuma e mbledhur në vitin 2021 përfshijnë thirrjen e fondacionit për trajtimin e L.U., i cili vuante nga një sëmundje e zemrës dhe jetonte jashtë vendit. Donatorët vendorë dhe donatorët nga diaspora mblodhën 32,000 euro. Një tjetër thirrje e suksesshme për donacione mblodhi 23,000 euro për trajtimin e një fëmije gjashtë vjeçar në Turqi.

Po të njëjtin vit, në vetëm dy ditë, fondacioni “Labinot Tahiri” grumbulloi më shumë se 100,000 euro me qytetarët e Ferizajt për të trajtuar E.Xh. dhe F.G., të plagosur nga shpërthimi i bombolave të gazit në Ferizaj.

Dhënia gjatë festave 

Dhënia sezonale është shembulli më i zakonshëm i dhurimeve afatshkurtra. Periudhat kur këto dhurime janë dominuese janë festat e Vitit të Ri, festat fetare, apo disa ditë të rëndësishme ndërkombëtare. Gjeni shembuj konkret në pjesën tjetër të artikullit.

Shoqata “Peja” në New York në vitin 2020 ka ndihmuar 280 familje në Kosovë për festat e fundvitit me mbështetjen e fondeve të dhuruara nga anëtarët e saj në diasporë. Vlera e pakos së dhuruar për çdo familje ishte mbi 40 euro. Përveç paketës ushqimore, këtyre familjeve iu dhuruan edhe 25 kg miell. Të njëjtin vit, “Berisha Group” në festat e fundvitit shpërndau 47 dhurata për fëmijët e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë dhe paketa ushqimore për 13 të rinj të këtij fshati që po kalojnë fazën e vetëpavarësisë.

Gjatë të njëjtit vit, “Petrol Company” ka dhuruar 30 pako ushqimore për familjet në nevojë nga Vitia. Donacioni është bërë për fushatën Sofra e Ramazanit të udhëhequr nga Shoqata “Bereqeti” dhe Bashkësia Islame në Kosovë për shënimin e muajit të Ramazanit dhe për të ndihmuar familjet në nevojë.

Një nga shembujt e shumtë nga viti 2021 është donacioni i “Devolli Corporation” i cili shpërndau pako dhurata në qendrat e “Down Syndrome Kosova” në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren dhe në qytetin e Gjilanit. Një shembull tjetër është Banka për Biznes e cila organizoi festën e festave të vitit në ambientet e “Down Syndrome Kosova”, ku kompania befasoi anëtarët e kësaj shoqate duke shpërndarë pakot e dhuratave të Vitit të Ri, të ndara nga babadimri për të gjithë fëmijët që shfrytëzojnë shërbimet e kësaj shoqate.

Ramazani është gjithashtu një rast për dhurime gjatë festave. Për shembull, në vitin 2021 zinxhiri i restoranteve "Be Happy", i cili është një markë e “Petrol Company”, për nder të muajit të Ramazanit për herë të dytë ka përgatitur iftar (darkë) për 77 banorë në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë.

“Petrol Company” gjithashtu shënon shpesh ditë të rëndësishme ndërkombëtare duke dhuruar dhe treguar përgjegjësi sociale korporative. Për shembull, me rastin e 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në vitin 2021, “Petrol Company” i ka dhuruar institucionit parashkollor “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë 101 çanta me mjete shkollore dhe maskota për 101 fëmijë.

Në vitin 2022, me të njëjtin rast, kompania iu drejtua Spitalit Pediatrik-Repartit Hematologjik në Prishtinë për të festuar me fëmijët e shtruar. Gjithashtu, kompania dërgoi dhurata me pako ushqimore për 32 fëmijët që ndodheshin në repart.

Përfundimi

Dhënia afatshkurtër ofron lehtësim të menjëhershëm për ata që përballen me sfida urgjente, duke i ndihmuar ata të plotësojnë nevojat e tyre themelore dhe duke ofruar mbështetje të përkohshme. Ajo trajton çështjet urgjente në fjalë dhe ofron ndihmë thelbësore gjatë kohëve të krizave. Ndërsa dhënia afatshkurtër është me ndikim në ofrimin e lehtësimit të menjëhershëm, është e rëndësishme që të plotësohet me strategji afatgjata të dhënies që trajtojnë shkaqet themelore të çështjeve sociale dhe fuqizojë komunitetet për ndryshime të qëndrueshme. Duke kuptuar dallimin midis dhënies afatshkurtër dhe afatgjatë, profesionistët jofitimprurës dhe të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës (CSR) në Kosovë mund të krijojnë një qasje të balancuar që adreson nevojat e menjëhershme duke punuar drejt zgjidhjeve të qëndrueshme.

Dëshironi të dini më shumë për dhënien afatshkurtër në Kosovë në vitin 2022? Lexoni më shumë në këtë vegzë. Ndërkohë, për të mësuar gjithçka rreth filantropisë dhe donacioneve në Kosovë në vitin 2022, lexoni raportin Giving Kosovo 2022.


Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).