Çmimi i Filantropisë në Shqipëri njohin përpjekjet dhe shprehin mirënjohje e falenderimin për individët, familjet dhe bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë ku jetojnë, dhe këtë vit këto çmime u ndan në 1 dhjetor.

 

Në këtë event, i cili është organizuar nga Partnerët Shqipëri që prej 2011, morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga qeveria shqiptare, deputetë, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, institucione ndërkombëtare dhe agjenci donatore, përfaqësues të sektorit të biznesit, atij jofitimprurës dhe medias.

Fituesit e Çmimeve të Filantropisë 2017 janë si më poshtë:

  • Çmimi për Kontribut në Nivel Kombëtar - TELEKOM Albania, për kontributin e dhënë në mbështetje të zhvillimit social, kujdesit shëndetësor dhe mjedisor në vend, e në veçanti për pajisjen me libra artistikë të librarive publike në qytetin e Tiranës, pajisjen me aparatura mjekësore në spitalin Shefqet Ndroqi e Shërbimin e Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe për kontributin e veçantë në fushën kërkimore për luftën kundër dementias nëpërmjet realitetit virtual.
  • Çmimi për Kontribut në Nivel Lokal - HAKO sh.p.k, për mbështetjen në fushën e edukimit, shërbimeve terapeutike dhe zhvillimit të fëmijëve e të rinjve me nevoja të veçanta në qytetin e Tiranës.
  • Çmimi për Kontributin si Individ - Albana Osmani, për kontributin e veçantë në rikonstruksionin e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe rritjen e solidaritetit dhe sensibilizimit qytetar në ndihmë të fëmijëve të prekur nga sëmundjet e gjakut, përmes fushatës “Ti je një luledielli”.
  • Çmimi Special “Pionieri i Filantropisë” - Kristaq Zografi (pas vdekjes), për veprimtarinë e tij të shquar në fushën e arsimit dhe kulturës, ku veçohet ndërtimi i gjimnazit të parë në fshatin Qestorat të Gjirokastrës, akordimi i bursave për të rinjtë dhe ndërtimi i disa veprave publike brenda dhe jashtë vendit.
  • Çertifikatë Mirënjohjeje - Gjergji Renja, për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të familjeve në nevojë në fshatrat e Beratit, e veçanërisht në mbështetjen e edukimit dhe integrimit të të rinjve në këto zona.