Në çdo komunitet, vendosja në rend të parë e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara ka kuptim të thellë pasi që reflekton përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes dhe fuqizimit. Ky përkushtim shkon përtej detyrës morale; shërben si element thelbësor i një shoqërie të mëshirshme. Duke kontribuar aktivisht në mirëqenien e tyre, e mbështesim përmirësimin e jetës së tyre dhe kultivimin e një komuniteti që e vlerëson drejtësinë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë.
Njohja dhe adresimi i sfidave unike me të cilat përballen individët me aftësi të kufizuara është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj diversitetit, duke siguruar që çdo pjesëtar i komunitetit tonë vlerësohet dhe fuqizohet për të përparuar.
Në Kosovë, ky përkushtim është manifestuar në një varg nismash me ndikim që nga viti 2018 e deri në vitin 2022. Gjatë kësaj periudhe pesë vjeçare, vetëm përmes platformës “Kosova Dhuron”, Kosova shënoi 3,246 veprime bamirësie të dedikuara për t’i mbështetur personat me aftësi të kufizuara, që arriti vlerën e një kontributi bujar prej 17,184,157 Euro. Këto veprime janë bërë të mundura nga donatorë të ndryshëm, duke përfshirë Organizatat e Shoqërisë Civile (OShC-të), korporatat, individët në masë dhe individët. Gjatë viteve të fundit, ka dominuar mbështetja afatshkurtër.
Kontributet në vitin 2022
Kontributet e donatorëve: Në vitin 2022, personat me aftësi të kufizuara u mbështetën më së shumti nga OShC-të të cilat përbënin 45.2% të të gjitha rasteve bamirëse të drejtuara për atë qëllim. Sektori i korporatave pason me 26.2% të instancave, ku individët në masë kontribuuan me 21.4% të rasteve. Mjaft interesant ishte fakti që megjithëse sektori i korporatave pati shpeshtësi më të lartë të dhurimit, ata përbënin vetëm 0.6% të vlerës së përgjithshme monetare të asaj që është dhuruar – që do të thotë se ishin aktivë në veprimet bamirëse por me më pak para të investuara në krahasim me individët në masë, për shembull, të cilët kontribuuan me 59.7% të vlerës së përgjithshme monetare.
Demografia e përfituesve: Analiza e përfituesve të këtyre donacioneve në vitin 2022 tregon që OShC-të kanë luajtur rol qendror, duke u angazhuar në 83.3% të rasteve bamirëse. Pasojnë përfituesit individual ose familjet me 11.9% të rasteve dhe institucionet dhe subjektet e qeverisë lokale/qendrore të dyja morën 2.4% secila.
Sa i përket shumës së dhuruar, OShC-të morën 61.3%, pasuar nga subjektet e qeverisë lokale/qendrore me 30.8%, ndërsa përfituesit individual ose familjet morën 8.0%.
Mbështetja afatgjate kundrejt mbështetjes afatshkurtër
Analiza e mbështetjes afatgjate kundrejt mbështetjes afatshkurtër tregon një ndryshim në fokus nga viti 2018 në vitin 2022.
Mbështetja afatshkurtër, duke përfshirë ndihmat humanitare, strehimin individual, trajtimet mjekësore, etj. – dominuan në shpeshtësi (64.3%) dhe në vlerë monetare (31.7%) në vitin 2022. Ky ndryshim pasqyron urgjencën për t’i adresuar nevojat elementare, duke u harmonizuar me peizazhin në zhvillim të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara. Në fakt, mbështetja afatgjate ishte më dominuese se mbështetja afatshkurtër vetëm në vitin 2018 dhe 2019 (kur më shumë se gjysma e të gjitha rasteve të dhurimit ishin të investuara në mbështetje afatgjatë).
Një arsye e mundshme për mbështetjen e shtuar afatshkurtër që nga viti 2020 mund të jetë kërkesa më e lartë për veprime urgjente, veçanërisht mbështetje humanitare. Ky ndryshim e thekson natyrën dinamike të filantropisë, duke u përshtatur për t’i adresuar çështjet emergjente me të cilat ballafaqohen individët me aftësi të kufizuara.
Historitë frymëzuese të dhurimit
Në vijim është paraqitur një koleksion historish frymëzuese, me rrëfime që mishërojnë fuqinë e vullnetit të mirë të kombinuar, duke theksuar dedikimin e palëkundur për ndërtimin e një shoqërie që është si mbështetëse ashtu edhe gjithëpërfshirëse.
- Në vitin 2021, fondacioni “Golden Eagle”, i financuar nga kompania “Frutex”, filloi ndërtimin e një kompanie, një projekt prej 10 milion eurosh, për prodhimin e letrës/paketimeve dhe një varg produktesh të tjera. Qëllimi kryesor i projektit ishte të punësonte persona me aftësi të kufizuara për ta nxitur gjithëpërfshirjen sociale. Kjo fabrikë u përurua vitin që shkoi, në vitin 2023, e njohur si Fabrika e Letrës “Freesia”.
- Në “Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës” në vitin 2020, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në bashkëpunim me HANDIKOS dhe HANDICAP Kosova, shpërndanë mbi 500 pajisje ndihmëse (karrige me rrota dhe vetura elektrike) për personat me aftësi të kufizuara. Pajisjet në vlerë mbi 400,000 euro u dhuruan nga shoqata e diasporës “Fehmi Agani” në Arendal të Norvegjisë.
- Në fund të vitit 2021, gazetari dhe poeti Arbër Selmani përmbushi premtimin e tij duke i dhuruar 2,318 euro nga shitja e librit të tij “Kosova në 14 tregime kulturore – 2” shoqatës “Autizmi” në Prishtinë. Qëllimi i tij ishte që të kontribuonte në mirëqenien e fëmijëve me autizëm në Kosovë.
Kopertina e librit “Kosova në 14 tregime kulturore - 2”
Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare e Arbër Selmanit në rrjetin social “Facebook”
- Në vitin 2022, shoqata “Jetimat e Ballkanit” shpërndau donacione të ndryshme në qendrat si Handikos në Suharekë, Handikos në Fushë Kosovë, Handikos në Drenas, Klubi “Dardanët” në Prishtinë – Vjollca Hoxha dhe shoqata “Heroinat” në Prishtinë, si dhe rasteve që kanë anëtarë të familjes me aftësi të kufizuara. Donacionet përfshinë karrige me rrota, karrige elektrike me rrota, paterica, shtretër, ulëse të pastra, vetura elektrike, pajisje të fizioterapisë, karroca të veçanta për fëmijë dhe veshmbathje të ndryshme për të gjitha moshat.
- Një mbështetje tjetër për shoqatën “Down Syndrome Kosova”, e ofruar në vitin 2020, vjen nga Banka Kombëtare Tregtare në Kosovë (BKT Kosova). Duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, BKT Kosova ka reaguar ndaj thirrjes për ndihmë të shoqatës “Down Syndrome Kosova” duke dhuruar shërbime terapeutike për një periudhë 12 mujore për një fëmijë të diagnostifikuar me këtë sindromë. Vlera e donacionit ishte 1,920 euro.
- Në vitin 2019, Sh.P. dhe bashkëshortja e tij, të dy duke u përballur me aftësi të kufizuara dhe sfida shëndetësore, pësuan një ndryshim transformues në jetën e tyre. Përmes përpjekjeve të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, të mbështetur me donacionet e shumë kontribuuesve zemërgjerë, për këtë familje u ndërtua një shtëpi e re. Duhet cekur se Komuna e Lipjanit luajti rol kyç, duke kontribuuar me 5,000 euro drejt kësaj përpjekjeje.
Përfundim
Peizazhi filantropik në Kosovë tregon një grup të larmishëm donatorësh që aktivisht kontribuojnë në mirëqenien e individëve me aftësi të kufizuara. Zemërgjerësia shtrihet përtej kufijve, duke nënvizuar rolin e madh që luan filantropia në Kosovë. Këto histori janë shembull i ndikimit të përpjekjeve kolektive për të krijuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe përkrahëse. Ka edhe shumë histori të tjera, duke theksuar në veçanti donacionet për shëndetësi, ku disa persona publikë ose privatë kërkojnë që të barten para në llogaritë e tyre bankare, me qëllim që t’iu ndihmojnë personave me aftësi të kufizuara të cilët kanë nevoja urgjente për trajtim mjekësor brenda ose jashtë vendit.
Dëshironi të dini më shumë për filantropinë dhe donacionet në Kosovë? Vizitoni raportin tonë mbi gjendjen e filantropisë – Kosova dhuron 2022.
Ky artikull është mundësuar me mbështetjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe jo domosdoshmërisht i reflekton pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Aktiviteti për Angazhim Qytetar në Kosovë është nismë pesë-vjeçare nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Fotografia kryesore: Shpërndarja e pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara
Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare e ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në rrjetin social “Facebook”