Gjatë muajit prill, për nder të Ditës Botërore të Autizmit e cila shënohet me 2 prill, komunitetet bashkohen për të hedhur dritë mbi pikat e forta dhe sfidat unike të individëve me autizëm, duke theksuar nevojën për mbështetje të përshtatur dhe përpjekje avokuese. Edhe në Kosovë ekziston nevoja për të kontribuar për nismat e autizmit, individët dhe organizatat që ofrojnë burime thelbësore dhe sisteme mbështetëse që rrisin drejtpërdrejt cilësinë e jetës për ata me çrregullim të spektrit të autizmit (ASD) dhe familjet e tyre.

Prandaj, për këtë artikull kemi analizuar të dhënat në lidhje me nismat e Kosovës për ta mbështetur këtë kauzë, duke vënë në pah histori frymëzuese të përpjekjeve filantropike të drejtuara drejt nxitjes së një mjedisi të pranimit dhe fuqizimit të individëve me ASD.

Dhurimet filantropike për mbështetjen e autizmit

Në tri vitet e fundit (2021-2023), “Kosova dhuron” regjistroi një shumë prej 19,684 eurosh të dhuruara për individët me ASD në Kosovë. Sektori i korporatave doli si dhuruesi kryesor, duke demonstruar kështu përkushtim ndaj përgjegjësisë sociale me një kontribut prej 16,666 euro në vitin 2023. Ndërkohë, në vitet 2021 dhe 2022 edhe individët luajtën rol jetik në mbështetjen e kauzave të autizmit, duke kontribuar me 3,018 euro.

Ndikimi kolektiv i këtyre kontributeve theksohet më tej nga ndarja e fondeve si për aksionet e njëhershme, ashtu edhe për nismat strategjike. Aksionet e njëhershme, në vlerë totale prej 3,018 eurosh, pasqyrojnë akte individuale bujarie dhe mbështetjeje, ku secili kontribuon në përpjekjet më të gjera për avancimin e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për autizmin në Kosovë. Ndryshe nga kjo, dhurimet strategjike, që arrijnë në 16,666 euro, nxjerrin në pah dhurimet e korporatave që adresojnë sfidat sistemike dhe krijojnë zgjidhje të qëndrueshme për individët me ASD.

Historitë e dhurimit për autizmin

Dhurimi për nismat e autizmit përkthehet drejtpërdrejt në përmirësime të prekshme në jetën e individëve me ASD, duke u ofruar atyre mundësi më të mëdha për rritje, zhvillim dhe përfshirje brenda shoqërisë.

Dhurimi më i madh në tri vitet e fundit është nga NLB Banka në Kosovë. Nga 100 mijë euro që NLB Banka dhuroi për bamirësi, 16,666 euro iu dhanë OJQ-së “Autizmi flet”, duke nxitur përpjekjet për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen ndaj autizmit.

Sa i përket kontributit individual, gazetari dhe poeti Arbër Selmani ka demonstruar mbështetje të palëkundur për kauzat e autizmit përmes të ardhurave nga shitjet e librave të tij në vitet 2021 dhe 2022, duke dhuruar gjithsej 3,018 euro. Në prill 2021, pjesa e parë e fitimeve nga libri i tij “Kosova në 14 tregime kulturore - 2” arriti në 1,033 euro, pasuar nga një dhurim i mëvonshëm prej 1,285 euro i bërë në dhjetor 2021 dhe 700 euro të dhuruara në tetor 2022, nga të cilat përfituan familjet që kanë fëmijë me spektrin e autizmit.

Dhurimi i tretë i Arbër Selmanit për Shoqatën “Autizmi” nga shitja e librit të tij
“Kosova në 14 tregime kulturore - 2”

Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare në “Facebook” e Arbër Selmanit

Mbështetja për autizmin në Kosovë nuk ka munguar as nga diaspora. 1,850 euro janë dhuruar nga Arbert Lubeqnqi, i cili jeton në Gjermani. Më 13 maj 2023 ai nisi një udhëtim me biçikletë prej 1,850 km nga Kassel në Gjermani për në komunën e Istogut në Kosovë, që zgjati 15 ditë. Lubeniqi premtoi 1.00 euro për çdo kilometër të përshkuar në mbështetje të nismave të autizmit, duke kulmuar me dhurimin e lartpërmendur.

Përfundim

Kontributet e bëra deri më tani janë të rëndësishme dhe duhet të shërbejnë si model për të tjerët. Ndikimi i dhënies shkon përtej vlerës monetare; nënkupton një zotim për të nxitur një mjedis pranimi, përfshirjeje dhe fuqizimi. Qoftë nëpërmjet dhurimeve, avokimit ose nxitjes së mirëkuptimit në komunitetet tona, secili prej nesh ka fuqinë për ta bërë një ndryshim domethënës në jetën e atyre që janë të prekur nga autizmi.

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).