Bamirësia është një mënyrë e fuqishme me të cilën individët mund të bëjnë ndryshime në komunitetet e tyre. Prandaj, është e rëndësishme që të paraqitet, frymëzohet dhe vlerësohet ndikimi që ka ajo në jetët e atyre që kanë nevojë.

Pasi Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë festohet më 5 shtator, është thelbësore që të vlerësohen vepra bamirësie që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar. Në Kosovë, viti 2023 ka qenë i jashtëzakonshëm sa i përket donacioneve, me vëllimin më të madh të mbështetjes filantropike deri më sot. Qytetarët si dhurues kanë pasur veçanërisht ndikim, duke kontribuar me 982,204 euro për kauza të ndryshme – duke përkrahur drejtpërdrejt shumë persona e familje.

Cilat kauza u përkrahën nga dhurimet e qytetarëve?

Trajtimet mjekësore janë kauza më e mbështetur, me 510,000 euro të dhuruara për shtatë raste në nevojë për përkrahje, duke pasqyruar kështu angazhimin e fuqishëm si nga donatorët vendorë ashtu edhe nga ata nga diaspora. Mbështetje e konsiderueshme është dhënë edhe në zbutjen e varfërisë, me 286,916 euro të dhuruara nëpërmjet 166 dhurimeve për raste të tilla, e cila tregon dedikimin e komunitetit për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë. Në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore dhe situatave emergjente janë dhuruar 150,000 euro, duke theksuar kështu rëndësinë e përpjekjeve për lehtësim të menjëhershëm. Përveç kësaj, për mbështetje për grupet e margjinalizuara janë grumbulluar 31,613 euro përmes 15 donacioneve bamirëse, ndërsa për edukim janë dhuruar 2,175 euro nga 32 donacione, e cila demonstron angazhimin për fuqizimin e gjeneratave të reja.

Le t’i shohim pesë histori frymëzuese të qytetarëve në Kosovë dhe diasporë që e panë të nevojshme dhe u ngritën për t’i mbështetur aktivitetet bamirëse në vitin 2023.

1. Udhëtim me biçikletë për bamirësi

Arbert Lubeqnqi, me qëndrim në Gjermani, ka dhuruar 1,850 euro në mbështetje të nismave për autizmin në Kosovë. Më 13 maj ai filloi udhëtimin me biçikletë për 1,850 km nga Kassel në Gjermani deri në Komunën e Istogut në Kosovë, duke mbuluar këtë distancë për mbi 15 ditë në vitin 2023. Lubeniqi premtoi 1.00 euro për çdo kilometër të kaluar në mbështetje të nismave për autizëm, duke rezultuar në një donacion prej 1,850 euro.

2. Mbështetje për nënën vetushqyese në Fushë Kosovë

Në muajin tetor të vitit 2023, S.H., nënë vetushqyese nga Fushë Kosova, ndau historinë e saj për vështirësitë me të cilat përballet pas humbjes së bashkëshortit. I shtyrë nga situata e saj, biznesmeni Shaqir Palushi nga Fondacioni “Golden Eagle” ofroi 300 euro në muaj për ta mbështetur atë dhe tre fëmijët e saj. Përveç kësaj, kolegu i tij, Arlind Gashi, kontribuoi me 500 euro shtesë, duke demonstruar kështu fuqinë që ka komuniteti dhe sa e rëndësishme është ta mbështesim njëri-tjetrin kur kemi nevojë.

3. Pajisje mjekësore në Skenderaj

Në muajin shtator të vitit 2023, Komuna e Skenderajt ka pranuar një donacion me pajisje mjekësore në vlerë prej 400,000 euro. Ky kontribut i konsiderueshëm, konkretisht i synuar për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj dhe individët me aftësi të kufizuara, u mundësua nëpërmjet Shoqatës “Human Bridge” në Suedi, me një kontribut të rëndësishëm nga bashkatdhetari Xhafer Balaj.

4. Kupona ushqimorë për familjet në nevojë

Në muajin tetor të vitit 2023, Blerim Bajraktari, me origjinë nga Samadraxha e Suharekës dhe tani me qëndrim në Zvicër, i ka dhënë një donacion të konsiderueshëm prej 20,000 euro Shoqatës Bamirëse “Bereqeti”, dega në Prizren. Donacioni i tij është përdorur për kuponë ushqimorë për 100 familje me kushte të vështira ekonomike, në vlerë prej 210 euro për kupon. Kjo vepër bujare është mbështetur më tej nga biznesi “My Market-Euro Food,” i cili ka dhuruar 1,000 euro shtesë, duke siguruar që përfituesit të mund të marrin pako të ndryshme ushqimore. Kjo nismë ka qenë një lehtësim i menjëhershëm për shumë familje me vështirësi për ta përballuar jetesën.

5. Mbështetje për familjet me të ardhura të ulëta në Malishevë

Në muajin janar të vitit 2023, Durim Krasniqi, pronar i barnatores “Durimi Pharm”, kontribuoi në Shoqatën Humanitare “Bereqeti”, dega në Malishevë. Donacioni i tij në vlerë prej 154 euro është përdorur për t’i mbështetur familjet me kushte të vështira ekonomike, duke demonstruar kështu se secili kontribut mund të ketë ndikim domethënës për personat në nevojë.

Përfundimi

Këto histori ilustrojnë ndryshimin e madh që një person mund ta bëjë në komunitetin e tij. Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë, le t’i marrim këta shembuj si frymëzim dhe të reflektojmë se si një person mund të jap diçka në mënyrën e tij. Pavarësisht se a është koha, paraja apo burimet ato që dhurohen, çdo vepër për komunitetin e ka fuqinë që t’i përmirësojë jetët dhe t’i fuqizojë lidhjet brenda komunitetit.

 

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).