Arsimi është aspekt themelor i progresit të një shoqërie. Në Kosovë donatorët kanë shumë mundësi për të dhënë dhe mbështetur nisma arsimore.
Sipas të dhënave të Catalyst Balkans, kompanitë dhe qytetarët në Kosovë nga fillimi i vitit 2020 deri në fund të vitit 2022 kanë mbështetur arsimin me më shumë se 1,2 milionë euro, përmes 221 aktiviteteve filantropike.
Individët shpesh dhurojnë për të mbështetur nisma të caktuara arsimore si bursa, riparime shkollash ose blerje të materialeve edukative. Donatorët që kontribuojnë përmes organizatave të shoqërisë civile (OShC), shoqatave ose fondacioneve zakonisht kanë një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj donacioneve të tyre, duke u fokusuar në zgjidhjet afatgjata për sfidat e arsimit në Kosovë.
Donacionet për arsimin në Kosovë kryesisht iu drejtohen shkollave, universiteteve, organizatave arsimore dhe iniciativave lokale. Shumë prej këtyre donacioneve kanë si cak nisma specifike, të tilla si ofrimi i bursave ose financimi për riparimin e shkollave.
OShC-të në Kosovë luajnë rol jetik në mbështetjen e arsimit. Një organizatë e tillë është Qendra për Arsim e Kosovës, e cila përqendrohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë duke promovuar arsimin gjithëpërfshirës, trajnimin e mësimdhënësve dhe zhvillimin e kurrikulës.
Donatorët e korporatave po ashtu kontribuojnë në arsimin në Kosovë. Një shembull i tillë është banka TEB Sh.A., e cila ka krijuar një program bursash për studentët e talentuar dhe të paprivilegjuar në Kosovë. Përmes këtij programi, studentët marrin mbështetje financiare për t’i mbuluar tarifat e shkollimit dhe mundësitë e mentorimit dhe zhvillimit të karrierës.
Shumë organizata dhe fondacione ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë e mbështesin arsimin. Për shembull, UNICEF-i përqendrohet në përmirësimin e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe promovimin e arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara. Edhe komuniteti i diasporës ka luajtur rol qenësor në mbështetjen e arsimit në Kosovë. Platformat elektronike si GoFundMe, Kickstarter dhe Global Giving kanë lehtësuar shumë fushata të suksesshme të financimit të lidhura me arsimin.
Në përgjithësi, donacionet dhe mbështetja e dhënë për arsimin në Kosovë vijnë nga burime të ndryshme, duke përfshirë donatorët individualë, donatorët e korporatave, organizatat ndërkombëtare dhe OShC-të. Mbështetja e ofruar nga këta donatorë ka ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë dhe ka ofruar mundësi për studentët e talentuar dhe të paprivilegjuar për t’i arritur qëllimet e tyre akademike.
Në pjesën tjetër të këtij artikulli, kemi përgatitur disa histori suksesi se si filantropët në Kosovë e mbështesin arsimin.
Mbështetja për bibliotekat
Në vitin 2020, Kosova Makers League dhe Fondacioni “BONEVET Prishtina” pajisën me mjete edukative dhjetë biblioteka publike në Gjilan, Prizren, Viti, Ferizaj, Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Shtime dhe Skënderaj. Projekti kishte për synim t’i transformonte bibliotekat publike në qendra për zhvillimin e aftësive dixhitale duke dhuruar pajisje Microbit, printera 3-D, laptopë dhe teknologji të tjera. Qëllimi i këtyre donacioneve ishte që t'i mësojnë qytetarët të punojnë me pajisje të avancuara teknologjike.
Fondacioni “BONEVET Prishtina” ka ofruar edhe punëtori edukative për bibliotekarët dhe qytetarët. Projekti organizohet nga Instituti për Zhvillimin e Rinisë dhe Inovacionit (IRIM) me mbështetjen e Google.
Po atë vit, profesori dhe shkrimtari i njohur vushtrrias, Bedri Tahiri, i dhuroi bibliotekës së shkollës “Hajrullah Shala” në Akrashticë të Vushtrrisë 70 ekzemplarë të librave.
Në vitin 2020 libra i janë dhuruar edhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Universiteti mori një donacion librash nga ish-deputeti i Kantonit të Gjenevës, Eric Leyvraz dhe kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Franceze, Tahir Shabani. Ky donacion përmban libra në frëngjisht nga fusha të ndryshme, si muzika, arkeologjia, gjuhësia, letërsia dhe kultura. Kjo mbështetje numëron rreth 2,500 tekste nga zonat e përmendura më sipër.
Shembuj të dhurimit masiv individual për arsimin
Në vitin 2020, Rrjeti i Grave të Kosovës filloi një fushatë në crowdfunding për të siguruar laptopë për vajzat që nuk mund të ndiqnin shkollën për shkak të pandemisë COVID-19. Fushata mblodhi me sukses mbi 9,000 euro, duke siguruar laptopë për mbi 200 vajza në Kosovë.
Në vitin 2021 u hap shkolla e muzikës “In Tune”, e cila supozohet t’i edukojë dhe t’i përgatisë nxënësit për arsimim të mëtejshëm në muzikë. Qytetarët mbështetën mbledhjen e fondeve për pajisjen e shkollës përmes platformës Kosovaideas.
Po këtë vit, organizata “Happy Mothers and Kids”, falë ndihmës së shumtë të donatorëve, mblodhi 1,000 çanta shkollore me pajisje për fëmijët në gjendje të vështirë ekonomike. Çantat janë mbledhur në kuadër të fushatës “Shtatori i këtij viti me çantën e plotë”.
Një shembull tjetër është fushata për mbledhjen e fondeve e zhvilluar në platformën e financimit të qytetarëve KosovaIdeas në vitin 2022. Qytetarët ndihmuan në mbledhjen e fondeve për projektin e iniciuar nga Roma Veritas Kosova për të mbështetur shkollën e muzikës "Music 4 All". Shkolla ofron kurse muzikore dhe punëtori falas për fëmijë dhe të rinj. Më shumë se 5,000 euro u mblodhën për të blerë materiale të nevojshme mësimore dhe arti, pajisje dhe fonde për faturat e transportit, ngjarjeve dhe ngrohjes.
Bursat për nxënësit
Në vitin 2021, për të pestin vit radhazi, përmes programit të saj të bursave me RIT Kosova (Universitetin Amerikan në Kosovë), Meridian Express ndau 5,000 euro bursa për studentët e familjeve në gjendje të pafavorshme sociale.
Ndihma për nxënësit nga familjet në gjendje të pafavorshme
Raiffeisen Bank në Kosovë ka shpërndarë 151 tableta dhe 275 çanta shkollore me mjete në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren, të destinuara për t'u shpërndarë për fëmijët e familjeve në gjendje të pafavorshme sociale. Ky kontribut është dhënë si pjesë e organizatës bamirëse “Herbert Stepic CEE”, në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet UNICEF-it dhe Raiffeisen Bank në Kosovë.
Qëllimi ishte rritja e bashkëpunimit në promovimin e rëndësisë sociale dhe çështjeve të kujdesit ndaj fëmijëve. Pajisjet dhe mjetet e dhuruara, në vlerë mbi 30 mijë euro, iu shpërndanë nxënësve të shkollave: “Lidhja e Prizrenit”, “Motrat Qiriazi” dhe “Remzi Ademaj”.".
Kurset e gjuhës falas për fëmijë
Vitin e kaluar, organizata “Happy Mothers and Kids” mori një donacion nga shkolla për gjuhët e huaja Britannica ELT- Edmond Ramadani. Shkolla do të ofrojë kurse falas të gjuhëve të huaja për pesë vitet e ardhshme për fëmijët që përfitojnë nga shërbimet e organizatës.
Përfundim
Dhurimi për arsimin në Kosovë është jetik për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin dhe popullin e tij. Arsimi është çelësi për arritjen e potencialit të individëve dhe komuniteteve dhe vetëm përmes investimit në arsim Kosova mund të arrijë zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet afatgjatë.
Qoftë mbështetja e studentëve me bursa, dhurimi i materialeve arsimore ose investimi në infrastrukturë dhe trajnimin e mësimdhënësve, çdo donacion ka ndikim të rëndësishëm. Duke dhuruar për arsimin në Kosovë, ju kontribuoni në rritjen dhe zhvillimin e gjeneratës së ardhshme dhe siguroni që ata t’i kenë mjetet dhe aftësitë e nevojshme për të pasur sukses.
Për më tepër, dhurimi për arsimin në Kosovë nuk është vetëm kontribut i njëherëshëm, por investim afatgjatë. Duke fuqizuar të rinjtë me arsim dhe trajnim, ne iu ndihmojmë atyre të bëhen anëtarë produktivë të shoqërisë dhe të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e komuniteteve të tyre.
Për të mësuar më shumë rreth donacioneve dhe aksioneve filantropike për arsim dhe kauza të tjera të rëndësishme në Kosovë, vizitoni kosovadhuron.org.
Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).