Dita Botërore e Mjedisit (5 qershor) është ditë globale që na rikujton përgjegjësinë tonë kolektive për të mbrojtur planetin. Kjo ditë nuk nënkupton vetëm festimin e bukurisë së natyrës, por shërben edhe për të kuptuar nevojën urgjente të adresimit të sfidave mjedisore. Kjo nevojë është evidente edhe në Kosovë.
Të dhënat e platformës “Giving Balkans” zbulojnë se mbrojtja e mjedisit në Kosovë nuk ka marrë vëmendjen dhe financimin që i nevojitet. Gjatë pesë viteve të fundit, përkatësisht nga viti 2019 deri në vitin 2023, janë regjistruar vetëm 26 aksione bamirësie në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, me shumë totale donacioni prej vetëm 4,641 euro. Kjo shifër thekson boshllëkun e rëndësishëm në peizazhin filantropik të Kosovës si dhe paraqet nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit dhe veprimit.
Vështrim më i afërt i filantropisë mjedisore në Kosovë
Sektori i biznesit është shfaqur si donatori më i spikatur, ku 14 nga 26 aksionet bamirëse vijnë nga subjektet korporative dhe NVM-të (Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme). Kjo është shenjë pozitive që tregon se bizneset kanë filluar të kuptojnë rolin e tyre në kujdesin mjedisor. Pjesa e mbetur janë kontribute nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile. Më poshtë janë donacionet më të mëdha për mjedisin ndër vite.
Donacioni më i madh i regjistruar në maj 2022 ishte nga ProCredit Bank. 3,870 euro janë dhënë për pastrimin e mjedisit dhe krijimin e më shumë hapësirave publike të gjelbra. Tjetër kontribut monetar erdhi në tetor 2022, kur Komuna e Mitrovicës së Jugut përfundoi mbjelljen e 27 pemëve pranë liqenit të Mitrovicës falë donacionit prej 600 eurosh nga TWIG, kompani fintech e orientuar drejt ekonomisë qarkore.
Në vitin 2021, NLB Banka, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, mbolli 123 pemë në Parkun Memorial të Velanisë si pjesë e iniciativës "Ta duam dhe të mbrojmë natyrën".
Kontributet e korporatave kanë mbështetur tutje kauzat mjedisore nëpërmjet donacioneve monetare dhe atyre në mallëra. Shembull i dukshëm është bashkëpunimi ndërsektorial në Prishtinë. Në vitin 2020, ofruesi i shërbimeve të telekomunikacionit dhe TI-së “3CIS Sh.A” iu bashkua fushatës “Bëhu Mik i Prishtinës” të iniciuar nga Komuna e Prishtinës, duke dhuruar e ndihmuar në mbjelljen e 12 fidanëve në hapësirën e parkut “Taukbahçe”. Kjo fushatë u fokusua në rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen dhe promovimin e një bote më të shëndetshme dhe më të gjelbër. Ngjashëm, OJQ “Helvetas” kontribuoi me 18 fidanë në të njëjtën iniciativë, duke i mbjellë ato në parkun “1 Tetori” në Prishtinë, duke treguar se si organizatat mund të bashkëpunojnë me autoritetet lokale për të përmirësuar hapësirat e gjelbra urbane.
Mbjellja e 12 fidanëve në Prishtinë, donacion nga 3CIS Sh.A
Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare “Facebook” e “3CIS Sh.A”
Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka përfituar donacion prej rreth 400 fidanëve nga klubi “XTrailers”, financuar nga manifestimet “Run green, run clean” dhe “Prishtina Trail Marathon 2019”. Kjo nismë i shtoi kryeqytetit hapësirë të konsiderueshme të gjelbër.
Ndikim kanë pasur edhe kontributet individuale. Në vitin 2020, avokati Osman Havolli dedikoi vullnetarisht kohën e tij për të rregulluar puse të rrezikshme në komunitet, duke demonstruar se si përpjekjet individuale mund të çojnë në përmirësime të prekshme në sigurinë publike dhe shëndetin mjedisor.
Thirrje për veprim: ngritja e filantropisë mjedisore
Teksa festojmë Ditën Botërore të Mjedisit, është jetike të intensifikojmë përpjekjet tona kolektive për të mbrojtur dhe ushqyer mjedisin tonë. Kjo kërkon rritje të ndërgjegjësimit, investime të konsiderueshme dhe angazhim proaktiv si nga individët ashtu edhe nga organizatat.
Gjendja aktuale ku janë bërë vetëm 26 aksione bamirësie që arrijnë shumën e 4,641 euro gjatë pesë viteve, tregon nevojën urgjente për përpjekje më të mëdha të mbrojtjes së mjedisit. Adresimi i këtyre sfidave është jetik për mirëqenien tonë dhe qëndrueshmërinë e planetit.
Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t'i dhënë prioritet mbrojtjes së mjedisit. Duke vepruar kështu, ne mund të sigurojmë të ardhme më të shëndetshme, më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për Kosovën dhe më gjerë.
Fotografia kryesore: Uran Krasniqi
Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).