Veprimet filantropike të komuniteteve minoritare në Kosovë i tejkalojnë kufijtë, duke demonstruar fuqinë e bashkëndjesisë dhe unitetit në nxitjen e ndryshimeve shoqërore.

Duke u bërë bashkë dhe duke bërë ndryshimin, këto komunitete kanë dëshmuar se përpjekjet kolektive mund të krijojnë një efekt përhapës transformimi, duke përmirësuar jetën e individëve dhe duke kultivuar një shoqëri më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse.

Nga mbështetja e arsimit e deri te reduktimi i varfërisë, komunitetet minoritare në Kosovë kanë treguar qëndrueshmëri dhe bashkëndjesi të jashtëzakonshme, duke ndërmarrë së bashku veprime të bashkërenduara për të ngritur dhe fuqizuar anëtarët e tyre. Në këtë artikull, ju mund të lexoni historitë frymëzuese të të dhuruarit për komunitetet minoritare dhe nga komunitetet minoritare.

Të dhuruarit për arsim

Arsimi është një mjet i fuqishëm për fuqizim dhe komunitetet minoritare në Kosovë e kuptojnë rëndësinë e tij. Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian kanë organizuar dhe mbështetur iniciativa të shumta për të siguruar qasje në arsim për pjesëtarët e tyre. Kompania “Led-Com”, për shembull, në vitin 2020 u ka dhuruar dhjetë laptopë fëmijëve të këtyre komuniteteve në Gjilan, duke u mundësuar atyre që të marrin pjesë në arsimin online gjatë pandemisë COVID-19.

Dy shembuj të spikatur nga viti 2022 nxjerrin në pah përpjekjet kolektive në mbështetjen e arsimit. Iniciativa “MUSIC 4 ALL” [Muzikë për të gjithë], me seli në fshatin Plementinë, Komuna e Obiliqit, themeloi një shkollë të muzikës që ofron mësime falas për fëmijë dhe të rinj. Përmes një fushate për mbledhjen e fondeve në platformën Kosovaideas, ata mblodhën me sukses 5,000 euro për të realizuar “The Center Music 4 ALL”. Ky projekt novator fokusohet në kultivimin e talenteve muzikore, zhvillimin e punëtorive, kurseve instrumentale dhe orëve të këndimit, duke vënë theksin tek zhanret tradicionale të muzikës rome.

Një tjetër përpjekje e rëndësishme u drejtua nga OJQ-ja "Sakuntala", e cila mblodhi 850 euro përmes platformës së "crowdfunding" [financimi nga turmat/financimi kolektiv] Kosovaideas. Mjetet u përdorën për të ofruar aftësim profesional për gratë dhe vajzat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ky trajnim pesë-mujor, i organizuar nga Instituti "Yunus Emre" në Prizren, kishte për qëllim të rrisë zhvillimin ekonomik të grave dhe vajzave rome në komunën e Prizrenit duke promovuar artizanatet tradicionale.

Mbështetja për reagimin filantropik ndaj COVID-19

Një nga temat për të cilat komunitetet minoritare kanë kontribuar është reagimi filantropik ndaj COVID-19 në Kosovë.

Një nga shembujt është programi TER-KOS i zhvilluar në vitin 2020 nga Roma Veristas Kosovo për të siguruar që studentët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të jenë mjaftueshëm të informuar dhe të pajisur me masa sigurie për t'u mbrojtur nga përhapja e virusit.

Gjatë vitit 2021, Roma Veristas Kosovo, në bashkëpunim me Qendrën për Arsim të Kosovës - KEC, ka zbatuar Fondin Emergjent COVID-19 të financuar nga Fondi për Arsim i Romëve - REF. Një nga aktivitetet ishte dhurimi i 8 tabletave dhe pakove për lidhje interneti për studentët nga Fushë Kosova në qershor të vitit 2021.

Të dhuruarit për reduktimin e varfërisë

Trajtimi i varfërisë dhe përmirësimi i jetës së komuniteteve të cenueshme ka qenë një pikë kryesore për komunitetet minoritare në Kosovë. Shoqata Humanitare "Bereqeti", dega në Malishevë, ka marrë iniciativën për të dhuruar pako ushqimore dhe higjienike për dhjetë familje rome të përballura me kushte të rënda ekonomike në vitin 2020. Përkrahja nga donatorët e ndryshëm ka luajtur një rol vendimtar në realizimin e kësaj ndihme.

Në vitin 2020, në një akt tjetër zemërgjerësie, kompania “Agrovin” dhuroi 1,200 kg patate dhe maska ​​mbrojtëse për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian në Fushë Kosovë. Ky donacion trajtoi nevojat e atypëratyshme dhe ishte shëmbëlltyrë e frymës së unitetit dhe mbështetjes.

Burimi: help-kosovo.org

Në vitin 2021, Qendra Tregtare "Kampioni" luajti një rol jetik në ngritjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Podujevë. Ata dhuruan veshje dhe këpucë për 850 fëmijë të familjeve në nevojë, duke ofruar mbështetjen dhe ngrohtësinë shumë të nevojshme. Shpërndarjen e realizoi shoqata “Bereqeti”, dega në Podujevë, duke siguruar që donacionet të mbërrinin tek ata që kishin më shumë nevojë.

Përfundim

Komunitetet minoritare në Kosovë kanë një rol të rëndësishëm në ekosistemin filantropik, duke i dhënë në mënyrë kthyese shoqërisë dhe duke ndikuar thellësisht në jetën e individëve dhe komuniteteve. Këto histori frymëzuese të zemërgjerësisë dhe solidaritetit demonstrojnë fuqinë e përpjekjeve kolektive për të sjellë ndryshime domethënëse. Së bashku, këto komunitete kanë treguar se edhe veprimet më të vogla të mirësisë mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e të tjerëve.


Fotografia kryesoreMusic 4 All


Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).