Kosova Dhuron” është pjesë e “Giving Balkans” (Ballkani Dhuron) – një bazë e veçantë e të dhënave mbi filantropinë në Ballkanin Perëndimor, e cila ofron një pasqyrë të hollësishme të filantropisë në Kosovë. Duke ju ofruar juve dhe organizatës suaj këso informatash, ajo ju mundëson dhe ju fuqizon që të planifikoni aktivitete për mbledhjen e fondeve bazuar në të dhëna të vlefshme.

Duke përdorur “Kosova Dhuron”, ju mund:

  • Ta kuptoni në mënyrë gjithëpërfshirëse filantropinë në Kosovë;
  • Të identifikoni nismat e mbështetjes donatore të ngjashme me tuajën;
  • Të gjeni vendin tuaj në ekosistemin filantropik.

Të dhënat vizuele dhe raportet e lehta për përdorim ju mundësojnë të thelloheni në të dhëna se kush, si dhe çfarë shumash ka dhuruar që prej 2015-ës. Të dhënat mund t’i filtroni lehtë sipas:

  • Donatorëve
  • Përfituesve
  • Shumave të donacionit
  • Qëllimit të donacionit
  • Vendndodhjes
  • Afatit kohor

Metodologjia e “Kosova Dhuron” – Si mblidhen të dhënat?

Të dhënat në aplikacionin “Kosova Dhuron” mblidhen sipas metodologjisë së veçantë të Catalyst-it për Ballkanin, e cila përfshin monitorimin e mediave në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar, duke përfshirë mediat e shkruara, elektronike (radio dhe TV) dhe online gjatë gjithë vitit.

Burimi tjetër i të dhënave është komunikimi dhe verifikimi i drejtpërdrejtë nga donatorët dhe mbledhësit më të shquar të fondeve.

Më shumë rreth metodologjisë mund të lexoni në vegëzën këtu.

Pse është e rëndësishme të mblidhen të dhëna për filantropinë?

Shfrytëzimi i fuqisë së të dhënave është bërë një mjet i domosdoshëm për profesionistët e shoqërisë civile në Kosovë, dhe më poshtë do ta kuptoni pse.

  1. Të kuptuarit e mjedisit

Përftimi i një pasqyre gjithëpërfshirëse të mjedisit filantropik në Kosovë është një nga përfitimet kryesore të mbledhjes së të dhënave për filantropinë. Ju ose organizatat tuaja mund të shpërndani me kujdes burime duke përdorur këto të dhëna, duke gjetur zona të pashërbyera dhe duke u siguruar që iniciativat e tyre të kenë një ndikim të rëndësishëm.

  1. Transparenca dhe llogaridhënia

Besimi te bujaria ndërtohet mbi themelin e transparencës. Donatorët individualë ose të korporatave duan të dinë se donacionet e tyre kanë një ndikim të vërtetë. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë tregojnë përkushtimin e tyre ndaj llogaridhënies duke mbledhur dhe shkëmbyer informata rreth veprimtarisë së bamirësisë. Kështu ato përçojnë mesazhin: “Ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj dhe jemi të hapur lidhur me mënyrën se si përdoret ajo”.

  1. Identifikimi i trendeve dhe mundësive

Të dhënat janë më shumë se thjesht statistika; ato përmbajnë histori dhe trende që thjesht presin të zbulohen. Individët dhe organizatat e shoqërisë civile mund të dallojnë trendet e bamirësisë duke shqyrtuar të dhënat filantropike.

- A ka ndonjë kauzë të re që po bëhet tërheqëse?

- A ka lokacione që janë vazhdimisht të nënshërbyera?

Falë këtyre njohurive, ju si individ ose organizatë mund të qëndroni një hap para kurbës duke modifikuar taktikat tuaja për t'iu përshtatur kërkesave në ndryshim të komunitetit.

  1. Ndarja e burimeve që funksionon

Çdo punonjës i shoqërisë civile në Kosovë e di rëndësinë e shpërndarjes së duhur të burimeve, veçanërisht kur nuk janë të mjaftueshme për të gjithë. Duke përdorur të dhënat, organizatat mund të marrin vendime të mençura për mënyrën më të mirë të shpërndarjes së burimeve. Dhe kjo u shërben edhe individëve ose grupeve të tjera që duan të fillojnë të mbështesin një kauzë ose të adresojnë një problem në komunitetin e tyre.

  1. Motivimi për donatorët dhe partnerët

Donatorët frymëzohen të dhurojnë më shumë kur shohin dëshmi konkrete të ndikimeve të kontributeve të tyre. Ata mund të gjejnë sinergji dhe vende për të bashkëpunuar për të arritur rezultate më përmbajtësore.

Qasja në të dhënat e aplikacionit “Kosova Dhuron” 

Të emocionuar për të parë të dhënat? Më poshtë do të udhëzoheni hap pas hapi për t’iu qasur të dhënave të cilat mund t'ju ndihmojnë të merrni vendime të informuara dhe të krijoni strategji efektive për mbledhjen e fondeve për organizatën tuaj.

  • Hapi 1:

Hyni në aplikacion

  • Hapi 2:

Përzgjidhni vendin dhe vitin/vitet për të cilat i dëshironi të dhënat.

Do të merrni të dhëna të paraqitura vizuelisht.

  • Hapi 3:

Për të mësuar më tepër rreth donatorëve, shkoni në pjesën “Dhuruesit” ku mund të gjeni gjithçka rreth tyre.

  • Hapi 4:

Të dhënat mund t’i merrni, t’i kërkoni dhe t’i filtroni sipas kauzave të mbështetura në pjesën “Dhurimet”.

  • Hapi 5:

Të dhënat mund t’i kërkoni dhe merrni edhe sipas “Gjeografisë” dhe “Përfituesve”.

Opsioni “Kërkimi i Thellë” (Deep Search) është vendi ku mund të kërkoni sipas fjalëve kyçe ose frazave që ju interesojnë. Për shembull: shërbimet shëndetësore, dhurimi i shtëpive, nismat e komunitetit.

Kur t’i gjeni të dhënat që i kërkoni, mund t’i eksportoni dhe t’i ruani në kompjuter për më vonë, përmes opsionit “Shkarko”.

Aplikacioni përfshin edhe “CiviGraf” – një mjet i avancuar që ju mundëson të vizualizoni një rrjet kompleks donatorësh dhe përfituesish në një mënyrë tërheqëse dhe intuitive. Duke klikuar mbi nyjet në grafik, mund të eksploroni rrjetin dhe të gjeni donatorë dhe përfitues të mundshëm që u përkasin kritereve të ndryshme të zgjedhura në skedat e mëparshme. Nën grafikun, të gjitha donacionet që lidhen me nyjen e zgjedhur do të shfaqen në një tabelë.

Nëse dëshironi të jeni pjesë e bazës së të dhënave, mund t'i raportoni donacionet tuaja në këtë vegëz në çdo kohë.

Si mund t’u hyjnë në punë këto të dhëna OShC-ve (dhe të tjerëve)?

Për të gjitha organizatat e shoqërisë civile dhe mbledhësit individualë të fondeve, “Kosova Dhuron” është një mjet thelbësor që do t'ju ndihmojë të merrni vendime dhe të bëni strategji më të mira. Të dhënat në aplikacion japin një pasqyrë të tërësishme të kulturës së dhënies në rajon, duke ndihmuar në planifikimin e nismave filantropike brenda komunitetit tuaj. Duke ditur më shumë për mënyrën se si njerëzit japin dhe cilat kauza i mbështesin ata, ju mund të planifikoni nismat tuaja filantropike në mënyrë më të informuar në të ardhmen.

Përdorimi i të dhënave për filantropinë ju mundëson:

  • Të kuptoni trendet filantropike të viteve të mëparshme, duke shqyrtuar përfituesit, metodat dhe kauzat që kanë marrë mbështetje të konsiderueshme;
  • Të njoftoheni me shembuj të dhënies nga bota reale;
  • Të keni një pasqyrë më të gjerë të kulturës së dhënies në Kosovë;
  • Të bëni plane të reja për komunitetin tuaj, bazuar në të dhënat që merrni.

Përfundim

Të dhënat për filantropinë nuk kanë të bëjnë vetëm me statistikat; ato kanë të bëjnë me krijimin e një ndikimi më të rëndësishëm, ndërtimin e besimit dhe nxitjen e bashkëpunimit.

Filloni të përdorni aplikacionin “Kosova Dhuron”, një bazë e vlefshme të dhënash kushtuar veprimtarisë filantropike në Kosovë, zbuloni vendin tuaj në ekosistemin filantropik dhe zhbllokoni burimet dhe ekspertizën për kauzën tuaj.

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).