Nga viti 2013, kur Catalyst Balkans filloi monitorimin dhe regjistrimin e aktiviteteve filantropike në Kosovë, deri në vitin 2021, ne kemi regjistruar më shumë se 2000 donacione dhe kontribute të ndryshme për të mirën e përbashkët, nga të cilat mbi 500 ishin të destinuara për sektorin jofitimprurës.

Ndër vite, mbështetja për sektorin jofitimprurës ka zënë një vend të rëndësishëm në donacionet për të mirën e përbashkët dhe në vitin 2021 ka arritur nivelin më të lartë, si për shumën e dhuruar, ashtu edhe kur flasim për numrin e aksioneve bamirëse.

Kështu, më shumë se 1,680,000 euro u dhuruan për të mbështetur organizatat jofitimprurëse në vitin 2021 përmes 295 aksioneve të dhurimit.

Kush janë donatorët?

Lloji më aktiv i donatorëve ishin individët që iniciuan rreth gjysmën e të gjitha aksioneve filantropike. Sa i përket shumës së regjistruar, donatori më i rëndësishëm ka qenë sektori i biznesit, i cili ka dhuruar 63.2% të shumës totale.

Më shpesh, individët kanë dhuruar për të mbështetur uljen e varfërisë përmes punës së organizatave jofitimprurëse, ndërsa pjesa më e madhe e shumës së regjistruar kur është fjala për sektorin e biznesit është dedikuar për sipërmarrje shoqërore. Në këtë më së shumti ka ndikuar një donacion prej një milion euro, i cili në vitin 2021 ndryshoi tërësisht imazhin e filantropisë në Kosovë. Bëhet fjalë për donacionin nga kompania Frutex për Fondacionin Golden Eagle, falë të cilit u hap një ndërmarrje shoqërore - një fabrikë letre dhe ambalazhimi që do të punësojë personat me aftësi të kufizuar.

Sa i përket donacioneve nga qytetarët përmes donacioneve masive, pjesa më e madhe ishte për të mbështetur personat me probleme shëndetësore.

Si marrin mbështetje organizatat jofitimprurëse në Kosovë?

Numri më i madh i donacioneve është mbledhur përmes fushatave të ndryshme, ndërsa pjesën më të madhe të shumës së regjistruar e përbëjnë donacionet direkte.

Një shembull i një fushate të suksesshme është fushata e Fondacionit Labinot Tahiri, në kuadër të së cilës u mblodhën më shumë se 100,000 euro për të trajtuar dy persona të lënduar nga shpërthimi i një bombol gazi në Ferizaj.

Një numër i konsiderueshëm i donacioneve u mblodhën edhe përmes platformës crowdfunding Kosovaideas - në vitin 2021 ku përmes kësaj platforme u mblodhën më shumë se 36,000 euro për të zbatuar shtatë projekte.

Njëra prej fushatave është udhëhequr edhe nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë (17), e cila falë 15 mijë eurove të grumbulluara ka hapur një galeri të re (Galeria 17) për të tërhequr vëmendjen ndaj problemeve sociale dhe për të kontribuar në skenën e artit në Prishtinë.

Shembull i një fushate të suksesshme është shkolla e re private e muzikës në komunën e Gjakovës e quajtur In Tune, e cila u hap falë mbështetjes së donatorëve përmes platformës Kosovaideas, të cilët dhuruan për blerjen e pajisjeve dhe materialeve të nevojshme.

Cilat organizata dhe fondacione mbështet më shpesh komuniteti?

Numri më i madh i aksioneve bamirëse iu drejtua organizatave jofitimprurëse vendase (88.5%), ndërsa përqindja më e madhe e shumës së regjistruar i është dhuruar fondacioneve private (81.2%).

Disa nga organizatat dhe fondacionet që kanë marrë mbështetjen më të madhe në vitin 2021 janë Jetimat e Ballkanit, Bereqeti, Down Syndrome Kosova, Majka Devet Jugovića, Labinot Tahiri, Avni Hyseni, Golden Eagle dhe SOS Fshati i Fëmijëve Kosova.

Kë mbështet Kosova përmes punës së organizatave jofitimprurëse?

Kur shikojmë përdoruesit përfundimtarë të donacioneve, do të shohim se grupi më i mbështetur i përdoruesve janë personat ekonomikisht të cenueshëm (51.5%), personat me aftësi të kufizuara (13.6%) dhe personat me probleme shëndetësore (12.2%).

Një nga shembujt e aksioneve të suksesshme për përkrahjen e personave me probleme shëndetësore është fushata e Fondacionit Avni Hyseni për trajtimin e një personi me sëmundje të zemrës, gjatë së cilës janë mbledhur më shumë se 32 mijë euro me mbështetjen e donatorëve nga diaspora dhe vendorë.

Një shembull i përfitimeve për grupet e ndjeshme shoqërore është maratona humanitare, e cila u organizua në Prishtinë nga organizata Projekti 5 Cent dhe Kryqi i Kuq i Kosovës. Falë eventit u siguruan 700 pako për familjet e pafavorizuara në aspektin social dhe ekonomik.

Një shembull tjetër është aksioni sezonal i realizuar nga donatori Shaip Mikulovci, pronar i rrjetit të supermarketeve Interex dhe shoqatës Bereqeti, që ka siguruar 300 pako ushqimore për njerëzit në nevojë gjatë Ramazanit.

Si dhuron Kosova tek organizatat jofitimprurëse?

Në Kosovë (si në pjesën më të madhe të rajonit), donacionet e njëhershme kanë dominuar mbi ato strategjike për disa kohë. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e dhënies për organizatat jofitimprurëse - rreth 77.3% e veprave mbështetëse ishin një herë, kryesisht për ofrimin e mallrave të konsumit dhe trajtimeve mjekësore.

Megjithatë, falë donacionit të kompanisë Frutex për hapjen e një fabrike të re, donacionet strategjike gjeneruan pjesën më të madhe të shumës së dhuruar në vitin 2021.

Për informacion të detajuar mbi donacionet për mbështetjen e organizatave jofitimprurëse në Kosovë, shkarkoni infografikën tonë Dhurimi për shoqërinë civile në Kosovë në vitin 2021. Për një pasqyrë të detajuar të gjendjes së filantropisë në Kosovë, raporti ynë Kosova Dhuron 2021.

Për qasje ditore në të dhënat për dhënien filantropike, si në Kosovë ashtu edhe në mbarë rajonin, regjistrohuni në aplikacionin tonë Giving Balkans.

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).