Me 13 Maj në ora 11:00 deri me 14 Maj në ora 15:00 në Sheshin “ Zahir Pajaziti” dyqani Teshavesha ka sjellur Vikendin e Dizajnerëve. Në këtë ngjarje, dizajnerë të njohur të modës si Valdrin Sahiti, Vjollca Llapashtica, Enkeleida Shatri, Teuta Matoshi, Flutra Dedinja nga ZAM, Valon Osmani Mevdlude Llugiqi, Albina Dyla, Ardita Rizvanolli, Egzon Kazagiqi, Soxey dhe te tjere kanë dhuruar kreacionet e tyre falas për tu shitur me çmime simbolike në kuadër të tregut të hapur gjatë “ Vikendit të Dizajnerëve” në ndihmë të nënave dhe fëmijëve.Kjo ngjarje u mbështet nga Empoëer Private Sector dhe KAMA të cilët mundësuan pjesmarrjen e dizajnerëve dhe prodhuesëve vendor të tekstilit në një treg të hapur. 

Teshavesha është ndërmarrje shoqërore e themeluar nga fondacioni 'Aksioni për Nëna dhe Fëmijë' me qëllim të ngritjes së fondeve për të mbështetur programet shëndetësore për përmirësimin e jetëve të nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Idea për Vikendin e Dizajnerëve’ ka lindur në bashkëpunim të dyqanit bamirës Teshavesha dhe Adrian Berishës, dhe mbështetet nga Empower Private Sector dhe KAMA.

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjat e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës.