Bursat iu dhanë studentëve me prejardhje të paprivilegjuar më 21 shtator dhe përzgjedhja e 70 studentëve u bë në bazë të nevojës sociale si dhe suksesit akademik.

Fondacioni Leoron është një organizatë jofitimprurëse me seli në Shkup e cila është pjesë e Institutit Leoron nga Dubai. Fondacioni është i angazhuar për të eliminuar dallimet shoqërore brenda arsimit dhe për të siguruar qasje të barabartë në arsimin e lartë për qytetarët e të gjitha prejardhjeve.

"Misioni i Fondacionit Leoron është të promovojë zhvillimin akademik në komunitetet e tij. Unë jam i sigurt se secili nga ju do të kontribuojë në këtë mision nëpërmjet punës tuaj për shoqërinë tonë dhe komunitetin ku jetojmë ", tha Valjeta Jusufi, drejtore ekzekutive e Institutit Leoron.

 Procesi i përzgjedhjes nuk ishte i lehtë, pasi fondacioni mori mbi 700 aplikime. Kriteret e përzgjedhjes përfshijnë statusin social dhe ekonomik, si dhe regjistrimin akademik të secilit nxënës. Vlera e përgjithshme e bursave të ndara është rreth 70,000 EUR (4,300,000 MKD).

Fondacioni planifikon të vazhdojë misionin e tij për të ofruar mundësi më të mira arsimore për fëmijët dhe të rinjtë në Maqedoni, përmes nismave të ndryshme. Po ashtu ka mbështetur arsimin në fshatin SOS të fëmijëve në Maqedoni (SOS Detsko Selo) gjatë 18 muajve të fundit.