Rekordmeni Kosovar në xhonglimin e topit Agim Agushi theu një tjetër Rekord botëror. Ky aktivitet u mbajt në sheshin Nenë Tereza në Prishtinë, dhe kësaj radhë ishte më shumë se arritje. Të gjitha të ardhurat nga sponsorët vendor të aktivitetit do të shkojnë tek fëmijët me Autizëm dhe Sindromë Down.
Agushi ka veshur dhe zhveshur 50 fanella sportive përderisa po e mbante topin në lëvizje me kokë. Ky është rekordi i tij personal i 18-të, të cilin e dedikoi për një qëllim të mirë.
Atij i ishte kërkuar që këtë aktivitet ta bënte në Gjermani mirëpo pasi që vendosi që të ardhurat të dhurohen për Shoqatën Autizmi dhe Down Syndrome Kosova, ai e bëri në vend. “Në këtë mënyrë opinioni do të jetë më senzibilizues për këtë pjesë të shoqërisë” – tha ai. Gjithashtu, ai ftoi të gjithë sponsorët që të vazhdojnë të mbështesin këto dy shoqata edhe në të ardhmen.
Burim: ekonomiaonline.com