Thanas Dhespo sot i ka kaluar të 90-at, ndonëse mbi kurriz mban vuajtjet e 16 viteve në burgjet politike, të cilat diti t’i kthejë në shpresë dhe humanizëm.
Për shkak të moshës, por edhe të emocioneve, ai e ka të vështirë të shprehet me fjalë, por jo me shembuj në komunitet. Së bashku me Nicën, bashkëshorten e tij, ata vendosën të bëjnë diçka që rrallë ndodh në komunitetet tona, duke rikontruktoi hapsirat e pallatit ku jetonte, duke u bërë kështu një model për gjithë komunitetin.
Një pjesë të parave që mori për vitet e burgut, pas ndryshimit të ligjit në vitin 2014, sipas të cilit ish të dënuarit e gjallë e përfitonin të parët dëmshpërblimin, Thanasi i investoi jo në shtëpinë e tij, por në të mirë të komunitetit. Ai rikonstruktoi hyrjen dhe shkallët e gjithë pallatit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri një vizitë në shtëpinë e ish të përndjekurit politik, Thanas Dhespo, të cilit i dha edhe medalje e mirënjohjes së qytetit.
“Kjo është medalja e qytetit që Bashkia e Tiranës u jep qytetarëve të nderuar të saj. Unë doja të ta jepja personalisht e të të falenderoja në emër të të gjithë qytetit. Është e vërtetë se ti ke ndihmuar vetëm shkallën tënde, por ama frymëzimi vlen për të gjithë qytetin”, tha Veliaj teksa i dorëzoi medaljen e mirënjohjes.
Kryebashkiaku Veliaj shprehu bindjen se veprime të tilla, përveçse janë një ndihmë e mirë për përmirësimin e jetës në komunitet, shërbejnë edhe si frymëzim për të gjithë të tjerët, që pavarësisht vështirësive dhe sfidave që sjell jeta, mund të jenë gjithmonë të dobishëm për ta bërë qytetin më të mirë.
Burim: http://www.mapo.al/