Të Premtën me 31 Mars, Forumi për Iniciativa Qytetare në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Kryeministrisë mbajtën Konferencën Kombëtare të Filantropisë. Qëllimi i kësaj konference që u permend edhe gjatë diskutimit është jetësimi i trekëndëshit të bashkëpunimit ndërmjet sektorëve më të rëndësishëm të shoqërisë dhe pikërisht sektorit public, privat dhe civil, me qëllim të përfshirjes së gjithë shoqërisë kosovare në zhvillimin e qëndrushëm të Kosovës.

Në këtë konferencë u tha gjithashtu se bizneset në Kosovë janë të pa informuara për përfitimet që mund t’I kenë nëse investojnë në mënyre filantropike në projektet e ndryshme të shoqërisë civile, mirëpo një pengesë e tillë edhe pse nuk vjen drejtëpërdrejtë nga ligji, vjen si pasojë e procedurave të komplikuara administrative.

Drejtori në Zyrën për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se ky aktivitet ka për qëllim të shtjellojë roline Filantropisë në rritjen e bashkëpunimit ndër sektorial dhe të adresojë çështjet për zhvillim të qëndrueshëm të Filantropisë në Republikën e Kosovës.

“Filantropia fokusohet në përpjekje afatgjata për të adresuar origjinën e problemeve ekonomike, sociale, shëndetësore, mjedisore, arsimore e të tjera”- tha ai.

Drejtoresha ekzekutive e FIQ, Dajana Berisha tha se procedurat e komplikuara administrative dhe mungesa e informimit janë faktorët kryesorë që pengojnë zhvillimin e Filantropisë. Ajo tha se edhe pse legjislacioni në Kosovë lejon sponzorimet deri ne 10% të profitit nga korporatat, ky 10% nuk shfrytëzohet si pasojë e procedurave tejet të komplikuara administrative dhe mungesa e informimit të sektorit të biznesit për përfitimet nga investimet strategjike filantropike në projektet e ndryshme të shoqërisë civile.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha se sektori privat ka rol të rëndësishëm në mbështjetjen dhe promovimin e filantropisë në Republikën e Kosovës.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të BE-së, bizneseve, anëtarë të Këshillit për Bashkëpunim më Shoqërinë Civile dhe përfaqësues të tjerë me qëllim të zhvillimit të Filantropisë në Kosovë.