Nëse ke dëshirë të kujtosh një të afërm që nuk jeton më apo të shenjosh një përvjetor të bukur, mund t’i bashkohesh nismës më të re të Bashkisë së Tiranës: “Dhuro një Stol”.

Në Parkun e Madh të Liqenit janë vendosur tre stolat e parë, nga qytetarë të cilët janë bërë pjesë e nismës, aktivitet në të cilin mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Me këtë rast, kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme për të përkujtuar të afërmit e tyre, por njëkohësisht edhe duke kontribuar për qytetin.

Në kuadër të nismës “Dhuro një Stol”, Bashkia e Tiranës përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit nxit qytetarët të kontribuojnë edhe për Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës. Në dispozicion të të interesuarve do të jetë modeli i stolit dhe vendndodhja e detajuar në hartë, ndërsa gjatë procesit dhuruesi do të ndihmohet nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.