Një familje nga Banjaluka kaloi nëpër shumë vështirësi gjatë muajve të fundit: tre muaj pasi djali i tyre u diagnostikua me leukemi dhe filloi trajtimin, babai pëspi një problem të zemrës dhe pati një çarje të aortës. Banka Addiko, ku familja kishte një hua për shtëpi, dëgjoi për gjendjen e tyre dhe vendosi të shlyente plotësisht borxhin e tyre.
Radijan Dukic, babai i djalit, ishte klient i bankës Addiko në Banjaluka, dhe familja kishte arritur të paguante të gjitha këstet mujore të pagesave, por kishte vështirësi financiare pasi që ai nuk ishte në gjendje të punonte për shkak të gjendjes së tij shëndetësore; gruaja e tij gjithashtu nuk mund të punojë sepse duhet të kujdeset për bashkëshortin dhe djalin e saj të sëmurë. Familja gjithashtu ka një vajzë 10-vjeçare, e cila përpiqet të ndihmojë prindërit e saj sa më shumë që të jetë e mundur. Pas një artikulli i cili bëri rastin e familjes lajm, banka Addiko vendosi të ndërhynte në një gjest të dhembshurisë, për të lehtësuar të paktën një pjesë të barrës së klientit të tyre: ata shlyen borxhin e mbetur të familjes që arrinte shumën prej 42.000EUR (82.500BAM)
"Duke pasur parasysh situatën e vështirë të familjes Dukic, ne vendosëm të ndihmonim dhe të shlyenim plotësisht borxhin e tyre. Ne donim ta bënim trajtimin e fëmijës së tyre të paktën pak më të lehtë. Megjithëse zakonisht punojmë në projekte kolektive me përgjegjësi shoqërore, duke ndihmuar institucionet dhe organizatat, këtë herë kemi vendosur të bëjmë një përjashtim, duke pasur parasysh rrethanat e veçanta që Radijan Dukic, klienti ynë gjindet" - u shpreh Marko Ivankoviq nga Addiko Bank nga Banjaluka.
Familja shprehu mirënjohjen e tyre për këtë gjest fisnik dhe shtoi se do të bëjë jetën e tyre shumë më të lehtë, duke marrë parasysh kostot e larta të trajtimeve që duhet të paguajnë, por më e rëndësishmja, i bëri ata të kuptojnë se kanë miq dhe se ka njerëz bëmirës rreth tyre në këto momente të vështira.
Burim: https://www.fokus.ba/