Partnerët Shqipëri organizoi dje në mbrëmje ceremoninë gala ku u shpallën fituesit e konkursit “Çmimi i Filantropisë 2016”.

Prej vitit 2011 Partnerët Shqipëri organizon këtë konkurs publik mbarë kombëtar, për të vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen e falenderimin për individët, familjet dhe bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë tonë.

Në këtë ceremoni festive që përkoi me 15 vjetorin e krijimit të Partnerëve Shqipëri, morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga qeveria shqiptare, deputetë, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, institucione ndërkombëtare dhe agjenci donatore, përfaqësues të sektorit të biznesit, atij jofitimprurës dhe medias.

Fituesit e Çmimeve të Filantropisë 2016 janë si më poshtë:

Çmimi për Kontribut në Nivel Kombëtar iu akordua Balfin Group, me motivacion:

Për kontributin e gjithëanshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së individëve e komuniteteve, për mbështetjen e ideve inovatore të sipërmarrësve të rinj, për vëmendjen e vecantë të treguar ndaj institucioneve e organizatave që ofrojnë shërbime për fëmijët me sindromën Down, personat me çrregullime të spektrit autik, të moshuarit, e personat me sëmundje terminale, si dhe për ndjeshmërinë e treguar ndaj mbrojtjes së mjedisit. Çmimi u dorëzua nga Znj. Valentina Leskaj, Zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë.