Ndërsa mjedisi po bëhet çështja më e nxehtë globale, organizatat jofitimprurëse në të gjithë botën po bëjnë fushata për ajër dhe ujë më të pastër dhe japin kontributin e tyre për të rikthyer mjedisin në komunitetet e tyre.

Ta Pastrojmë Kosovën ka dhënë kontributin e saj duke organizuar vullnetarë për fushatat e pastrimit dhe ripyllëzimit dhe duke monitoruar zbatimin e ligjeve mjedisore nga qeveria.

Ne folëm për përvojën e tyre dhjetëvjeçare në aktivizmin mjedisor, sfidat me të cilat janë përballur dhe kontributin e tyre në peizazhin filantropik të Kosovës.

Si u krijua organizata juaj? Çfarë ka ndryshuar nga fillimi deri më sot?

Luan: Organizata jone është krijuar ne vitin 2011 fillimisht si grup joformal për të organizuar aksionin për pastrimin e Kosovës me 24 Maj 2012 si pjesë e aksionit global Let’s Cleanup World. E tillë ka vazhduar deri në vitin 2016 kur edhe jemi regjistruar si OJQ. Gjatë tërë këtyre viteve kanë ndodhur zhvillime dhe aktivitete të shumta dhe pothuajse jemi ndër të vetmet organizata që i kanë rezistuar kohës pa ndryshuar profilin e aktiviteteve, pra Ta Pastrojmë Kosovën njihet si organizatë për ruajtjen e mjedisit dhe organizimit të vullnetarëve.

Nëse flasim për ndryshime në gjendjen e mjedisit, që nga atëherë e deri më tani sigurisht qe ka përmirësime mirëpo mbetet edhe shume për tu bërë.

Cili ishte motivimi juaj për të punuar në sektorin jofitimprurës?

Luan: Motivi për të punuar në sektorin e OJQ-ve ka lindur nga nevoja për organizime te shoqërisë për të kontribuar për përmirësimin e situatës mjedisore në Kosovë si dhe për të avokuar tek institucionet për arritjen e një zgjidhje te qëndrueshme për mjedisin në Kosovë. Duke qenë në sektorin e OJQ-ve kjo është shumë më e lehtë për t’u arritur gjë që është dëshmuar në shumë shtete të Botës. Ta Pastrojmë Kosovën është pjesë e rrjetit global “Let’s Do It World” në të cilin bëjnë pjesë 175 shtete.

Si ndikoi kriza COVID-19 në punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj? Në cilat aktivitete jeni përqendruar kohët e fundit?

Luan: Pandemia ka ndikuar edhe tek organizata jonë, kemi qenë të detyruar ti reduktojmë aktivitetet, nuk kemi organizuar aksione të mëdha të pastrimit si që kemi bërë më herët. Shumë aktivitete janë realizuar përmes platformave online. Megjithatë, nuk është ndalur aktiviteti, në grupe të vogla kemi realizuar aktivitete të vazhdueshme e po ashtu vlen te përmendet që nga fillimi i pandemisë kemi themeluar grupin e vullnetarëve në Facebook i cili ka mbi 14 mijë anëtar dhe gjatë tërë kohës janë ofruar aktivitete të ndryshme për rastet në nevojë, biseda me psikolog, ndihmë në karantinë ne qendrën e studentëve si dhe shpërndarjen e shumë informacioneve në lidhje me çështje të caktuara të luftimit dhe parandalimit te pandemisë.

Në kohët e fundit jemi të përqendruar në fushatën “t’i japim vendit ngjyra” ku në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës synojmë mbjelljen e 1.8 milion drunjëve për 10 vitet e ardhshme. Po ashtu kemi vazhduar me aksione pastrimi të lokacioneve të ndryshme me mbeturina nëpër komuna, breze rrugore dhe lumenj.

Në cilat aktivitete jeni më shumë të përqendruar për momentin?

Luan: Ashtu siç e thamë më lartë, aktualisht jemi në realizim të fushatës për mbjelljen e drunjëve, aksione pastrimi po ashtu e bëjmë edhe monitorimin e zbatimit të udhëzimit administrativ për ndëshkimet me gjoba mandatore për ndotësit e mjedisit si dhe zbatimin e rregullores për rendin e brendshëm te Parqeve Kombëtare dhe dispozitave ndëshkimore të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës lidhur me veprimtaritë e ndaluara dhe degraduese për zonat e mbrojtura, dedikuar ekskluzivisht Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Si financohet organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj?

Luan: Organizata jonë kryesisht financohet nga grantet e donatorëve të ndryshëm të huaj dhe vendas, po ashtu kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm me disa prej bizneseve vendore të cilat rregullisht i financojnë aktivitetet tona, po ashtu aktivitetet tona mund të ndihmohen edhe nga qytetarët përmes platformës së mbledhjes së fondeve online globalgiving.org.

Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Kosovë?

Luan: Gjate tërë aktiviteteve tona ju kemi kushtuar shumë rëndësi kategorive të caktuara të shoqërisë, kemi organizuar aksione pastrimi dhe mbjellje nëpër lagje të ndryshme me komunitete në kushte të vështira. Ne gjithmonë jemi aty ku paraqitet nevoja, vullnetarët tanë kanë ndihmuar duke grumbulluar ushqime, rroba, mjete higjienike dhe duke i dërguar ato nëpër familje në nevojë. Kjo është bërë përmes grupit të vullnetarëve që e cekëm më lartë. Vlen të përmendet angazhim ynë edhe për të ndihmuar me rastin e tërmetit në Shqipëri në vitin 2019 ku kemi dërguar me dhjetëra kamionë me ndihma e po ashtu kemi shkuar edhe atje për të ndihmuar.

A bashkëpunoni me organizata të tjera jofitimprurëse? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë?

Luan: Ne kemi bashkëpunim me shumë OJQ në Kosovë, organizojmë aktivitete të përbashkëta siç është shënimi i ngjarjeve të kalendarit mjedisor por edhe në projekte tjera të fushës së mjedisit dhe vullnetarizmit. Ne jemi çdoherë aty ku ka aktivitete të kësaj fushe, pavarësisht se nga kush organizohen dhe kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen.

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?

Luan: Si çdo OJQ tjetër vendore edhe ne përballemi me mungesë të fondeve për realizimin e planeve dhe projekteve tona. Mjedisi vazhdon të përballet me probleme në Kosovë andaj ka shumë nevojë për rritje të aktiviteteve të OJQ-ve e nga ana tjetër fondet për mjedis janë shumë të limituara qoftë nga institucionet vendore qoftë nga organizatat ndërkombëtare.

Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vij në vazhdim?

 

Luan: Suksesi ynë më i madh është përzgjedhja jonë për koordinimin e ditës se pastrimit të botës në vitin 2019 , e po ashtu edhe fakti që ja kemi dalur të jemi konzistent në aktivitetet tona tash e 10 vite.

Ne do të vazhdojmë me aktivitete edhe në të ardhmen, jemi në përgatitje të një fushate avokimi e cila do ta ketë në fokus zbatimin e planeve, ligjeve, strategjive dhe dokumenteve ligjore për mjedisin.

Intervistë e realizuar me:

Luan Hasanaj – Drejtor Ekzekutiv

Shoqata Let’s do it – Ta pastrojmë Kosovën