Duke vepruar që nga viti 1999 si organizatë joqeveritare e përkujdesjes sociale e dedikuar për përkrahjen e fëmijëve të braktisur dhe në nevojë pa marrë parasysh etninë, kombësinë dhe besimin fetar, Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë tashmë është përkujdesur për mbi 1,500 fëmijë të braktisur dhe nevojtarë.

Misioni i fondacionit është të krijojnë familje për fëmijët në nevojë dhe t’i ndihmojnë ata që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, duke marrë pjesë edhe në zhvillimin e komuniteteve të tyre. Burim kryesor i financimit të SOS Fshatrave të Fëmijëve janë donacionet, sponzorimet, donacionet në mallra, si dhe shërbimet tjera nga i gjithë vendi.

Albana Zogu-Morina, udhëheqëse e Zhvillimit të Fondeve dhe Komunikimit, tregoi gjithçka për misionin, aktivitetet dhe funksionimin në përgjithësi të Fondacionit SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë.

Si u krijua Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë dhe si ka funksionuar vitet e para?

Albana: Fondacioni SOS Fshatrat e Fëmijëve fillimisht është krijuar në Imst të Austrisë, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Si rezultat i luftës kanë mbetur shumë fëmijë pa përkujdesje prindërore dhe në atë kohë, themeluesi i fondacionit Herman Gmeiner, duke qenë se është rritur pa përkujdesje prindërore, ka menduar se për ata fëmijë duhet të bëhet një zgjidhje tjetër prej stilit të jetimoreve, siç kanë qenë në atë kohë. Aty për herë të parë është dhënë koncepti i SOS Familjes, i familjes së një grupi më të vogël të fëmijëve që kanë kujdesin dhe dashurinë e familjes. Ndërsa, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë ka ardhur menjëherë pas luftës së fundit, më 1999, fillimisht si projekt emergjent. Ka funksionuar me dy shtëpi me qera, me nga 24 bebe. Në vitin 2004 është hapur SOS Familja e parë, është marrë fëmija i parë, pasi familja e tij nuk kanë qenë në gjendje të kujdesen për të. Pastaj në vitin 2007 e kemi hapur edhe Programin e Fuqizimit të Familjes, që ka për synim parandalimin e humbjes së kujdesit të fëmijëve, që nënkupton se familjet me të cilat ne punojmë dhe i mbështesim, i mbështesim në aspektin psiko-social, shëndetësor, e mbështesim edukimin e fëmijëve të tyre dhe punojmë që ata fëmijë mos të mbesin pa përkujdesje prindërore, por të rriten në gjirin e familjes së tyre. Prej vitit 2009 jemi regjistruar si fondacion vendor.

Si vijnë fëmijët në SOS Fshatrat? Çfarë kujdesi marrin?

Albana: Të gjithë fëmijët pa përkujdesje prindërore që janë pjesë e Programit të Kujdesit Alternativ, gjegjësisht SOS familjes, te ne vijnë përmes Qendrave për Punë Sociale (QPS), të cilat e kanë edhe kujdestarinë ligjore për të gjithë ata. Për të njëjtit ne e ofrojmë kujdesin e plotë, përfshirë strehimin, ushqimin, edukimin dhe mirë-rritjen e tyre. Ne krijojmë familje për fëmijët pa përkujdesje prindërore, duke e punësuar një SOS Nënë, misioni dhe puna e së cilës me të vërtetë është fisnik.

Pa mëdyshje e them se të gjithë fëmijët që rriten në SOS Familje tek ne, përveç kujdesit, sigurisë, mirëqenies që u sigurohet, SOS Nënat me të vërtetë u japin edhe dashuri dhe ne çdo ditë e shohim këtë më së miri. Madje, në rastet kur një SOS Nënë apo SOS Teze e ka ditëlindjen, shohim që fëmijët me iniciativën e tyre ia urojnë në forma të ndryshme, ashtu sikurse çdo fëmijë ia uron ditëlindjen nënës së tij/saj, apo festën e 8 marsit. Numri më i madh i fëmijëve që një SOS Nënë i ka nën kujdes është pesë. Fëmijët nuk janë të ndarë në bazë të moshës. Ajo çfarë për ne ka më shumë rëndësi, është që në rastet kur fëmijët janë vëllezër edhe motra biologjikë, të mos i ndajmë, pasi mendojmë se është e rëndësishme që ata të jenë bashkë dhe ta kultivojnë dashurinë ndaj motrës dhe vëllait edhe më tutje. Për më tepër, përkundër faktit se këta fëmijë rriten tek ne, ne vazhdimisht ua ruajmë kontaktet me familjarët e tyre që mund të kenë, qoftë familjarë të rrethit të ngushtë apo të gjerë. Vazhdimisht i dërgojmë në vizita tek ata dhe mundohemi që t’i vëmë në dijeni nga fillimi për rrënjët e tyre.

SOS Fshatrat e Fëmijëve, përveç Programit të Kujdesit Alternativ – SOS Familjeve për fëmijët pa përkujdesje prindërore, e ka edhe Programin e Fuqizimit të Familjes. Ky program mbështet fëmijët të cilët janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror, por edhe prindërit e tyre në Prishtinë, Graçanicë dhe Fushë Kosovë. Familjet të cilat janë pjesë e programit pothuajse në shumicën e rasteve janë të referuara nga QPS-të. Përmes këtij programi, ne ofrojmë shërbime psiko-sociale për fëmijët dhe familjet e tyre, si dhe përkrahim familjen në edukimin e fëmijëve të tyre, shëndetin e familjes, por edhe fuqizimin ekonomik të familjes.  

Si financohet fondacioni?

Albana: SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë financohet nga SOS-i i Norvegjisë një pjesë, që njëherit është financuesi ynë kryesor. Pjesën tjetër të fondeve e sigurojmë nga vendi ynë, duke filluar nga korporatat, individët, madje edhe prej fondeve publike një pjesë, për të mos thënë pjesën më të vogël.

Kemi partneritete afatgjata që kemi arritur me korporata të ndryshme, të cilat na mbështesin në vazhdimësi, tash e sa vite, qoftë me fushatën e kartolinave apo fushatat të tjera. Të njëjtat vazhdimisht i përgjigjen ftesës sonë. Madje, parku i cili gjendet përballë SOS Fshatrave, në zyrën qendrore, është investim i një korporate këtu në Kosovë dhe ata realisht kujdesen për mirëmbajtjen e kësaj pjesë çdo vit, duke i rregulluar edhe lodrat e dëmtuara.

Përveç pjesës me fonde, ne e kemi të zhvilluar edhe pjesën e vullnetarizmit. Patjetër, duke qenë se bëhet fjalë për fëmijë, janë disa kritere për vullnetarët që duhet plotësuar, sikurse plotësimi i aplikacionit dhe dokumente të tjera. Pjesa vullnetare është kontribut i rëndësishëm që ipet për organizatën tonë. Në të kaluarën vullnetarët kryesisht janë angazhuar në projektin “Dielli”, duke u kujdesur për foshnjat, pasi nuk kishim si ta mbulonim ndryshe këtë projekt. Tani vullnetarët kryesisht përfshihen në aktivitete të ndryshme. Ne si organizatë tentojmë që me përfshirjen e vullnetarëve në aktivitete të ndryshojmë dhe ndikojmë në dinamikat e familjes, ndaj edhe përfshirja e tyre organizohet kryesisht në aktivitete që realizohen në kuadër të programeve tona, pa prekur në asnjë moment konfidencialitetin dhe privatësinë e fëmijëve. Kjo  pasi që fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e organizatës.

Në të kaluarën, por edhe tani, kemi pasur persona te cilët përmes punës vullnetare kanë kontribuar me kurse të gjuhës angleze për fëmijët, kurse të gjuhës gjermane, kurse të muzikës, trajnime dhe kurse të ndryshme ekstrakurrikulare, që ndikojnë në ngritjen e shkathtësive të fëmijëve që janë pjesë e programeve tona. 

Si bëhet pranimi i fondeve dhe si përfshihet komuniteti në punën tuaj?

Albana: Besoj se ne si organizatë jemi shembull sa i përket mbledhjes së fondeve, pasi i kemi disa rregulla për pranimin e tyre. Në praktikë, këto rregulla shpeshherë na penalizojnë, por se për ne ka qenë shumë e rëndësishme të kemi kritere. Për shembull, ne nuk marrim fonde nga korporatat të cilat prodhojnë alkool, nga bizneset që e kanë bixhozin në qarkullim të tyre edhe bizneset e duhanit, për të vetmen arsye se këto të trija konsiderohen në shumë raste shkaktarë të prishjes së familjes, dhe ne si organizatë duke e pasur në fokus fëmijën dhe mirëqenien e tij/saj, konsiderojmë se nuk duhet asociuar me këtë grup të korporatave.

Çështja tjetër është se ne nuk pranojmë para në dorë. Cilado kompani që dëshiron të jap donacion, duhet që procedura të realizohet përmes bankës. Madje, të gjitha kompanitë apo individët që dëshirojnë raportim se si janë shpenzuar mjetet e tyre, ne e bëjmë atë raportim, i ofrojmë ato të dhëna.

E them realisht, se duke qenë transparent me pjesën e përdorimit të fondeve dhe duke i dërguar ato fonde aty ku janë të destinuara, ne i ndihmojmë filantropisë në Kosovë. Kjo gjë e rritë besueshmërinë e bizneseve dhe individëve, që të dhurojnë sa më shumë.

Tutje, ne veçse e kemi të përfshirë komunitetin në punën tonë. Përveç pjesës së vullnetarëve, ne kemi marrëveshje me universitete, të cilat vazhdimisht sjellin studentë për të qenë pjesë e praktikës tek ne. Madje, komuniteti përfshihet edhe në aktivitete tjera, kampanja të ndryshme të cilat i bëjmë të hapura për individë. Për të thënë më mirë, komuniteti mund të përfshihet  në të gjitha aktivitetet që i kemi, pasi në njëfarë forme e kemi edhe ndërgjegjësim të komunitetit dhe përfshirjen direkte. Të gjitha njoftimet për aktivitetet i bëjmë në rrjetet tona sociale, kurse pjesa e vullnetarizmit edhe në uebfaqen tonë.

Cilat janë disa prej sfidave me të cilat përballen SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë dhe cilin mund ta konsideroni suksesin më të madh?

Albana: Sfidën më të madhe e kemi pjesën e fondeve, që është sfiduese dhe që çdo herë duhet nisur nga fillimi, çdo vit. Sa i përket numrit të stafit, normalisht se gjithmonë ka nevojë, por se aktualisht jemi mirë, pasi me pjesën e punës vullnetare, praktikantëve që i kemi, i mbulojmë punët. Kurse  pjesën e aktivizmit dhe vullnetarizmit mund të them se e kemi më pak sfiduese, meqenëse kemi qenë të parët që kemi filluar me këtë formë dhe tashmë komuniteti ka mjaftueshëm njohuri për këtë.

Kur jemi tek suksesi, ndoshta jemi ndër organizatat e pakta që për të pasur sukses, atë çka ne e quajmë sukses, na duhen vite të tëra. Nëse më pyet mua si Albanë, suksesi më i madh është që deri më tash ne kemi arritur t’ua ndryshojmë jetën më shumë se 1,500 fëmijëve. Kemi ndikuar që jeta e tyre me qenë më e mirë, mirëqenia e tyre qoftë brenda familjes së tyre apo edhe në SOS Familje, apo pas largimit nga kujdesi alternativ, me qenë e mirë edhe e dinjitetshme. Kemi arritur që mbi 30 fëmijë deri tash t’i kemi tërësisht të pavarur dhe sot të njëjtit janë familjarë, janë prindër, janë anëtarë e kontribuues të kësaj shoqërie. Ky është suksesi më i madh i yni.

Cili është motivi juaj për të punuar në sektorin jofitimprurës? Avantazhet dhe sfidat e të qenit pjesë e një fondacioni kaq të madh dhe të njohur?

Albana: Motivi im më i madh është fakti se ti e ke mundësinë ta ndryshosh jetën dhe mirëqenien e dikujt, qoftë në rastin e fëmijëve, të grave apo një grupi tjetër.

Në organizata shpeshherë e ke mundësinë që t’i zgjerosh njohuritë dhe t’i ndërtosh shkathtësitë në fusha të ndryshme. Një pjesë tjetër është kultura që e kanë organizatat ose fondacioni jonë në veçanti, kultura organizative. Sfidat janë të panumërta shpeshherë në sektorin e OJQ-ve, qoftë si rezultat i fondeve apo çështjeve tjera që mund të dalin. Punën që e bëj unë si udhëheqëse për zhvillim të fondeve është shumë sfiduese. Ndonjëherë kur kontakton shumë kompani dhe asnjëra prej tyre nuk është e gatshme të kontribuojë për një kauzë siç e ka edhe fondacioni jonë, të dëshpëron shumë dhe të demotivon. Por, në anën tjetër kjo punë është shumë përmbushëse për mua. Kur sheh punën e madhe dhe rezultatet që arrihen me fëmijë, familje, por edhe përkrahjen që ne e kemi nga donatorët, vullnetarët që duan të jenë pjesë e misionit dhe kauzës sonë, kjo është jashtëzakonisht përmbushëse. 

Kjo intervistë është bërë e mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).


Meritat për fotografi: Arbër Gjoni