Rrjeti i Grave të Kosovës: Ne dëshirojmë të sigurojmë përfaqësimin e grave në proceset vendimmarrëse
I themeluar në vitin 1996, Rrjeti i Grave të Kosovës fillimisht ishte një rrjet joformal i grupeve dhe organizatave të grave nga rajone të ndryshme të Kosovës. Që nga fillimi i tij, RrGK është zhvilluar në një rrjet që avokon për gratë e Kosovës, në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar. Duke përfaqësuar interesat e 168 anëtarëve të tij, duke përfshirë organizatat e grave të të gjitha grupeve etnike nga mbarë Kosova, RrGK është lider në mesin e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë dhe rajon.
Në një intervistë me Etleva Malushaj, Koordinatore e projektit të Rrjetit të Grave të Kosovës "Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë" i mbështetur nga BE-ja, diskutuam motivimin e saj personal për t'iu bashkuar sektorit jofitimprurës, cilat janë aktivitetet e tyre aktuale, si dhe ajo spjegoi pse është e rëndësishme për rrjetin e tyre të forcohet lëvizja feministe në Kosovë.
Si u krijua shoqata juaj? Çfarë ka ndryshuar nga fillimi deri më sot?
Etleva: Në vitin 1996, organizata jonë ishte fillimisht një rrjet joformal i grupeve dhe organizatave të grave nga rajone të ndryshme të Kosovës. Mirëpo, në vitin 2003, aktivistet e shihnin të domosdoshme themelimin e një rrjeti më formal dhe të strukturuar. Prandaj, vendosën që t’a formojnë Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) që avokon në emër të grave në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar. Me kalimin e kohës, organizata jonë është rritur dhe zgjeruar dhe tani përfaqëson interesat e 168 organizatave anëtare duke përfshirë organizatat e grave të të gjitha grupeve etnike nga e gjithë Kosova. Në vitin 2012, RrGK krijoi Fondin e Grave të Kosovës (FGK), i cili siguron grante të vogla për organizatat e të drejtave të grave që synojnë avancimin e barazisë gjinore veçanërisht në zona rurale dhe për grupet e margjinalizuara.
Takimi i anëtarëve të RrGK
Cili ishte motivimi juaj për të punuar në sektorin jofitimprurës?
Etleva: Ky sektor ka pasur dhe vazhdon të ketë rëndësi të madhe në shtetndërtimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovës kanë krijuar hapësirë për të ngritur një spektër të gjerë të temave dhe çështjeve me rëndësi të cilat shpesh nuk janë popullore dhe nuk gjejnë mbështetje.
RrGK, ndër të tjerash, ka për qëllim që të sigurojë pjesëmarrje të barabartë aktive dhe efektive të grave dhe vajzave në jetën politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë. Ne avokojmë për të drejtat e grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e jetës. Tutje, organizata jonë punon për të fuqizuar lëvizjen e grave dhe vajzave përmes solidaritetit dhe mbështetjes reciproke. Po ashtu, RrGK angazhohet për të arritur përfshirjen e grupeve të grave në nisma rajonale dhe ndërkombëtare për promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë.
Si ndikoi kriza nga COVID-19 në punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj? Në cilat aktivitete jeni përqendruar kohët e fundit?
Etleva: Sigurisht që pandemia ka ndikuar në punën e organizatës tonë duke kufizuar aktivitetin dhe pamundësuar takimet fizike me anëtaret tona. Mirëpo, duke qenë në pyetje shëndeti publik, ne jemi munduar që punët dhe aktivitetin tonë t’a organizojmë online përmes platformave të ndryshme. Sigurisht që ne kemi qenë vazhdimisht të shqetësuara sepse pandemia ka vështirësuar më së shumti jetën e grave. Shëndeti i tyre ka qenë më i rrezikuar duke qenë se ato janë më të përfaqësuara në shëndetësi dhe sektore tjera esenciale. Shumë gra kanë humbur vendet e tyre të punës dhe janë përballur me vështirësi ekonomike. Po ashtu, gjatë kësaj kohe janë rritur rastet e dhunës në familje dhe gratë kanë qenë të rrezikuara, përveç pandemisë, edhe në ambientet e shtëpisë së tyre. Ne si organizatë e kemi përcjellur me kujdes situatën në Kosovë dhe për më tepër kemi përgatitur edhe një raport hulumtues “Pandemia nuk njeh gjini” në të cilin kemi bërë një analizë buxhetore duke vlerësuar reagimin e qeverisë së Kosovës ndaj pandemisë Covid-19 nga perspektiva gjinore.
Ekspozita e RrGK në Pejë 2019
Gjithashtu kemi avokuar në mënyrë aktive te Qeveria e Kosovës që të përfillen këto rekomandime duke përfshirë ndarjen e fondeve për të mbështetur gratë në nevojë gjatë situatave emergjente. Ne kemi ri-destinuar burimet që i kishim në dispozicion për të adresuar situatën e krijuar me Covid-19 posaçërisht duke lehtësuar kalimin e burimeve deri te organizatat e vogla të cilat punojnë me grupe të margjinalizuara në Ballkanin Perëndimor. Këto organizata kanë bërë përpjekje që të adresojnë dhunën në baza gjinore si dhe diskriminimin gjinor në lidhje me punën që është shtuar si rezultat i pandemisë dhe masave të ndërmarra nga qeveria. Përveç ofrimit së granteve, ne po ashtu kemi punuar me strehimoret dhe ofruesit e shërbimeve në Kosovë dhe në Serbi për të përpiluar udhëzuesin për tele-këshillim që do të mundësonte që gjatë izolimit gratë të përfitojnë këshillim psikologjik në një mënyrë të sigurt. Ne po ashtu kemi ngritur fonde që të sigurojmë pajisje digjitale për anëtaret tona gjatë kohës së pandemisë.
Në cilat aktivitete jeni më shumë të përqendruar për momentin?
Etleva: Misioni i Rrjetit të Grave të Kosovës është që të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia. RrGK e realizon këtë mision përmes shkëmbimit të përvojës dhe informatave, partneriteteve dhe rrjetëzimit, hulumtimeve, avokimit dhe shërbimeve.
Në drejtim të arritjes së misionit, RrGK ka përpiluar një Plan Strategjik për vitet 2019-2022. Kjo strategji udhëzon punën e RrGK-së gjatë kësaj periudhe dhe fokusohet në gjashtë fusha programore:
- Fuqizimi i Lëvizjes Feministe në Kosovë;
- Gratë në Politikë dhe Vendimmarrje;
- Të Drejtat e Grave në Kujdesin Shëndetësor;
- Jeta pa dhunë me bazë gjinore;
- Fuqizimi Ekonomik i Grave;
- Përmirësimi i Qasjes në Edukim Cilësor dhe të Ndjeshëm Gjinor;
Si financohet shoqata organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj?
Etleva: RrGK në përgjithësi mbështetet nga organizatat ndërkombëtare për fuqizimin e të drejtave të grave. Ne kemi edhe një grup të mbështetësve individual të cilët kontribuojnë në organizatën tonë. Më e rëndësishmja për ne është të kemi mbështetës që janë partnerë dhe punojnë me ne për të luftuar raportet tradicionale gjinore të pushtetit, duke synuar ndryshimet e nevojshme në shoqëri.
Çdo kush që beson në misionin tonë për një shoqëri të barabartë, mund të kontribuojë duke klikuar në këtë LINK.
Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Kosovë?
Etleva: Ne si organizatë konsiderojmë që është shumë e rëndësishme që të punohet dhe të kërkohet një orientim i ri që organizatat jofitimprurëse të kenë një financim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Meqë e kemi konsideruar filantropinë si një opsion të nevojshëm, ne kemi përpiluar përbrenda organizatës tonë një program të filantropisë i cili synon që të zhvillojë strategji për financime alternative për RrGK dhe organizatat tona anëtare. Në këtë përpjekje, ne jemi munduar që të bashkëpunojmë edhe me organizata të tjera dhe kemi qenë pjesëmarrës të disa aktivitete që kanë pasur për synim avancimin e filantropisë në Kosovë. Ne mendojmë se koordinimi në mes të organizatave të shoqërisë civile është vendimtare për të avokuar për një strategji më të gjerë filantropie në Kosovës. Ne jemi munduar që të promovojmë po ashtu edhe kuadrin ligjor ekzistues te sektori privat, përfshirë bizneset dhe individët. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rritet vetëdijesimi për mbështetje të programeve që kontribuojnë për komunitetin dhe mirëqenin e përgjithshme. Në vazhdën e punës tonë, ne së voni kemi përgatitur edhe një raport hulumtues “Ku janë paratë për të drejta të grave” i cili shqyrton trendet e financimit për organizatat e të drejtave të grave në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Si nisma konkrete, ne kemi punuar me organizatat tona anëtare dhe kemi organizuar fushata për mbledhje të fondeve nga bizneset lokale që të sigurohen fonde duke i dedikuar ato për bursa studimi për vajzat në fondacionin Buçinca si dhe strehimoret. Ne kemi një partneritet të vazhdueshëm me institutin “East-West Management” si një sponsor fiskal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i'u mundëson njerëzve atje të bëjnë donacione të liruara nga taksat. Po ashtu, kemi ndërtuar një grup të mbështetësve individual të cilët kanë mbështetur punën e organizatës tonë për shumë vite. RrGK po punon vazhdimisht që t’a zgjerojë këtë grup duke u munduar që të inkurajojë edhe persona tjerë ta mbështesin kauzën tonë.
A bashkëpunoni me organizata të tjera ? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë?
Etleva: Përderisa ne funksionojmë si rrjet i organizatave tona anëtare, ne domosdoshmërisht jemi në bashkëveprim të vazhdueshëm me organizatat e grave, gjithashtu anëtare tona. Megjithatë, ne bashkëpunojmë ngushtë edhe me organizata të tjera të shoqërisë civile për çështje të cilat i përfshijnë interesat e grave dhe vajzave në Kosovë dhe më gjerë. Si shembull aktual mund t’a marrim nismën e krijimit të një platforme të organizatave të shoqërisë civile, për të kërkuar llogaridhënie dhe transparencë në Dialogun Kosovë-Serbi. RrGK, si pjesë e kësaj Platforme sigurohet që të përçojë prioritetet e grave dhe vajzave si dhe të kërkojë përfshirje të barabartë të tyre në këtë proces.
Si pjesë e raporteve hulumtuese, ne kemi punuar edhe me grupe të grave nga rajoni dhe me bashkëpunëtore globalë në mënyrë që të avokojmë për financim më cilësor të organizatave të grave dhe lëvizjeve feministe.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?
Etleva: Sfidë kryesore mbetet ç’rrënjosja e normave shoqërore dhe kulturore të cilat pamundësojnë përfshirjen e barabartë të grave dhe vajzave në sferën publike duke iu garantuar atyre një jetë të dinjitetshme dhe pa dhunë. Problematike mbetet edhe mungesa e zbatimit të ligjit për barazi gjinore që garanton përfshirje të barabartë të grave në proceset vendimmarrëse.
Sfidë tjetër është edhe fakti që organizatat e shoqërisë civile të grave në nivel lokal dhe qendror vazhdojnë të përballen me vështirësi financiare. Qasja në financim ka qenë edhe më problematike për organizatat që punojnë në zona rurale dhe ato të grave me aftësi ndryshe e që luajnë një rol vendimtar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave. Tutje, vështirësi krijohen kur mungon harmonizimi i kornizës ligjore dhe lehtësim të procedurave që inkurajojnë mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile nga individë e komuniteti i biznesit.
Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vijë në vazhdim?
Etleva: RrGK ka kontribuar me propozime gjatë hartimit të disa ligjeve dhe politikave nga perspektiva gjinore duke përfshirë ligje shumë të rëndësishme që e adresojnë dhunën në baza gjinore. Një sukses i rëndësishëm është edhe fuqizimi i lëvizjes feministe në Kosovë duke ngritur vazhdimisht numrin e vajzave dhe djemve që janë pjesë e kësaj lëvizjeje.
Që nga paslufta, aktivistet e Rrjetit kanë punuar dhe avokuar për të pasur kuotë gjinore që të sigurohet përfshirja e grave në politikë. Pas themelimit, RrGK ka ndërmarrë shume iniciativa për të siguruar përfaqësimin e grave në proceset vendimmarrëse. Një sukses i jashtëzakonshëm ishin zgjedhjet e vitit 2021, në të cilat 43 gra u zgjodhën deputete në Kuvendin e Kosovës, një rritje nga 32.5% në 35.8%. Në këto zgjedhje, 34 gra u zgjodhën deputete pa pasur nevojë për kuotë gjinore. Ky rezultat ka treguar që kuota gjinore ka krijuar mundësi për gratë që të përfshihen në proceset politike. Në disa raste, gratë që kanë fituar mandatin për herë të parë përmes kuotës, në zgjedhjet e radhës kanë arritur të fitojnë përmes votës popullore pa pasur nevojë për kuotë.
Së fundi, për herë të parë, RrGK, përmes FGK-së, është duke u ofruar organizatave anëtare mbështetje organizative, që nënkupton se organizatat anëtare mund të përfitojnë mbështetje thelbësore për t’u mundësuar atyre që të realizojnë planin dhe synimet e përgjithshme strategjike për barazi gjinore.
Leave a comment