Intervistat me shumë organizata jofitimprurëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor gjatë vitit aktual dhe atij të kaluar na dhanë një pasqyrë pak më të qartë se si po përballen ato me pasojat e pandemisë. Si duken aktivitetet e tyre të rregullta? Si vazhduan me zbatimin e programeve të tyre? Sa kërkuese ishte kalimi nga bota fizike në atë online pa evituar format e shumta të mbështetjes që ata ofrojnë për përdoruesit e tyre?

Disa nga përgjigjet do t'i gjeni në këtë tekst, ku Shoqata MoSt nga Kroacia, Žene Bara nga Mali i Zi, KRIK nga Maqedonia e Veriut dhe Rrjeti i Grave të Kosovës na mundësuan të mësojmë disa nga shembujt e praktikave të përdorura në rajon, si dhe mënyra për t'iu përshtatur rregullave të reja të pandemisë së virusit KOVID-19.

Në një bisedë me Shoqatën MoSt, një organizatë jofitimprurëse nga Spliti me aktivitete lokale, rajonale dhe kombëtare të bazuara në vlerat e punës vullnetare, solidaritetit, respektimit të diversitetit dhe të drejtave të njeriut, Gjordana Barbariq, drejtuese e Qendrës për Njohuri për Përfshirje Sociale dhe Reduktim të Varfërisë, zbuluan se si kriza nga KOVID-19 ndikoi në punën e tyre. Mësuam se si ka ndryshuar puna e tyre dhe në cilat aktivitete ata ishin më të fokusuar në fillimet e pandemisë.

Gjordana: Gjatë vitit të pandemisë, ne u përballëm, si të gjithë qytetarët e botës dhe si shumë në profesionet ndihmëse, me rrethana krejtësisht të reja në punën me përdoruesit tanë. Ishte një sfidë e madhe të sigurohen kushtet epidemiologjike në qendrën tonë për të pastrehët, të sigurohemi që gjithçka të funksionojë pa probleme, kryesisht për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për ata që janë në rrugë.

Nuk ka periudhë “izolimi” në kujdesin social; përdoruesit tanë kanë nevojë për ushqim dhe akomodim të përditshëm. Fëmijët dhe familjet me të cilat punojmë kanë nevojë për mbështetje psiko-sociale, ndaj filluam të përdorim teknologjinë e internetit dhe siguruam mënyra të ndryshme kontakti. Kemi kryer këshillime në online dhe drejtpërdrejt me të gjitha masat mbrojtëse, kemi lidhur vullnetarë dhe fëmijë e të rinj nga programi i Qendrës sonë për Mbështetjen e Fëmijëve dhe të Rinjve me Probleme të Sjelljes dhe kemi ofruar asistencë të përditshme të të mësuarit dhe mbështetje nga bashkëmoshatarët.

Kjo periudhë hapi gjithashtu shumë pyetje se si sistemi ynë i mirëqenies sociale mund të funksionojë më mirë dhe në mënyrë më efikase. Kemi shkruar thirrje për institucionet kompetente, kemi promovuar solidaritetin qytetar përmes rrjeteve sociale dhe kemi inkurajuar filantropinë qytetare në rrethanat e reja. Ne frymëzuam punën në rrjetet që nisëm në nivel kombëtar (Rrjeti kroat për të pastrehët, Rrjeti kroat i vetë-shërbimit social), zhvilluam aksione të përbashkëta, tryeza të rrumbullakëta, konferenca...

Një rrethanë e re e shkëlqyer në këto kohë të vështira ishte mundësia e mësimit dhe trajnimit falas përmes webinareve dhe ZOOM-it dhe platformave të tjera, dhe në fakt gjatë këtij viti të vështirë 2020, ne nuk u ndalëm dhe bëmë gjithçka për të bërë hapa në "normalitetin e ri". Gjatë vitit 2020, kemi përgatitur qindra “pako kovid” në çanta me të gjitha rekuizitat e nevojshme për ruajtjen e higjienës dhe respektimin e masave epidemiologjike dhe ua kemi shpërndarë përdoruesve që nuk kanë mjetet personale për ti siguruar ato. Ne morëm gjithashtu një çmim nga Fondacioni Belg dhe financime të reja për të njëjtat aktivitete dhe të ngjashme që synojnë grupet e rrezikuara për këtë hap para.

Shoqata e Grave të Tivarit nga Mali i Zi shprehu se pandemia i shtyu ato të mendojnë më thellë. Lexoni detajet më poshtë në përgjigjet e kryetares së kësaj shoqate, Ljiljana Vujoviq.

Ljiljana: Fillimi i pandemisë na ka shtyrë të mendojmë thellë se çfarë dhe si të vazhdojmë. Pezullimi i transportit publik bëri të pamundur arritjen e përdoruesve tanë në Kuzhinën Kombëtare. Nevoja për ushqim dhe ndihmë për shumë familje papritmas u trefishua, dhe ne duhej të gjenim një mënyrë për t'u përgjigjur dhe për të ndihmuar. Meqenëse nuk kemi një mjet transporti, ushqimet i kemi çuar vetëm te dera pa mbushur.

Duke qenë se në Tivar nuk kishte maska mbrojtëse, brenda 12 orëve mblodhëm një grup vullnetarësh të cilët qepën mbi 10,000 maska, të cilat ua dhuruam të gjithëve që na kontaktuan, nga punonjësit mjekësorë e deri te bashkëqytetarët që erdhën në derën tonë.

Jemi shumë krenarë për mundësinë që kemi për të ndihmuar një njeri pa përkrahje, të panjohur në vitin më sfidues. Nuk mund të kishim fonde për t'i dhuruar Spitalit një aparat respirator apo diçka të ngjashme, por dhuruam atë që mundëm.

Vullnetarja e shoqatës, Aleksandra Gvozdenoviq Kosoviq, shton se pandemia ndryshoi jetën e të gjithëve, madje edhe prioritetet e tyre.

Aleksandra: Pandemia na e bëri të pamundur realizimin e shumë gjërave që na sillnin të ardhura, si shitjet në pazaret humanitare dhe lloje të ndryshme manifestimesh. Megjithatë, qepja e maskave, grumbullimi i sendeve ushqimore, paketimi i paketave me ndihma në ushqim, produkteve higjienike, blerja e ilaçeve, druve për ngrohje, mjeteve mjekësore dhe shpërndarja e gjërave të lartpërmendura ishte një pjesë e përditshme e shoqatës sonë.

Në një intervistë me Qendrën për Aktivizëm Rinor KRIK nga Maqedonia e Veriut, nga drejtoresha ekzekutive Mila Karadafova mësuam se transferimi i aktiviteteve nga hapësira fizike në botën digjitale është një nga mënyrat për të vazhduar punën.

Mila: Aktivitetet që planifikonim të realizonim me prezencë fizike i transferuam në internet. Programet shkollore aktualisht janë online. Vetëm një shkollë i organizon ato me prezencë fizike. Stafi i zyrës u kthye fizikisht në punë në fillim të vitit 2021 dhe vazhdon të punojë me kapacitet total. Një nga aktivitetet që e shtymë për një kohë ishte Korpusi Europian i Solidaritetit, ku na u desh të vononim fillimin e aktiviteteve vullnetare për vullnetarët që do të bëjnë punë vullnetare në planin afatgjatë për të ardhmen. Tani jemi në gjendje të pranojmë vetëm vullnetarë afatshkurtër.

Aktualisht, disa nga projektet në të cilat po punon KRIK janë KA2 nga programi Erasmus +. Vetë projektet janë krijuar për të zbatuar rezultate intelektuale, në mënyrë që një pjesë e punës të ecë pa probleme. Në këto projekte ne kemi çuar përpara takimet me partnerët dhe deri atëherë po takohemi online.

Intervista me Rrjetin e Grave të Kosovës na dha një pasqyrë të perspektivës së tyre të prezantuar nga Etleva Malushaj, koordinatore e projektit "Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë" të mbështetur nga BE-ja.

Etleva: Sigurisht që pandemia ndikoi në punën e organizatës sonë duke kufizuar aktivitetin tonë dhe duke parandaluar takimet fizike me anëtarët tanë. Megjithatë, sa i përket shëndetit publik, ne jemi përpjekur që punën dhe aktivitetet tona t'i organizojmë online përmes platformave të ndryshme. Natyrisht, ne ishim vazhdimisht të shqetësuar, sepse pandemia po ua vështirësonte jetën e grave. Shëndeti i tyre është më i rrezikuar sepse janë më të përfaqësuara në shëndetësi dhe sektorë të tjerë jetik. Shumë gra humbën punën dhe u përballën me vështirësi ekonomike. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe janë shtuar rastet e dhunës në familje, ndërsa gratë përveç pandemisë janë të rrezikuara edhe në ambientet e shtëpive të tyre. Si organizatë, ne kemi monitoruar me kujdes situatën në Kosovë dhe kemi përgatitur një raport hulumtues, “Pandemia nuk njeh gjini”, në të cilin kemi bërë një analizë buxhetore që vlerëson reagimin e Qeverisë së Kosovës ndaj pandemisë Kovid-19 nga perspektiva gjinore.

Ne gjithashtu kemi avokuar në mënyrë aktive në Qeverinë e Kosovës që t'i marrë parasysh këto rekomandime, duke përfshirë ndarjen e fondeve për mbështetjen e grave në nevojë gjatë situatave emergjente. Ne kemi rialokuar resurset që kemi në dispozicion për të trajtuar situatën e krijuar nga Kovid-19 në mënyrë specifike duke lehtësuar transferimin e resurseve tek organizatat e vogla që punojnë me grupet e margjinalizuara në Ballkanin Perëndimor. Këto organizata kanë bërë përpjekje për të trajtuar dhunën me bazë gjinore si dhe diskriminimin gjinor në lidhje me punën që është rritur për shkak të pandemisë dhe masave të marra nga qeveria. Përveç dhënies së granteve, ne kemi punuar gjithashtu me strehimoret dhe ofruesit e shërbimeve në Kosovë dhe Serbi për të zhvilluar një udhëzues tele-këshillimi që do t'u mundësonte grave të marrin këshillim psikologjik gjatë izolimit në mënyrë të sigurt. Ne gjithashtu kemi mbledhur fonde për të siguruar pajisje digjitale për anëtarët tanë gjatë pandemisë.

Është me rëndësi të madhe që organizatat e përmendura nga rajoni të jenë të lidhura me solidaritet dhe mbështetje të ndërsjellë në gjetjen e një zgjidhjeje për reduktimin e pasojave të pandemisë. Kohët e fundit kemi shkruar për solidaritetin gjatë kësaj periudhe në Ballkanin Perëndimor - për virusin Kovid-19, largimin e efekteve duke mbështetur komunitetet dhe të dhënat kërkimore për dhurimin për të mirën e përbashkët. Zbuloni më shumë në Reagimi i Filantropisë ndaj Kovid-19 në Ballkanin Perëndimor.

Nëse organizata juaj dëshiron të ndajë historinë e saj të përshtatjes ndaj kushteve të pandemisë, na shkruani në hello@catalystbalkans.org.