Kryqi i Kuq i Kosovës që nga viti 1945 ka ndihmuar kategoritë më të rrezikuara në Kosovë dhe përpiqet ta përmirësojë komunitetin e saj.
Armend Shala, zyrtar për media dhe marrëdhënie me publikun, na tregoi gjithçka për misionin, aktivitetet, parimet dhe punën prej gati tetë dekadash të Kryqit të Kuq të Kosovës.
Si u krijua organizata juaj? Cila ishte ideja juaj kryesore kur themeluat organizatën? Si u zhvillua misioni juaj me kalimin e kohës?
Armend: Kryqi i Kuq i Kosovës, është e vetmja Shoqatë Kombëtare në Republikën e Kosovës e themeluar në vitin 1945, e cila zhvillon programe dhe veprimtari brenda kornizave të përcaktuara me Ligjin nr. 03/L-179 për Kryqin e Kuq të Kosovës, rregullave dhe rregulloreve të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Republika e Kosovës e njeh Kryqin e Kuq të Kosovës, Shoqatë Kombëtare autonome e cila punon për të mirën publike, si ndihmëse e autoriteteve të angazhuara në sferën humanitare. Kryqi i Kuq i Kosovës respekton dhe udhëhiqet në veprimtarinë e vet nga Parimet Themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq/Gjysmëhënës së Kuqe dhe të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare.
Cili ishte motivimi juaj PERSONAL për të punuar në sektorin jofitimprurës?
Armend: Motivi im kryesor është Misioni i Kryqit të Kuq të Kosovës: “Lehtësimi i vuajtjeve të individëve dhe komuniteteve të rrezikuara, përmes programeve të fokusuara, me prioritet dhe të qëndrueshme, si ndihmëse e autoriteteve qendrore e lokale, në pajtim me Parimet Themelore të Lëvizjes së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.”
Si ndikoi kriza COVID-19 në punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj? Në cilat aktivitete jeni përqendruar kohët e fundit?
Armend: Kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19, bëri që Kryqi i Kuq i Kosovës të luaj një rol të rëndësishëm në ndihmë të popullatës së rrezikuar, familjeve me gjendje të rëndë ekonomike, grupeve më të rrezikuara (personat e moshuar të vetmuar, personat me nevoja të veçanta, viktimat e dhunës në familje) si dhe ndërgjegjësimin e popullatës për Covid-19 dhe vaksinimin anti-covid-19.
Në cilat aktivitete jeni fokusuar më shumë për momentin? Cilat janë qëllimet më të rëndësishme që keni planifikuar të arrini në të ardhmen?
Armend: Kryqi i Kuq i Kosovës është i fokusuar në arritjen e objektivave të strategjisë zhvillimore 2020-2030 në:
- Mbrojtja e jetëve, mjeteve të jetesës dhe avancimi i sistemit të rimëkëmbjes nga fatkeqësitë, pandemitë, epidemitë dhe krizat.
- Mundësimi i një jetese të shëndoshë dhe të sigurt.
- Mirëqenie Sociale për grupet e cenuara.
Si financohet organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj?
Armend: Kryqi i Kuq i Kosovës siguron mjete financiare nga:
- anëtarësimi në Kryqin e Kuq të Kosovës;
- veprimtaritë për realizimin e të cilave Republika e Kosovës, personat fizik dhe juridik ia besojnë Kryqit të Kuq të Kosovës;
- aktivitetet tradicionale;
- donacionet nga personat fizik dhe juridik të Republikës së Kosovës dhe shteteve të jashtme;
- të hyrat nga realizimet e programeve dhe projekteve të kontraktuara me marrëveshje të bashkëpunimit me ministritë përkatëse dhe partnerët e brendshëm dhe të jashtëm;
- Kryqi i Kuq i Kosovës nuk pranon donacione që drejtpërsëdrejti burojnë nga të ardhurat e veprimtarive që bien ndesh me parimet themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Kosovë?
Armend: Kryqi i Kuq i Kosovës kontribuon përmes korrektësisë, transparencës dhe bashkëpunimit me institucione dhe qytetarë, motivimi i vullnetarëve dhe qytetarëve përmes angazhimit të tyre në aktivitetet e përditshme të Kryqit të Kuq të Kosovës.
Si e përfshini komunitetin tuaj në punën tuaj dhe pse është kjo e rëndësishme? Çfarë sjell kjo mbështetje për organizatën tuaj?
Armend: Shoqata Kombëtare e Kryqit të Kuq të Republikës së Kosovës zotohet dhe punon në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve për të siguruar masa stimuluese për vullnetarët dhe komunitetin në mënyrë që ata të bëhen pjesë integrale e organizimit.
A bashkëpunoni me organizata të tjera jofitimprurëse? Si? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë?
Armend: Kryqi i Kuq i Kosovës ka bashkëpunim me OJQ vendore dhe ndërkombëtare në fushën humanitare. Bashkëpunimi realizohet përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit për aktivitetet e caktuara në interes të komunitetit.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?
Armend: Ndër sfidat më kryesore të Kryqit të Kuq të Kosovës është pranimi me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), Unifikimi i një Shoqate Kombëtare të Kryqit të Kuq në vendin tonë.
Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vij në vazhdim?
Armend: Si suksesi më të madh konsiderojmë profesionalizmin, transparencën, besueshmërinë dhe bashkëpunimin me komunitetin dhe rritjen e filantropisë në Republikën e Kosovës.
Shoqata Kombëtare e Kryqit të Kuq të Kosovës është në pozitën më të mirë për të identifikuar dhe adresuar shkaqet themelore të cenueshmerisë së komunitetit. Kjo njohuri bazë kontribuon në zhvillimin e projekteve dhe programeve të qëndrueshme dhe rritë mundësinë e ndikimit më afatgjatë.
Leave a comment