Trendet e pranuesve të dhurimit në Kosovë 2019-2023 

Grafiku 1. Trendet në llojet e pranuesve 2019 – 2023 (% e rasteve)
Shkarkoni infografikën në PDF 

Shumica e rasteve të donacioneve i drejtohen tradicionalisht individëve ose familjeve, me përjashtim të vitit 2022, kur Organizatat Jofitimprurëse morën shumicën (53.6%) e donacioneve. Megjithatë, Individët ose Familjet ishin sërish kategoria më e mbështetur në vitin 2023, me 52.6% të rasteve të donacioneve të përfituara. 

Sa i përket vlerës së dhuruar, Organizatat Jofitimprurëse kanë tërhequr pothuajse 60% të donacioneve, një përqindje e ngjashme me atë të një viti më parë. Gjysma e kësaj mbështetje kishte në shënjestër programet e lehtësimit të varfërisë, ndërsa 44% ishin të orientuara drejt mbështetjes së grupeve të margjinalizuara. Institucionet publike (duke përfshirë qeveritë lokale) ruajtën një trend konstant në tri vitet e fundit, me pothuajse 95% të të gjithë shumës së dhuruar për ta mbështetur menaxhimin e fatkeqësive natyrore/urgjencave, me shumë gjasa të lidhura me përmbytjet që ndodhën në janar të vitit 2023. Kategoria Individët dhe Familjet mblodhi 15% të vlerave të dhuruara, nga të cilat 72.1% e shumës së dhuruar synonte çështje të lidhura me kujdesin shëndetësor. 

Grafiku 2. Shpërndarja e dhurimit sipas llojit të pranuesve 2023 
Shkarkoni grafikun në PDF 
 
Si ka rrjedhur dhurimi nga donatori tek pranuesi në vitin 2023 

 

Grafiku 3. Rrjedha e dhurimit nga lloji i donatorëve te lloji i pranuesve sipas numrit të rasteve në vitin 2023 
 
Dhurimi për organizatat jofitimprurëse1 

Tradicionalisht, filantropia në Kosovë ka përfshirë kryesisht dhurimin e drejtpërdrejtë për individët dhe familjet. Megjithatë, pas një rritje të vëmendjes, një zhvendosje e konsiderueshme ndodhi në vitin 2022, kur shumica (53.6%) e rasteve të donacioneve u drejtuan drejt organizatave jofitimprurëse. Në vitin 2023, frekuenca e dhurimit për organizatat jofitimprurëse ra me më shumë se 15%. Pavarësisht kësaj, roli i domosdoshëm i OSHC-ve në Kosovë dëshmohet edhe një herë përmes përkushtimit të tyre ndaj njerëzve në nevojë, pasi pjesa e vlerës së fondeve të mbledhura nga organizatat jofitimprurëse në vitin 2023 mbeti e konsiderueshme, duke ruajtur epërsinë e tyre sa i përket vlerës së donacioneve. Nominalisht/formalisht, OSHC-të dhe fondacionet private morën dy herë më shumë se një vit më parë, ku vetëm Shoqata “Jetimat e Ballkanit” mblodhi gati 4.5 milionë euro. 

Donacionet e kanalizuara përmes punës së organizatave jofitimprurëse pothuajse ekskluzivisht u janë drejtuar njerëzve në nevojë ekonomike përmes nismave për lehtësimin e varfërisë. Donatorët më të shpeshtë që kanalizuan donacionet e tyre përmes organizatave jofitimprurëse ishin qytetarët dhe individët e njohur, ndërsa qytetarët përmes dhurimit masiv individual ishin kontribuuesit kryesorë për nga vlera monetare. 

1 Nën termin organizata jofitimprurëse, Catalyst Balkans njeh këto lloje të organizatave: shoqata vendore, shoqata të huaja, shoqata të diasporës, fondacione private dhe fondacione korporative.

Dhurimi për shtetin​2 

Vëmendja e donatorëve ndaj dhurimit për shtetin ka mbetur e qëndrueshme nga viti i kaluar, duke përbërë 9.7% të rasteve të donacioneve, me fokus kryesisht në institucionet arsimore (3.5%) dhe institucionet e qeverisjes lokale/kombëtare (4%). Veçanërisht, brenda gjithë dhurimeve për shtetin, më shumë se një e treta e rasteve janë drejtuar për qëllime arsimore, veçanërisht institucionet e arsimit të ulët, ndërsa 15.6% e rasteve të donacioneve kanë synuar kujdesin shëndetësor. Megjithatë, për shkak të përmbytjeve në zonat e Skenderajt dhe Mitrovicës, menaxhimi i emergjencave doli si një temë e rëndësishme duke përbërë 30% të rasteve të regjistruara dhe një përqindje e konsiderueshme prej 74% të vlerës së dhuruar për shtetin. Organizatat jofitimprurëse ishin donatorët kryesorë për shtetin për sa i përket frekuencës, ndërsa qytetarët dhanë kontributet më të konsiderueshme monetare përmes dhurimit masiv individual. 

2 Dhurimi për shtetin përfshin dhurimin për institucionet e qeverisjes lokale/kombëtare dhe institucionet publike (kulturore, arsimore, shëndetësore, shkencore, sociale dhe sportive).

Shembuj të dhurimit 

1. Shoqata “Jetimat e Ballkanit” dhe Komuna e Podujevës bashkuan forcat për ta ndërtuar një qendër banimi për të moshuarit. Me një donacion bujar prej 2 milionë eurosh nga Shoqata dhe me 530 mijë euro financim nga komuna, objekti premton strehim dhe hapësirë ​​komunitare. Përveç akomodimit për të moshuarit, Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e kësaj Komune ka bërë të ditur se objekti, ndërtimi i të cilit filloi në fund të janarit 2024, do të ketë gjithashtu një kuzhinë që do të sigurojë ushqim për 200 persona, zona rekreative, park, shërbime shëndetësore parësore, salla fizioterapie etj.  

Lexo më shumë: Theksimi i pesë iniciativave më të mira humanitare në Kosovë për vitin 2023 | Giving Balkans  

2. Banka NLB i dhuroi Shërbimit Klinik Spitalor dhe Universitar të Kosovës pajisje mjekësore, duke përfshirë elektroencefalogramin (EEG) që diagnostikon fëmijët me epilepsi dhe kapillaroskopinë që mat rrjedhjen e gjakut në enët e vogla të trupit. Diagnostifikimi i ndihmon këta fëmijë të marrin trajtimin dhe kujdesin e duhur dhe në fund përmirëson cilësinë e jetës së tyre. 

Lexo më shumë: Dhënia për shëndetësi: Gati një milion euro janë dhuruar në Kosovë nga janari deri në gusht 2023 | Giving Balkans   

3. Po ashtu, Fondacioni Golden Eagle ka dhuruar 10,000 euro për ndërtimin e oborrit të varrezave në vendbanimin Gelancë, në Suharekë. 

 

Ky raport është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.