Efektet e synuara të dhurimit ndikohen nga kushtet socio-ekonomike të vendit dhe disponueshmëria e burimeve për t’i adresuar ndikimet afatshkurtra dhe afatgjata. Me rritjen e nevojave të popullatës së  cenueshme në aspektin social, ka pasur një rritje të dhurimeve për efekte afatshkurtra. Ndërsa përqindjet kanë ndryshuar pak në krahasim me vitin 2022, dhurimet me efekte afatshkurtra dhe afatgjata kanë ruajtur kryesisht nivel të qëndrueshëm, si në frekuencë ashtu edhe në vlerë. 

Grafiku 1. Trendet në efektet e synuara të dhurimit në Kosovë – 2019 – 2023 (% e rasteve) 
Shkarkoni infografikën në PDF 
 
Zbërthimi i dhurimeve me efekte të synuara afatshkurtra dhe afatgjata në vitin 2023 

Dhurimi për kauza afatshkurtra përbën 85% të të gjitha rasteve të donacioneve dhe 63.9% të shumës totale të dhuruar, duke pasqyruar nivelet e vitit paraprak. 

Shumica e rasteve të regjistruara për këto kauza ishin për banesa individuale (41.1%) dhe furnizime (39%), ku trajtimet mjekësore përbënin 8.2% të të gjitha rasteve, duke mos treguar ndonjë ndryshim të rëndësishëm krahasuar me shpërndarjen e vitit paraprak. Për sa i përket vlerës së donacioneve, përqindja më e madhe (46.3%) është alokuar për sigurimin e banesave individuale, ndjekur nga 29.7% për mbështetjen humanitare. Rritja e vlerës së ndihmës humanitare nga viti 2022 ishte e dukshme, e nxitur nga përpjekjet për mbledhjen e fondeve për t’i adresuar efektet e përmbytjeve në Skenderaj dhe Mitrovicë, duke rezultuar në rreth 1.5 milionë euro të mbledhura për këtë kauzë specifike. Mbështetja për trajtimet mjekësore përbën 17.9% të vlerës së regjistruar për dhurimin me efekte afatshkurtra, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin paraprak. 

Grafiku 2. Dhurimi sipas efekteve të synuara në vitin 2023 
Shkarkoni grafikun në PDF
 
 

Në vitin 2023, dhurimi me efekte afatgjata përbën 13% të të gjitha rasteve të donacioneve të regjistruara dhe 32.6% të shumës totale të dhuruar. Përdorimi më i zakonshëm i donacioneve ishte për pajisje, duke përfaqësuar 46.2% të totalit të rasteve strategjike, e ndjekur nga bursat me 37.8%. Nga këto bursa, 91% iu drejtuan pranuesve individualë, ndërsa pjesa tjetër iu nda institucioneve arsimore. Donacionet me pajisje përfshinin ndihma ortopedike për organizatat jofitimprurëse që ndihmojnë individët me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e drejtpërdrejtë, si dhe pajisje të dhuruara për institucionet shëndetësore dhe arsimore. 

Për sa i përket vlerave të dhuruara, ka pasur një zhvendosje të konsiderueshme në fokusin e dhurimit me efekte afatgjata. Regjistrimi i një donacioni prej 2 milionë eurosh për ndërtimin e një shtëpie për të moshuarit ka rezultuar me ndarjen e 70.6% të donacioneve strategjike si investim kapital. Për rrjedhojë, përqindja që i atribuohet vlerës së pajisjeve u ul në 19.6%. Nominalisht, vlera e dhuruar për pajisje ra nga 986.000 euro në 557.000 euro në vitin 2023. 

 

Ky raport është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.