Mbulueshmëria mediatike e organizatave të shoqërisë civile (OShC) dhe aktiviteteve të tyre është e një rëndësie të madhe. Organizatat duhet t’i informojnë mediat dhe publikun e gjerë për punën e tyre dhe ta bëjnë misionin e tyre më të qasshëm, që nuk është gjithmonë e lehtë.
Megjithatë, jo gjithçka që bën një OShC është e rëndësishme për mediat dhe jo të gjitha mediat e mbulojnë punën e një OShC-je. Prandaj, në këtë blog të ri, ne do të diskutojmë se si mund të krijoni ose ta përmirësoni marrëdhënien e organizatës suaj me mediat dhe si të fitoni më shumë mbulim mediatik për veprimet dhe veprat tuaja të mira.
Planifikoni komunikimin tuaj
Planifikimi i aktiviteteve të komunikimit është po aq i rëndësishëm sa planifikimi i të gjitha aktiviteteve të tjera në organizatën tuaj. Nëse nuk keni një strategji komunikimi ose plane komunikimi vjetore, tremujore ose gjashtëmujore, hapi i parë është t'i zhvilloni ato, qoftë edhe në një skicë të përafërt.
Strategjia juaj e komunikimit nuk duhet të jetë një listë dëshirash apo një listë e mundësive të asaj që mund të bëhet, por një dokument serioz i bazuar në analizimin e mjedisit, nevojave, mundësive, dobësive dhe pikave tuaja të forta. Nëpërmjet kësaj analize, ju do ta përcaktoni drejtimin e komunikimit tuaj mediatik dhe do t’i identifikoni shtëpitë kryesore mediatike të cilat do ta rrisin shikueshmërinë tuaj në audiencën tuaj të synuar.
Pas krijimit të themelit, që është strategjia e komunikimit, mund të ndërmerrni hapa më të vegjël duke krijuar plane dhe duke i përfshirë mediat në atë që bëni.
Jepini prioritet veprimeve/projekteve vërtetë të rëndësishme për prezantim në media
Shumë organizata priren ta shoqërojnë çdo veprim ose projekt me një komunikatë për media, gjë që nuk është një praktikë e mirë. Kushtojini vëmendje dërgimit të komunikatave për media ose kontaktimit me mediat vetëm kur keni një arsye vërtet të rëndësishme, tërheqëse dhe në kohë të duhur. Mund të jetë ndonjë ngjarje që po organizoni, ndonjë fushatë e përfunduar me sukses, ndonjë veprim humanitar që dëshironi ta zbatoni ose ndonjë donacion domethënës ose me ndikim që ka ndihmuar punën tuaj dhe ka kontribuar në përmirësime në komunitetin tuaj.
Nëse nuk keni ndonjë rast specifik, mund të përfitoni nga ditët ndërkombëtare ose globale të ndërgjegjësimit. Për shembull, nëse organizata juaj fokusohet në mbështetjen e fëmijëve, Dita Botërore e Fëmijëve mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për ta bërë një deklaratë. Referojuni çështjeve ose statistikave aktuale, duke shpjeguar se si organizata juaj e trajton atë problem. Përfshini një deklaratë dhe kthejeni atë në përmbajtje ndërvepruese dhe tërheqëse.
Kjo qasje mund t'ju ndihmojë gjithashtu të pozicionoheni si një autoritet në fushën tuaj dhe mediat do t'ju kontaktojnë kur kanë nevojë për opinione ekspertësh për tema specifike.
Kushtojini vëmendje kohës
Një gabim i zakonshëm që OShC-të e bëjnë shpesh në komunikimin me media është koha jo e duhur, që do të thotë se ata dërgojnë ftesa ose komunikata për media shumë vonë në lidhje me një veprim ose aktivitet të rëndësishëm që kanë zbatuar. Rregulli "asgjë nuk është më e vjetër se lajmet e djeshme" vlen në industrinë e mediave, ndaj dërgimi i një komunikate për media dy, pesë apo dhjetë ditë më vonë nuk do të publikohet. Në mënyrë të ngjashme, nëse ftoni mediat në një ngjarje, dërgoni ftesën disa ditë përpara, jo në ditën e ngjarjes ose vetëm një ditë përpara.
Përveç kësaj, mos insistoni ekskluzivisht në kamera dhe paraqitje televizive. Organizatat ndonjëherë e nënvlerësojnë rëndësinë dhe ndikimin e mediave të tjera në krahasim me televizionin. Çdo publikim është thelbësor, dhe duke pasur parasysh audiencën e larmishme dhe grupet e synuara, është thelbësore që të ketë mbulueshmëri në lloje të ndryshme mediash. Blogerët dhe influencerët përkatës janë gjithashtu të rëndësishëm për ju, kështu që krijoni një listë të atyre që mund t'ju mbështesin dhe përpiquni t'i mbani të përfshirë në punën tuaj.
Kushtojini vëmendje stilit
Në detin e informacionit, përpiquni të dalloheni me përmbajtje unike, cilësore dhe tërheqëse. Shmangni përdorimin e zhargonit të OJQ-ve në shkrimet tuaja ose kur flisni në ndonjë media. Shkruani dhe flisni qartë dhe saktë në mënyrë që partneri juaj i bisedës dhe popullata e përgjithshme, përfshirë ata që nuk janë të informuar mirë për fushën tuaj, të mund t'ju kuptojnë.
Përqendrohuni më shumë në misionin tuaj, mënyrën se si kontribuoni në komunitet dhe shoqëri si dhe ndikimin tuaj. Asnjëherë mos i jepni përparësi projekteve individuale mbi misionin tuaj, sepse kjo ju bën unik dhe duhet mbajtur mend dhe njohur. Kur shkruani komunikata për media, ndiqni rregullin e "piramidës së përmbysur", që do të thotë të theksoni faktet, informatat dhe të dhënat më të rëndësishme dhe interesante në paragrafin e parë. Shmangni fillimin me një pasqyrë më të gjerë, qëllimet e projektit ose gjithçka që keni bërë. Nëse është e nevojshme, mund t'u referoheni atyre detajeve më vonë në tekst. Përfshini fotografi interesante dhe me cilësi të lartë që ilustrojnë në mënyrë efektive atë që dëshironi të përcillni.
Në komunikimin me mediat online, është mirë të përfshihen linqe përkatëse.
Ndërtoni dhe ruani marrëdhënie (të mira) me mediat
Mos iu drejtoni të gjitha mediave njëkohësisht ose në të njëjtën mënyrë. Ju nuk mund dhe nuk duhet të bashkëpunoni me të gjithë. Hulumtoni se cilave media mund t’i duket puna juaj interesante dhe cilat mund të arrijnë në mënyrë efektive grupe të ndryshme të synuara që dëshironi t’i adresoni.
Kushtojini vëmendje se cilat seksione ose kolona i përshtaten informacionit që dëshironi ta prezantoni në media. Për shembull, nëse fusha juaj është ekologjia dhe mbrojtja e mjedisit, nuk do t'i qaseni atyre që mbulojnë sportin ose ekonominë. Gjithashtu, përpiquni t’i identifikoni gazetarët përgjegjës për mbulimin e temave të rëndësishme për ju në çdo shtëpi mediatike dhe përpiquni të krijoni lidhje personale me ta.
Sigurisht, ju duhet të jeni të qasshëm për mediat. Jini të disponueshëm kur ata kanë nevojë për më shumë informata ose kërkojnë një zëdhënës përkatës për një rrëfim më të gjerë në lidhje me fushën tuaj. Edhe nëse ju vjen ndonjë telefonatë në fundjavë ose pas orarit të punës, afatet dhe krijimi i përmbajtjes mediatike shpesh shtrihen përtej kornizës kohore standarde nga ora 09:00 në 17:00.
Durimi është çelësi
Suksesi nuk ndodh brenda natës dhe e njëjta gjë vlen edhe për përmirësimin e komunikimit me mediat dhe për të fituar njohjen për rëndësinë e punës suaj. Duhet kohë për t'u bërë i njohshëm dhe për të fituar mbulueshmëri mediatike.
Meqë po flasim për durimin, ai është gjithashtu vendimtar gjatë procesit të komunikimit me mediat. Përpiquni të mos jeni shumë këmbëngulës, duke kontaktuar vazhdimisht gazetarët ose duke dërguar vazhdimisht të njëjtat informata. Një qasje e tillë nuk do të sjellë asnjë përfitim dhe madje mund të ketë efekt kundërproduktiv.
Shembull i praktikës së mirë nga Kosova
Në Kosovë, një nga organizatat që është shembull praktik i mirë për bashkëpunim me media është Aksioni për Nëna dhe Fëmijë. Organizata e ka pozicionuar veten si një autoritet me reputacion për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Ata ofrojnë zëdhënës ekspertë të disponueshëm për intervista, duke kontribuar me njohuritë e tyre në media. Ky pozicionim ndihmon në krijimin e besueshmërisë, duke rritur mbulueshmërinë dhe njohjen mediatike.
AMC-ja gjithashtu organizon rregullisht fushata sensibilizuese për ta theksuar rëndësinë e shëndetit të nënës dhe fëmijës. Këto fushata shpesh përfshijnë bashkëpunime me profesionistë të kujdesit shëndetësor, influencerë dhe udhëheqës të komunitetit. Duke përdorur mediat, përfshirë konferencat për shtyp, intervistat dhe komunikatat për media, ata në mënyrë efektive rrisin ndërgjegjësimin për çështje kritike shëndetësore dhe avokojnë për shërbime më të mira shëndetësore për nënat dhe fëmijët. Një tjetër gjë që mund të mësoni nga AMC-ja është ndarja e rrëfimeve me interes njerëzor të nënave dhe fëmijëve që kanë përfituar nga programet dhe shërbimet e tyre. Në këtë mënyrë, ata rrisin ndërgjegjësimin dhe frymëzojnë ndjeshmëri dhe mbështetje nga publiku.
Konkluzion
Aktivitetet dhe puna e OShC-ve janë të rëndësishme, por ende nuk i kushtohet rëndësia e mjaftueshme. Megjithatë, kjo nuk duhet t'ju dekurajojë, por përkundrazi t'ju motivojë të bëni gjithçka që është e nevojshme për ta përmirësuar bashkëpunimin tuaj me mediat dhe për të krijuar një imazh më të mirë të organizatës suaj dhe sektorit jofitimprurës.
Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Leave a comment