Mbledhja e fondeve është një mjet i fuqishëm i cili mobilizon burimet, angazhon komunitetet dhe nxit ndryshime domethënëse. Në Kosovë, metoda të ndryshme të mbledhjes së fondeve, përfshirë fushatat tradicionale, modelet e anëtarësimit dhe crowdfunding (financimi nga grupe njerëzish në internet), kanë demonstruar potencialin e tyre për të mbështetur projekte me ndikim dhe për të nxitur angazhimin dhe zhvillimin e komunitetit. Këto nisma jo vetëm që grumbullojnë mbështetje thelbësore financiare, por gjithashtu edhe ndërtojnë një ndjenjë përpjekjesh kolektive dhe një përkushtim drejt qëllimeve të përbashkëta. Këtu, ne vejmë në pah tre shembuj të jashtëzakonshëm të përpjekjeve për mbledhjen e fondeve në Kosovë që kanë bërë një ndryshim thelbësor në sektorët e tyre përkatës.

Ndërtimi i një qendre të komunitetit në Ferizaj: Mbledhja tradicionale e fondeve për krijimin e ndikimit afatgjatë

Ferizaji, një qytet të cilit aktualisht i mungon një qendër e dedikuar për komunitetet me nevoja të veçanta, ka nisur një qendër të tillë në verën e vitit 2023. Kjo qendër e komunitetit synon t’i sjell përfitim rreth 200 fëmijëve dhe të rriturve. Për të mobilizuar financat e nevojshme, organizatat e përfshira në këtë projekt morën pjesë në trajnimin për mbledhjen e fondeve të organizuar nga Programi për Angazhim Qytetar, një partneritet pesëvjeçar ndërmjet të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe misionit të USAID në Kosovë. Nëpërmjet këtyre përpjekjeve, ata zbatuan metoda tradicionale të mbledhjes së fondeve, duke rezultuar në kontribute domethënëse. Deri më sot, 10,711 dollarë (10,000 euro) janë grumbulluar nga bizneset vendore, 21,417 dollarë (20,000 euro) nga diaspora përmes “PayPal Online Fundraising” dhe kontribute shtesë të së njëjtës natyrë nga bizneset për materiale ndërtimore. Gjithashtu, deri më sot ata kanë gjeneruar më shumë se 65 mijë dollarë (66 mijë euro) nga konferenca e organizuar “Diaspora për personat me aftësi të kufizuara”, duke mobilizuar partnerë të ndryshëm.

Donacioni prej 20 mijë eurosh i grumbulluar përmes “PayPal Online Fundraising” për të mbështetur projektin e Handikos-it
Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare në “Facebook” e Handikos Ferizaj


Kjo përpjekje bashkëpunuese nxjerr në pah fuqinë e mbledhjes tradicionale të fondeve për nxitjen e zhvillimit të komunitetit dhe krijimin e ndikimit afatgjatë.

HIVE: Një model anëtarësie që nxit gazetarinë e pavarur

Kosova 2.0 (K2.0), e njohur për gazetarinë e saj të pavarur dhe cilësore, ka prezantuar modelin e anëtarësimit në HIVE për të siguruar pavarësi të vazhdueshme dhe raportim pa frikë. Ky model u mundëson mbështetësve të kontribuojnë financiarisht dhe të bëhen pjesë e misionit të organizatës për të ruajtur pavarësinë e saj dhe për të ofruar gazetari të thellësishme dhe cilësore, e cila ka fuqinë për të raportuar dhe informuar publikun.

Mbështetësit e HIVE përfitojnë nga buletinet e kuruara, deri te përmbajtja "Mbrapa skenës", dizajnet unike dhe mundësia për të ndërvepruar drejtpërdrejt me redaksinë. K2.0 është e përkushtuar për diskutime të hollësishme mbi çështjet aktuale në Kosovë, rajon dhe më gjerë, përmes revistave të saj shtypura dhe online, debateve dhe nismave avokuese. Modeli i anëtarësimit në HIVE ofron pako të ndryshme për t'iu përshtatur niveleve të ndryshme të mbështetjes, nga donacionet e njëhershme deri tek anëtarësimet e vazhdueshme. Çdo kontribut ndihmon në mbajtjen e standardeve të larta të gazetarisë dhe narracionit me ndikim, për të cilat K2.0 është e përkushtuar.

Fushata “EmpowerHer!” (Fuqizoje Atë): Crowdfunding për të fuqizuar lideret e ardhshme të Kosovës

Crowdfunding është bërë një mjet jetik për mobilizimin e burimeve dhe angazhimin e komuniteteve në mbështetjen e projekteve me ndikim. Një shembull i suksesshëm i kësaj është fushata “EmpowerHer!” (Fuqizoje Atë), e udhëhequr nga Fondacioni IPKO (IF), një fondacion vendor në Kosovë i dedikuar për të përgatitur liderët e ardhshëm që shfrytëzojnë teknologjinë për të adresuar sfidat lokale dhe kombëtare.

Përmes platformës së crowdfunding “Kosova ideas” , kjo fushatë ka grumbulluar 24,330 euro, duke tejkaluar objektivin e saj prej 20,000 eurove , falë kontributeve të një grupi të larmishëm mbështetësish. Vizioni i IF-së me programin e bursave “EmpowerHer!” është të ofrojë arsimim dhe mentorim në STIM/SHTIM(Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) me cilësi të lartë për mbi 150 vajza të moshës nga 11 deri në 18 vjeç nga e gjithë Kosova.

Fondet e grumbulluara do të mbulojnë bursat, tarifat e shkollimit, materialet arsimore dhe burimet teknologjike. Kjo nismë i fuqizon vajzat që të ndjekin pasionet e tyre, të thyejnë barrierat shoqërore dhe të dalin në pah si lidere në komunitetet e tyre, duke nxitur ndryshime sistematike dhe duke avokuar për barazi dhe gjithëpërfshirje.

Konkluzioni

Mbledhja e fondeve në Kosovë tregon potencialin transformues të metodave të ndryshme, nga fushatat tradicionale deri te modelet e anëtarësimit dhe crowdfunding. Çdo qasje sjell avantazhe unike, duke mobilizuar burime dhe komunitete për të arritur qëllimet e përbashkëta. Këto rrëfime suksesi vejnë në pah se si mbledhja strategjike e fondeve mund të nxisë ndryshime të rëndësishme shoqërore dhe se si duke vazhduar të inovohen dhe të angazhohen mbështetës të ndryshëm, nismat për mbledhjen e fondeve në Kosovë mund të ndërtojnë një të ardhme më të ndritshme dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë.

 

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).