Prilli, muaji që mban Ditën e Veprave të Mira, një ditë globale vjetore e cila festohet që nga viti 2007, shërben si një përkujtues i fuqishëm i ndikimit që individët dhe organizatat mund të sjellin nëpërmjet veprave të mirësisë. Në Kosovë, fryma e bujarisë lulëzon me organizatat jofitimprurëse vendore, diasporën dhe donatorët tjerë bujarë, me një punë të palodhshme për të përmirësuar aspekte të ndryshme të komuniteteve tona.

Sipas të dhënave të “Kosova Dhuron” nga viti 2019 deri në vitin 2023, Kosova ishte dëshmitare e një shfaqje frymëzuese të filantropisë, me 1,294 raste të dhurimit të bamirësisë për organizatat jofitimprurëse, në shumën totale prej 12,838,043 euro. Trendet e dukshme përfshijnë një pikë kulminante në vitin 2022 me 493 raste donacionesh dhe kontributin më të lartë monetar në vitin 2023, që arriti në 5,219,183 euro me 291 donacione.

Grafiku 1: Shuma në euro e dhurimit për organizatat jofitimprurëse në Kosovë gjatë viteve 2019 – 2023

Qytetarët dolën si donatorët kryesorë, duke kontribuar me 7,075,099 euro përmes 489 rasteve të dhurimit gjatë pesë viteve. Korporatat dhuruan 1,721,034 euro përmes 269 rasteve. Kontribute të konsiderueshme kanë dhënë edhe donatorët individualë dhe të përzier, përkatësisht 695,619 euro dhe 3,250,268 euro.

Grafiku 2: Numri i rasteve të dhënies për organizata jofitimprurëse në Kosovë gjatë viteve 2019 – 2023

Nga ana tjetër, Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” ka marrë një mbështetje të dukshme, në total prej 8,671,833 euro përmes 651 aksioneve të bamirësisë. Donatorët kryesorë të shoqatës përfshijnë qytetarët përmes dhurimit masiv individual (5,037,302 euro përmes 274 aksioneve bamirëse) dhe individët (529,684 euro përmes 269 aksioneve).

Përfitues të tjerë të shquar të filantropisë në Kosovë përfshijnë Aksionin për Nëna dhe Fëmijë (346,684 euro të mbledhura përmes 19 donacioneve), Shoqata Humanitare “Bereqeti” (266,702 euro të mbledhura përmes 213 donacioneve), SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë (218,142 euro të mbledhura përmes 53 donacioneve) dhe Down Syndrome Kosova (183,112 euro të mbledhura përmes 47 donacioneve).

Tregime frymëzuese të filantropisë së diasporës së Kosovës

Shpeshherë, historitë e të tjerëve janë ato që na frymëzojnë dhe na shtyjnë të përfshihemi apo edhe të promovojmë nisma filantropike, për të mirën e komunitetit. Dhe në shumë raste, këto histori vijnë nga diaspora. Një e tillë është nga viti 2022, kur Shoqata “Peja” në Nju Jork ka bashkëpunuar me degën lokale të Shoqatës Humanitare “Bereqeti” dhe ka shpërndarë 350 pako ushqimore dhe miell për familjet në nevojë në Pejë. Kjo u mundësua nga kontribute bujare nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të cilët dhuruan kolektivisht 15,350 euro për këtë kauzë.

Ngjashëm, Arti Qelaj, një Kosovar i cili jeton në Zvicër, bëri donacione të konsiderueshme për t'i mbështetur shërbimet terapeutike të ofruara nga Down Syndrome Kosova, duke demonstruar ndikimin e thellë të filantropisë personale. Në vitin 2021, ai ka dhuruar 15,000 euro, ndërsa një vit më parë, në vitin 2020, ai kishte dhuruar 7,000 euro për t'i mbështetur shërbimet në dy programet e kësaj organizate: Programin për Intervenim dhe Edukim të Hershëm si dhe Programin për Autonomi dhe Aftësim Profesional.

Më 10 tetor 2019, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) mblodhi mbi 70,000 dollarë gjatë mbrëmjes së tij të pestë bamirëse në Shtetet e Bashkuara, "Meet Us Halfway" Gala (Gala “Takohu me ne në gjysmë të rrugës”) në Yale Club të qytetit të Nju Jorkut. Me këto fonde të mbledhura nga shitja e biletave dhe kontributet dhe donacionet e mbledhura gjatë asaj ngjarjeje dy-orëshe, AMC-ja vazhdoi gjatë gjithë vitit 2020 të ofrojë medikamente thelbësore jetëshpëtuese për foshnjat e lindura para kohe; t'u sigurojë grave vitamina prenatale, antibiotikë dhe kontraceptivë; t'i edukojë prindërit mbi planifikimin familjar, shtatzëninë e hershme, lindjen dhe periudhën pas lindjes; si dhe t'i ndihmojë gratë ta diagnostikojnë kancerin e qafës së mitrës përmes Pap-testit falas.

 

Gala “Meet Us Halfway” në Yale Club të qytetit të Nju Jorkut
Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare në “Facebook” e AMC

Por nuk është vetëm diaspora që kontribuon për komunitetin në Kosovë. Shumë donacione vijnë nga brenda vendit. Një nga historitë e tilla është e vitit 2023, kur festa e ditëlindjes së një vajze nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë u shndërrua në një festë të dyfishtë me një donacion prej 50 mijë eurosh nga “Alexander Chapman Recruitment”, nga i cili përfituan fëmijët e cenueshëm.

Donacioni prej 50,000 eurosh i “Alexander Chapman Recruitment” për SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë
Burimi i fotografisë: Llogaria zyrtare në “Facebook” e SOS Fshatrave të Fëmijëve në  Kosovë
Përfundim

Si përfundim, veprat e mirësisë, qofshin të mëdha apo të vogla, po i fuqizojnë komunitetet dhe po sjellin ndryshim të prekshëm në jetën e personave në nevojë në Kosovë. Puna me ndikim e organizatave jofitimprurëse lokale, diasporës dhe donatorëve të ndryshëm vazhdon të përhapë shpresë dhe të krijojë ndryshime pozitive.

Ky artikull është bërë i mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).