Fëmijët pa kujdes prindëror, ata me nevoja të veçanta dhe individët që kanë abuzuar me substanca narkotike apo alkool, janë tri kategoritë e shoqërisë që tashmë do të kenë një mbështetje më të madhe. E themeluar në vitin 2014, kompania kosovare për patundshmëri “Pro Real Estate” ka krijuar Fondacionin “Trust Circle” (“Rrethi i Besimit”), një nismë që pretendon të nxis një kulturë ndjeshmërie, mirëdashjeje dhe solidariteti, duke frymëzuar të tjerët që të kontribuojnë në mirëqenien e bashkëqytetarëve të tyre.
Vullneti i drejtuesve dhe punonjësve të “Pro Real Estate” për të ndihmuar komunitetin, ka bërë që 1% e pagës së secilit/ës prej tyre dhe 1% e fitimit të kompanisë të jenë fondet e para të mbledhura për fondacionin, gjë që është kthyer në praktikë, pasi një përqindje e tillë dhurohet në baza mujore.
Krenar Batusha, drejtor ekzekutiv në kompaninë “Pro Real Estate”, ka rrëfyer idenë e themelimit të fondacionit dhe fazat nëpër të cilat pritet të kalojnë për realizimin e projekteve afatgjata, që për synim kryesor kanë të mirën e komunitetit.
Si u themelua Fondacioni “Trust Circle”?
Krenar Batusha: Familja ime gjithmonë ka pasur dëshirë të ndihmojë komunitetin sa më shumë që është e mundur. Një vullnet i tillë për të ndihmuar fatmirësisht mbizotëron edhe në kompaninë tonë “Pro Real Estate”. Jemi përpjekur të përkrahim nisma, veçanërisht ato që në fokus kryesor kanë pasur fëmijët, por që deri më tani këto donacione kanë qenë kryesisht të atij lloji që sigurojnë zgjidhje momentale. Kemi bërë dhurime në rastet e festave të ndryshme, në rastet e ndërtimit të shtëpive për njerëzit në nevojë, si dhe në rastet për trajtime mjekësore. Kemi përkrahur Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, organizatën “Autizmi Flet”, etj. Mirëpo, pavarësisht kësaj përkrahjeje, në shumicën e rasteve nuk kam parë një zgjidhje afatgjate.
Bazuar në këto, kemi menduar gjatë për të gjetur një formulë që do të funksionojë, për të themeluar një fondacion që është më ndryshe, fondacionin që do të ofrojë zgjidhje afatgjata. Kemi hulumtuar shumë për të parë se si punojnë fondacionet tjera, jemi takuar edhe me organizata të ndryshme jo-qeveritare për të kuptuar edhe më mirë problemet e shoqërisë. Gjatë takimeve tona, kemi vërejtur se një ndër problemet më të mëdha të fondacioneve apo edhe organizatave humanitare janë të hollat. Ato të cilat kanë të holla, kemi parë se bëjnë pikërisht donacione të llojit të lartpërmendur, me të cilat bëhen zgjidhje momentale. Nuk investohet më tutje. E këtu tashmë vie roli i Fondacionit “Trust Circle”.
E emërtuam “Trust Circle” pasi mendojmë se për tu zhvilluar një vend, duhet të bëhet një rreth i besimit, një rreth ku i besojmë njëri-tjetrit dhe punojmë për një interes të përbashkët, zhvillimin e komunitetit tonë. Duke pasur parasysh se me kompaninë “Pro Real Estate” tashmë njihemi në botën e biznesit, jo vetëm në vendin tonë por edhe në diasporë, kam dashur që fondacionin ta lidh direkt me këtë kompani, duke gjetur një formulë që fillimisht merr mbështetjen e ekipit dhe më pas të mund të kërkojmë edhe mbështetjen e të tjerëve. Një gjë është e sigurt, se për të realizuar ide të mëdha si kjo, duhet pasur një konsistencë dhe një ekip të jashtëzakonshëm, me të cilët më pas edhe besimin në komunitet.
Cilat kategori të shoqërisë do të ndihmohen nga Fondacioni “Trust Circle”?
Krenar Batusha: Janë tri kategori të shoqërisë që ne kemi vendosur t’i ndihmojmë fillimisht: fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët me nevoja të veçanta dhe individët që kanë abuzuar me substanca narkotike apo alkool.
Ajo se çfarë kemi parë në vendin tonë, është se shumë shpesh njerëzit nuk janë afër atyre që kanë nevojë më së shumti. E para, fëmijët që janë krijesat më të pafajshme në botë nuk kanë asnjë faj si lindin apo si rriten, e që nga shumë informata që kemi marrë, del se një përqindje e lartë e tyre rriten me dhunë fizike dhe psikike. Nëse ne nuk i ndihmojmë ata dhe nuk i parandalojmë problemet, ato grumbullohen nga fëmijëria dhe përfundojnë tek pika e tretë, abuzimi i tyre me substanca narkotike apo alkool. Fatkeqësisht vendi ynë nuk ofron zgjidhje edukative, kulturore për këto kategori të shoqërisë. Nuk ofrohen zgjidhje konkrete.
Për ta ndihmuar një fëmijë, një të ri/re të zhvillohet, duhet të kemi një shoqëri që zgjat dorën dhe këshillon, duhet të kemi një shtet që ua ofron kushtet elementare për jetesë. E kemi rastin tonë në kompani, kur individë që kanë abuzuar me lëndë narkotike/alkool i kemi bërë pjesë të ekipit dhe i kemi ndihmuar t’iu ndryshojë jeta 100% për të mirë. Iu kemi dhënë vullnet, iu kemi treguar se janë njerëz të mirë dhe kanë mundësi për të ndryshuar, për t’u zhvilluar dhe pasur një jetë më të mirë, më të shëndetshme.
Si do të sigurohen të hyrat për fondacionin?
Krenar Batusha: Fondacioni veçse ka mbledhur fondet e para. Qysh në fillim të idesë për themelimin e të njëjtit, kemi menduar se një pjesë e të hyrave duhet të sigurohet nga vet kompania në kuadër të së cilës krijohet. Andaj, kemi vendosur që 1% e fitimit të “Pro Real Estate” të kalojë në baza mujore në buxhetin e fondacionit. Tani ky “1%” është bërë ndër pjesët më të rëndësishme të “Trust Circle”, në aspektin e grumbullimit të të hyrave. E them këtë, për faktin se kur e kemi ndarë idenë më ekipin e “Pro Real Estate”, secili prej tyre ka shprehur dëshirën që të kontribuojë me 1% të pagës së tij/saj, në baza mujore. Ky është një fakt që na ka gëzuar jashtëzakonisht shumë, pasi mbështetja e tyre e vërteton edhe një herë atë se të bashkuar mund të arrijmë të bëjmë gjëra të mëdha. Normalisht, se me të gjithë bëhet një marrëveshje dhe gjithçka bëhet në baza vullnetare të tyre. Pra, pjesa e parë e mbledhjes së fondeve veçse ka filluar tash e sa muaj dhe po vazhdon shumë mirë.
Kurse, pjesa e dytë ndërlidhet me donacionet nga biznese, kompani të ndryshme e individë të cilët duan të bëhen pjesë e kauzës sonë. Në këtë pikë po punojmë të bëhemi bashkë me organizata dhe kompani të ndryshme, ku nga disa prej tyre me të cilat jemi takuar veçse kemi marr premtimin. Me të njëjtat synojmë të arrijmë mbledhjen e shumave të mëdha, me të cilat pastaj fillojmë të punojmë për zgjidhjet e problemeve elementare, siç janë: ofrimi i kushteve të shkollimit, psikologëve, psikiatërve, kujdesit në familje të ndryshme për fëmijët pa kujdes prindëror; ofrimi i kushteve elementare për shkollim dhe lëvizje në qytet (bankave shkollore, ashensorëve, etj.) për fëmijët me aftësi të kufizuara; ofrimi i trajtimeve adekuate për individët që kanë abuzuar me substanca narkotike apo alkool.
Normalisht se jemi duke punuar që investimet e mëdha t’i marrim edhe nga bankat apo institucionet tjera të bamirësisë, të cilat janë globale, me çka pastaj arrijmë të krijojmë edhe qendra adekuate për ato kategori të shoqërisë, për një jetë më të mirë të tyre.
Kjo është ideja për ndryshim, të bëhemi shqiptarët bashkë, bizneset bashkë, të ndajmë një përqindje tonën për një vend dhe komunitet më të mirë. “1%” është pika më e mirë se si të gjithë mund të kontribuojnë pa përjashtim, duke dhuruar një shumë që për ta nuk është e madhe, por që për “Trust Circle” do të jetë shumë e rëndësishme.
Meritat për fotografi: Pro Real Estate
Cilat janë fazat nëpër të cilat pritet të kalohet, për të arritur qëllimin tuaj si fondacion?
Krenar Batusha: Fondacioni “Trust Circle” synon të arrijë grumbullimin e shumave të mëdha, me të cilat pastaj krijojmë qendra të reja apo i funksionalizojmë ato ekzistueset për këto tri kategori.
Faza e parë do të jetë ajo e krijimit të një qendre për fëmijë, bëhet fjalë për një qendër që do të ketë karakterin edukativ, sportiv, në të cilën ata fëmijë do të mund të edukohen dhe avancohen, të përgatiten për një jetë më të mirë. Faza e dytë do të jetë ndërtimi i një qendre për fëmijët me aftësi të kufizuara, për zhvillimin e tyre dhe ofrimin e mundësive elementare që i meritojnë, siç edhe iu ofrohen në vendet evropiane. Kurse, faza e tretë do të jetë ndërtimi i qendrës së rehabilitimit, e cila do të jetë e gjitha organike, e në të cilën do t’u ofrohet mundësia e punësimit personave që kalojnë trajtimin e tyre aty. Kjo do t’i ndihmojë ata që të fitojnë të holla, por në anën tjetër edhe t’i minimizojnë problemet e tyre, si dhe të heqin varësinë në atë që e kanë. Kur të bëhet zgjidhja e qendrës së rehabilitimit, gjendet edhe zgjidhja se çka ata persona mund të punojnë. Heqja e varësisë nga substancat narkotike apo alkooli, automatikisht nënkupton se ata persona kanë për të qenë gati për treg të punës, kanë për të qenë pjesë e të gjitha këtyre bizneseve dhe organizatave që kontribuojnë në këtë fondacion. Është pikërisht kjo kategori e shoqërisë që kanë shumë potencial dhe pas asaj që kalojnë, ia dinë edhe më shumë vlerën punës, andaj dhe janë të prirur të tregohen më të suksesshëm.
Cilat janë disa prej sfidave me të cilat po përballeni?
Krenar Balusha: Nuk është se jemi duke u përballur me ndonjë sfidë shumë të madhe, pasi jemi duke punuar intenzivisht edhe me ekspertë të fushës, në mënyrë që fondacioni të funksionojë ashtu siç edhe e shohim. Duam që të jemi të besueshëm, andaj dhe po punojmë në transparencë 100%, pasi bëhet fjalë për diçka shumë të ndjeshme, bëhet fjalë për marrjen e të hollave të të tjerëve.
Ndoshta vështirësi mund të përmend përpjekjet që jemi duke bërë që të arrijmë marrëveshje me banka, ashtu që kushdo që dëshiron të kontribuojë në baza mujore, transferimi i të hollave të bëhet automatikisht. Pra, të mos kenë nevojë për diçka që ua kujton, pasi e dimë që mund edhe të harrohet një gjë e tillë.
Ajo çfarë mund të siguroj është që çdo gjë do të jetë e hapur. Duam që së bashku të realizojmë misionin tonë, për një komunitet më të mirë, më të shëndoshë.
Kjo intervistë është bërë e mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Meritat për fotografi: Arbër Gjoni
Leave a comment