Në vitet e fundit, Fondacioni IPKO ka marrë një rol të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe vajzave në Kosovë. Adelina Qarri-Hoxha, Menaxhere e Lartë e Programeve, ofron një këndvështrim mbi kampanjën e tyre më të fundit, "EmpowerHer!", që synon të përmirësojë qasjen e grave dhe vajzave në edukimin joformal, veçanërisht në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). 

"Për më shumë se një dekadë, puna jonë në Fondacionin IPKO ka qenë e përkushtuar ndaj fuqizimit të vajzave dhe grave në Kosovë. Kemi vërejtur se vajzat nga zonat rurale shpesh përballen me mungesa të mëdha në edukimin joformal. Edhe pse ato marrin edukim formal në shkolla, mungojnë mundësitë për të mësuar jashtë institucioneve arsimore, çka është fokusi ynë", shpjegon Qarri-Hoxha. 

Lidhur me këtë, ajo tha se edicioni i 10-të i konferencës së inovacionit dhe teknologjisë “DokuTech”, i mbajtur në vitin 2023, shërbeu si një moment kyç për nismën e tyre më të re, pasi aty kishin takuar një folëse e cila kishte ndarë me to një iniciativë të suksesshme për fuqizimin vajzave dhe grave nga zonat rurale. E pikërisht ky takim nxiti një ide të rëndësishme për Fondacionin IPKO, për atë që e kishin në mendje prej shumë kohësh. 

"Ne tashmë kishim diskutuar mënyra për të mbështetur vajzat nga zonat rurale dhe komunitetet e margjinalizuara si ato rom, ashkali dhe egjiptiane. Përpiqeshim të gjenim mënyrën më të mirë se si t’i tërhiqnim ato në programe të ndryshme, sepse mos të harrojmë se shumë prej tyre jetojnë në fshatra që ndodhen shumë larg qytetit dhe mundësia për të qenë pjesë e kurseve të ndryshme, qoftë për shkak të infrastrukturës apo kushteve ekonomike, është shumë e vogël. Pasi dëgjuam idenë e cila kishte filluar të ketë zbatim në një shtet fqinj, na u duk shumë tërheqëse dhe menduam, 'Pse të mos zbatojmë diçka të ngjashme në Kosovë, por në një shkallë më të madhe?'", tha Qarri-Hoxha. 

Lansimi i kampanjës "EmpowerHer!" 

Kampanja "EmpowerHer!" lindi me qëllimin për të targetuar vajzat që nuk kanë pasur ndonjëherë mundësinë për të marrë pjesë në kurse private në fushat STEM. Menaxherja e Lartë e Programeve në Fondacionin IPKO tha se nga projektet e kaluara, kanë vërejtur se veçanërisht vajzat që vijnë nga zonat rurale, nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, kanë rrezikshmërinë më të lartë të braktisjes së shkollimit pas përfundimit të shkollës fillore. "Dëshirojmë t’u japim këtyre vajzave mundësinë për të eksploruar fusha ku ato mund të shkëlqejnë, veçanërisht në ICT (TIK - Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit), që është një sektor shumë i paguar", u shpreh ajo. 



Qarri-Hoxha bëri të ditur se iniciativa përqendrohet në vajzat e moshës 11-18 vjeçare nga familje që përballen me vështirësi financiare dhe nga zonat rurale. "Qëllimi ynë është të arrijmë grupet më të margjinalizuara. Kemi kontaktuar kompani që ofrojnë këto shërbime dhe kemi kërkuar që të ofrojnë bursa për një përqindje të vajzave që ato shohin potencial. Këto kompani, veçanërisht ato me angazhime CSR (Përgjegjësia Sociale e Korporatave), kanë rënë dakord të mbështesin qëllimin tonë", shpjegon Qarri-Hoxha. 

Crowdfunding: Një qasje e re 

Për të financuar këtë projekt ambicioz, Fondacioni IPKO vendosi të përdorë crowdfunding, një mënyrë të mbledhjes së fondeve që i lejon të marrin mbështetje të gjerë nga komuniteti dhe jo vetëm nga donatorët tradicionalë, e që ishte një qasje e re për ta. Sipas tyre, crowdfunding është edhe një mundësi e mirë për të edukuar publikun mbi rëndësinë e zhvillimit të vajzave nga zonat rurale, si dhe për të shndërruar këtë në një formë tradicionale të mbledhjes së fondeve.

“Kemi dashur t’i shfrytëzojmë platformat kosovare që janë për crowdfunding, e që në këtë rast ka qenë KosovaIDeas. Është e rëndësishme të ceket se kjo është kampanja e parë crowdfunding që Fondacioni IPKO ka zhvilluar, pra gjithçka kemi filluar nga zero. Përveç idesë për kampanjë, kemi pasur për synim t’i fuqizojmë edhe platformat ekzistuese”, tha Qarri-Hoxha. 

Sipas saj, edhe pse planifikimi ishte i hollësishëm, kampanja u përball me disa sfida. "45 ditët e para ishin jashtëzakonisht stresuese. Vërejtëm se njerëzit në Kosovë janë zakonisht më të prirur të kontribuojnë për kauza sociale si shëndeti dhe varfëria, në vend të iniciativave edukative. Duhej të bënim përpjekje për ta bindur komunitetin se pse investimi në edukim është po aq i rëndësishëm", u shpreh ajo.

Sipas saj, objektivi fillestar ishte të arrihej shuma prej 20,000 euro, që do të mbulonte kostot e kurseve private për 150 vajzat e përzgjedhura. "Duhej të siguronim këtë shumë për të vazhduar, dhe fatmirësisht e arritëm qëllimin. Megjithatë, procesi nuk ishte i lehtë. Kërkonte jo vetëm promovim online, por edhe angazhim të drejtpërdrejtë me njerëzit për të shpjeguar rëndësinë e misionit tonë”, thotë Qarri-Hoxha. 

Ajo shtoi se duhej të takonin edhe shumë individë, personalisht, për t’ua shpjeguar faktin se si kjo kampanjë po realizohet me qëllimin për t’i ndihmuar gjithë shoqërisë. ““EmpowerHer!” nuk është një kauzë për t’i ndihmuar thjeshtë 150 vajzave, por gjithë shoqërisë. Nga fillimi e kemi pasur këtë numër, pasi donim të përfshinim një përqindje të mirë të gjithë komunave të Kosovës. Natyrisht, ky është një numër i vogël, por është vetëm fillimi”, bëri të ditur Qarri-Hoxha.

Të ardhurat dhe plani për të ardhmen 

Ndërsa kampanja vazhdon, Fondacioni IPKO planifikon të fillojë trajnimet në komuna të ndryshme, duke nisur nga nëntori 2024. "Do të hapet një thirrje për vajzat, për komunitetin në tërësi. Do të kontaktojmë komunitetet për të nominuar vajzat dhe do të mbajmë mbështetësit tanë të informuar me raportet e progresit. Kohorta e parë e vajzave do të fillojë kursin së shpejti dhe do të vazhdojmë me kohorta të tjera deri në verën e vitit 2025", tha ajo. 

Përfundimisht, Fondacioni IPKO është i përkushtuar të mbajë lidhje me donatorët dhe të eksplorojë modalitete të tjera të mbledhjes së fondeve për të ardhmen. "Ne do të vazhdojmë me crowdfunding, por gjithashtu po shqyrtojmë modalitete të ndryshme", u shpreh Qarri-Hoxha, duke shtuar se mbajtja e transparencës dhe informimi i donatorëve është thelbësore. Sipas saj, çdo kontribut, pavarësisht se sa i vogël, ka një ndikim të rëndësishëm.

Iniciativa "EmpowerHer!" përfaqëson më shumë se një kampanjë: është një angazhim për të krijuar një ndryshim afatgjatë në jetën e vajzave dhe grave në Kosovë, si dhe në shoqëri në përgjithësi.

 

Meritat për fotografinë kryesore: Arbër Gjoni 

Kjo intervistë është bërë e mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. 

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).