E themeluar në tetor të vitit 2012 si koncept i ri i dyqaneve të lagjes, kompania “Meridian Express” është përfshirë në një numër të madh të iniciativave filantropike, qoftë si kontribuese apo edhe si iniciatore e ideve. Dhurimi për komunitetin është ndër fokuset kryesore dhe zotim i kësaj kompanie.
Kontributi i vazhdueshëm për “SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë” përmes kampanjës “Barazo Faturën”, përkrahja e studentëve të universiteteve të ndryshme përmes bursave, janë vetëm dy nga shumë kauzat e shumta që kjo kompani mbështet.
Agon Gashi, drejtor ekzekutiv i “Meridian Express”, ka rrëfyer shumëçka për angazhimin e tyre në të mirën e komunitetit.
Kur është themeluar “Meridian Express” dhe si funksionon?
Agon Gashi: “Meridian Express”, e cila njëherit është pjesë e Korporatës “Meridian”, është themeluar në tetor të vitit 2012. Para themelimit të së njëjtës, të gjitha dyqanet e këtij lloji (të vogla dhe të mesme) kanë qenë të fokusuara në hapësira të mëdha, ku njerëzit është dashur të kenë kohë të mjaftueshme për të shkuar dhe marrë shërbimet e nevojshme. Pikërisht për këtë fakt kemi menduar se në një të ardhme të afërt kjo do të ndryshojë dhe se njerëzit do të duan që disa nga shërbimet më elementare t’i kenë afër shtëpisë, në lagjet e tyre. Sot “Meridian Express” ka 43 pika të dyqaneve të vogla dhe mesme në të gjithë Kosovën dhe numëron afro 500 punëtorë.
Një ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballemi, e që besoj jo vetëm ne, është fuqia punëtore. Megjithatë, për ne është e rëndësishme që të investojmë në atë staf që e kemi. Në këtë drejtim, në vitin 2015 kompania ka zbatuar një strategji praktike të njohur në mbarë botën, “Programin për Certifikimin e Menaxherëve – CMP”, përmes të cilit i ofron menaxherëve tanë mundësinë që përmes trajnimeve të zhvillojnë më tej njohuritë e tyre.
Ndër çështjet kryesore është edhe fakti se kompania jonë është zhvilluar edhe si lider i korporatave me përgjegjësi shoqërore (CSR) në Kosovë. Unë jam pjesë e bordit të rrjetit “CSR Kosova” që nga themelimi dhe vazhdimisht jemi munduar që ta ngrisim fokusin jo vetëm në donacione, por në projekte me efekte afatgjata, më të qëndrueshme.
Si e keni përfshirë filantropinë në biznesin tuaj?
Agon Gashi: Fillimisht vlerat e familjes, e më pas edhe të kompanisë, janë ato që na udhëzojnë rreth asaj se çfarë duhet të bëjmë për komunitetin dhe për ngritjen sociale të shoqërisë. Për ne si kompani, filantropia është thjeshtë besim dhe obligim. Ne gjenerojmë të hyra, gjenerojmë profit nga ky vend, nga ky komunitet, andaj dhe një pjesë e saj duhet t’i kthehet mbrapa komunitetit në forma të ndryshme, e që filantropia është njëra prej tyre. Nëse ne i dhurojmë komunitetit, edhe ambienti në të cilin operojmë bëhet më i mirë edhe veprimi bëhet më i suksesshëm.
Si kompani, që kur kemi filluar të dhurojmë, kemi pasur shumë kërkesa për të mbështetur kauza të ndryshme. Kemi pasur kërkesa për të ndihmuar fëmijët, për të ndihmuar gratë, për të mbështetur fushën e muzikës, fushën e sportit, e kërkesa të tjera, por që ka qenë e pamundur që t’i akomodojmë të gjitha. Numri i madh i tyre kanë bërë që ne të hartojmë një strategji, në bazë të së cilës tashmë edhe funksionojmë në periudha afatgjata. Personalisht mendoj se çelësi i funksionimit për një kompani që dëshiron të dhurojë në komunitet, apo ta mbështesë atë në forma të ndryshme, është konsistenca dhe planifikimi.
10 vjetori i themelimit të “Meridian Express”: Donacioni prej 10 mijë eurosh i kompanisë për “SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë”, gjatë ceremonisë së shënimit të 10 vjetorit të miqësisë së tyre. Burimi i fotografisë: Faqja zyrtare e “Meridian Express” në rrjetin social “Facebook”
Cilat kategori të shoqërisë ndihmohen nga “Meridian Express” dhe cilat janë disa nga projektet tuaja më të mëdha?
Agon Gashi: Fokusi kryesor për kompaninë tonë janë fëmijët. Çdo kauzë që lidhet me ta, për ne është primare për t’u shqyrtuar dhe mbështetur. Pikërisht për këtë arsye ne kemi krijuar edhe bashkëpunime me organizata të ndryshme si “Down Syndrome Kosova”, “AutizmiFlet”, “SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë”, e shumë të tjera. Madje, me këtë të fundit kemi bashkëpunim afatgjatë, të cilin e kemi filluar 10 vite më parë. “Barazo Faturën” është kampanja me të cilën, me ndihmën e konsumatorëve tanë, ne mbledhim fonde që i dërgojmë tek “SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë” dhe e cila funksionon në këtë mënyrë: Shkoni në cilëndo pikë të “Meridian Express” dhe gjatë pagesës për produktet e marra, mund të dhurosh centët e mbetjes në faturë. Për shembull, nëse fatura juaj është 4 euro e 75 cent, atëherë ti mund ta rrumubllakësosh atë në 5 euro, ku 25 cent automatikisht mblidhen në fondin për këtë shoqatë. Transparenca është që në kuponin fiskal që ju e merrni, kontributi juaj regjistrohet sikurse shitja e një artikulli për të cilin ne paguajmë taksat e duhura. Kjo ka bërë që edhe konsumatorët të ndjehen më rehat dhe të na besojnë në këtë kauzë. Pastaj, sapo të mblidhet një shumë e konsiderueshme, ne menjëherë e dhurojmë te “SOS Fshatrat”. Afro 15 mijë euro është shuma që kemi arritur ta dhurojmë përmes kampanjës “Barazo Faturën”.
Pas kësaj, arsimi është fusha që ne i japim rëndësi shumë të madhe, e për çka vazhdimisht kemi mbështetur studentë të universiteteve të ndryshme. Deri më tani, shuma e bursave të dhuruara për studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë (A.U.K.) është mbi 20 mijë euro, për nxënësit e Shkollës Amerikane (ASK) janë dhuruar 5 mijë euro, mbi 2 mijë euro për Klubin Rotarian Gjakova, e bursa të tjera të shumave më të vogla. Tashmë së fundmi është nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi me Fondin Kosovar Amerikan për Arsim (KAEF), me të cilin kemi premtuar mbështetje financiare prej 25 mijë euro gjatë pesë viteve të ardhshme.
Një kauzë tjetër që ne e mbështesim është fuqizimi i grave dhe si kompani, jemi edhe nga të paktët nënshkrues të Parimeve për Fuqizimin e Grave (WEPs). Brenda kompanisë punojmë shumë që të ofrojmë trajnime, avancime dhe promovime të grave që punojnë tek ne. Madje, në të njëjtën kohë jemi duke punuar në një projekt shumë të rëndësishëm, atë “40+”, që është të ndihmojmë gratë e moshës 40 vjeçare e më shumë të futen në tregun e punës. Arsyeja është shumë e thjeshtë, shumica prej tyre 23 vite më parë kur ka ndodhur lufta kanë qenë rreth 20-30 vjeçe dhe fokusin e kanë pasur në familjet e tyre, si pasojë e çka nuk kanë pasur shumë mundësi në edukim të mëtutjeshëm apo qasje në tregun e punës. Tash disa vite më pas, pikërisht ato gra e kanë frikë qasjen në tregun e punës, pa eksperiencë. Kjo është arsyeja pse ne si kompani kemi krijuar trajnime dhe mundësi për të gjitha ato dhe ky mund të shihet edhe si një kontribut indirekt në komunitet (krijimi i vendeve të punës për një grup të ndjeshëm në shoqëri dhe më pas edhe mundësimi i mbajtjes së trajnimeve të ndryshme dhe avancimeve). Ideja e këtij projekti ka ardhur pas vizitës që kam pasur në njërën nga pikat tona në vitin 2022, kur një kolege që është mbi 40 vjeçe më ndal dhe më thotë “Ty duhet të falënderoj ditë e natë. Nuk ka të bëjë më pagë, faleminderit për pagë por nuk është ajo. Çka është e rëndësishme pse dua të falënderoj është se kam krijuar shoqëri, koleget e reja po më thërrasin për kafe, jam avancuar, i kam paratë e mija”. Aty e kuptova se si kompani duhet dhe kemi mundësi të bëjmë diçka më shumë, për çka dhe jemi takuar menjëherë me ekipet e burimeve njerëzore dhe marketingut dhe kemi krijuar projektin “40+”.
Tutje, përveç anëtarësimit në shoqatat e ndryshme që edhe përmes tyre mundohemi të japim kontributin tonë, jemi edhe anëtarë në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë. Siç e dini, tashmë është traditë të mbahet Gala Darka e Bamirësisë dhe vitin e kaluar, më 2022, kam insistuar që 20% e shumës së mbledhur të shkojë te “Linja e Jetës”, e cila është një qendër telefonike për parandalimin e vetëvrasjes e që si projekt mua më ka pëlqyer shumë.
Normalisht që “Meridian Express” herë pas here ndihmon edhe familjet në nevojë, veçanërisht gjatë festave të ndryshme përmes kampanjave si: “Dhuro edhe ti për Fitër Bajram” apo “Gëzoje për festa, dhuro edhe ti”.
Në fund, po e përmend edhe një veprim që për ne si kompani është ndër më të rëndësishmit. Në vitin 2020 ka ndërruar jetë një koleg i yni, tashmë i ndjeri Astrit Heta. Pas dy vitesh ne kemi pasur 10 vjetorin e themelimit të kompanisë dhe me lejen e familjes së tij kemi krijuar çmimin “Astrit Heta”, i cili jepet çdo vit për menaxherin/en e njërës pikë, i cili/e cila përfaqëson vlerat e korrektësisë, bashkëpunimit ekipor dhe rezultateve pozitive. Kur e kam dhënë këtë çmim për herë të parë në 2022-tën, ka qenë ndër momentet më emocionale që kam përjetuar si udhëheqës i kësaj kompanie. Përveç çmimit, “Meridian Express” çdo vit mbulon edhe një pjesë financiare për shkollimin e vajzës së tij, si shenjë falënderimi dhe respekti për kontributin që Astriti ka dhënë për kompaninë gjatë gjithë viteve sa ka qenë pjesë e saj.
Raundi i dytë i bursave nga “Meridian Express”: Ceremonia e shpalljes së 18 përfituesve për vitin akademik 2017/18, në Universitetin Amerikan në Kosovë (A.U.K.). Burimi i fotografisë: “Meridian Express”
Cilat mendoni se janë sfidat më të mëdha në fushën e filantropisë, apo me të cilat përballeni ju si kompani?
Agon Gashi: Po flas në përgjithësi: fuqizimi i trekëndëshit “shteti-shoqëria civile-bizneset”. Sfida dhe puna më e madhe mendoj që është këtu. Ka shumë projekte, por ne jemi vend i vogël dhe shumica vrapojnë pas një projekti të njëjtë. Ajo çfarë na duhet është që të kemi një platformë ku vendosen prioritetet për secilin institucion, secilën organizatë, secilin biznes. Një platformë ku dihet se kush është mbështetësi më i madh për rini, kush për gratë, e kështu me radhë, sepse ne nuk mund të mbështesim të gjitha fushat edhe nëse duam. Por në anën tjetër, duhet të shpërndahemi sa më shumë që mbështetja për kategori të ndryshme të jetë sa më e madhe. Madje edhe kush dëshiron të ndihmojë për ndonjë kauzë të caktuar, ta ketë adresën se ku të shkoj dhe si ta jap atë mbështetje.
Një gjë tjetër e rëndësishme është që të mos matet suksesi i kontributit në këtë fushë me aspektin financiar, ashtu sikurse ne nuk e masim. Suksesi duhet matur me ndikimin që ka pasur mbështetja juaj. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, transparenca. Kushdo që dhuron për komunitetin, duhet të këtë transparencën si pikë kyçe në veprimin e tyre.
A jeni duke e konsideruar ndonjë qasje tjetër për përpjekje të ardhshme filantropike?
Agon Gashi: Për shkak të rritjes së kompanisë dhe personave të përfshirë në pjesën e filantropisë, mendoj se ka ardhur koha që të përfshijmë edhe akterë të jashtëm në vendimmarrjen tonë. Si kompani jemi duke punuar edhe në themelimin e fondacionit, i cili fokus kryesor do të ketë ndikimin afatgjatë. Një gjë e tillë do të ndihmojë edhe në lehtësimin e mundësisë së bashkëpunimit me organizata e biznese tjera, për qëllimin e përbashkët, të mirën e komunitetit.
Jemi duke punuar në planifikimin e çdo gjëje në mënyrën e duhur, pasi planifikimi është arti i menaxhimit. Tutje, një pjesë e fokusit tonë është edukimi i njerëzve se çfarë është filantropia dhe vetëdijesimi i tyre se dhurimi ndaj komunitetit është një lloj përgjegjësie për këdo që e ka atë mundësi.
Kjo intervistë është bërë e mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Fotografia kryesore: Intervista me drejtorin ekzekutiv të “Meridian Express”, Agon Gashi
Meritat për fotografi: Arbër Gjoni
Leave a comment