E njohur si HandiKOS, "Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve në Kosovë" u themelua në vitin 1983, iniciuar nga një grup personashme aftësi të kufizuara, dhe Z. Halit Ferizi, i cili ishte gjithashtu kryetar i shoqatës, dhe më vonë udhëheqës i një Lëvizjeje për Personat me Aftësi të Kufizuara në Kosovë.
Për 38 vjet HandiKOS ka punuar për përmirësimin e standardit të jetesës tek personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Në intervistën tonë me ekipin e HandiKOS mësoni gjithçka në lidhje me punën, aktivitetet dhe misionin e organizatës.
Si u krijua organizata juaj? Çfarë ka ndryshuar nga fillimi deri më sot?
HandiKOS: HANDIKOS është krijuar si reagim ndaj gjendjes së vështirë në të cilën gjenden personat me aftësi të kufizuara në Kosovë. Bazuar në hulumtimet e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë konsiderohet se rreth 15% e popullsisë së botës kanë një aftësi të kufizuar.
HANDIKOS është organizata më e vjetër në vend, me aktivitete të pandërprera që nga viti 1983, dhe organizata me shtrirjen me të gjerë në Kosovë, me prani aktive në territorit. HANDIKOS, një herit është edhe organizata më me ndikim në fushën e aftësisë së kufizuar në vend.
“Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës” është themeluar në vitin 1983, me iniciativën e z. Halit Ferizi, kryetar i atëhershëm i shoqatës dhe më vonë lider i lëvizjes së aftësisë së kufizuar në Kosovë, së bashku me një grup të qytetarëve me aftësi të kufizuara.
Objektivë kryesore e kësaj Shoqate ishte përmirësimi i të drejtave dhe i standardeve të jetesës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë, përmes veprimit në fushën e mbrojtjes shëndetësore, sociale dhe të punësimit.
Që nga viti 1989, gjendja e personave me aftësi të kufizuara u keqësua me të shpejtë, gjendje të cilën e ndihmoi kriza në kontekstin politik, social dhe ekonomik. Shkatërrimi i sistemit të kujdesit shëndetësor, humbja e vendeve të punës më së shumti preku këtë grup njerëzish të cilët edhe ashtu ishin plotësisht të varur nga burimet e pakta të familjes. Një pjesë e madhe e personave me aftësi të kufizuara jetonin me pak apo pa fare ndihmë nga shërbimet e mbrojtjes sociale, ngaqë me largimin e mbajtësve të familjes nga vendet e punës humbnin edhe ato pak te drejta që kishin gëzuar deri atëherë. Kjo gjë i bëri ata plotësisht të varur nga ndihma humanitare. Situata e këtillë shtyri shoqatën që të ndërmarrë aksione me qëllim të zbutjes së situatës së Personave me Aftësi të Kufizuara duke lobuar dhe avokuar tek institucionet e sistemit paralel për të inkorporuar nevojat e Personave me Aftësi të Kufizuara në lëvizjen e gjithmbarshme popullore.
Më vonë, pra në vitin 1994 në kuadër të HANDIKOS u krijua edhe Programi i rehabilitimit të bazuar ne bashkësi (RBB).
Sikurse çdo organizatë tjetër, edhe HANDIKOS ka evoluar që nga formimi i saj. Tashmë natyrisht përfshin shumë më shumë anëtarë, ka mbështetje më të madhe nga donatorët, ka krijuar rreth më të gjerë të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Por që në thelb, vazhdon t’i qëndrojë misionit dhe qëllimit për përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara.
Cili ishte motivimi juaj për të punuar në sektorin jofitimprurës?
HandiKOS: HANDIKOS punon për dhe me personat me aftësi të kufizuara. Dhe duke marrë për bazë rrethanat të cilat janë cekur edhe në përgjigjen e parë, në mënyrën se si është krijuar organizata, natyrisht se vet grupi për të cilin punojmë, janë motiv. Pra pa rreshtur, HANDIKOS ka punuar në lobim e avokim për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, për çka edhe vazhdojmë tutje.
Si ndikoi kriza COVID-19 në punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj? Në cilat aktivitete jeni përqendruar kohët e fundit?
HandiKOS: Pandemia COVID-19 kufizoi veprimtarinë e të gjithëve, njashtu edhe të HANDIKOS-it. Si rezultat, ne u detyruam që të gjitha aktivitetet e planifikuara në kuadër të projekteve që implementojmë, t’i shndërrojmë në ato që lehtë mund të realizoheshin në forma virtuale. Pra përpos shërbimit për pajisje ndihmëse i cili është ofruar fizikisht, çdoherë duke zbatuar masat anti-COVID, të gjithë aktivitetet e tjera, qoftë me fëmijë apo të rritur me aftësi të kufizuara i patëm zhvendosur online. Ndërkohë, përgjatë lirimit të masave, ka pasur periudha kur kemi funksionuar me aktivitete edhe fizikisht, sipas udhëzimeve të institucioneve përkatëse.
HANDIKOS përpos shërbimeve që ofron, në periudhën e fundit është koncentruar kryesisht në avokim. Pra kemi realizuar kampanja për vetëdijesimin mbi qasjen infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara, kampanjë kundër dhunës ndaj fëmijëve, kampanjë për përfshirjen e fëmijëve në edukimin e rregullt, kampanjë për përfshirjen e PAK në punësim, e shumë e shumë aktivitete të tjera që synim kishin dhe kanë përmirësimin e gjendjes së këtij komuniteti në shoqërinë tonë.
Në cilat aktivitete jeni më shumë të përqendruar për momentin?
HandiKOS: Aktualisht HANDIKOS ofron shërbime të pajisjeve ndihmëse dhe shërbime psiko-sociale e fizio-terapeutike për fëmijë me aftësi të kufizuara të regjionit të Prishtinës. E në anën tjetër, kur jemi tek mbështetja ndaj të rriturve me AK, që nga nëntori i vitit të kaluar kanë qenë të angazhuar 10 persona me aftësi të kufizuara në projektin ‘Punësimi i Personave me aftësi të kufizuara në tregun e gjelbër përmes prodhimit të qeseve të ripërdorshme ‘, i cili është implementuar në bashkëpunim me The Balkan Forum.
Pra përmes këtij projekti, që nga janari, këta 10 persona u kthyen si të punësuar dhe prodhuan deri tash mbi 2000 strajca shumëpërdorimëshe, që si qëllim kanë mbrojtjen e mjedisit. Po mbesim me shpresën që ky projekt do të vazhdojë dhe do të gjejmë përkrahje financiare, në mënyrë që edhe puna e tyre të vazhdojë po ashtu.
Si financohet organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj?
HandiKOS: Organizata HANDIKOS financohet kryesisht prej projekteve që të cilat na ofrohen nga donatorë të jashtëm, kryesisht nga organizata ndërkombëtare, siç është UNICEF, Save the Children, SIDA, KYNYSS, po ashtu kemi projekte edhe nga Bashkimi Evropian, e shumë pak nga ato që vijnë prej institucioneve publike të Kosovës.
Mbështetja ndaj punës së HANDIKOS mund të jetë kryesisht përmes projekteve, donacioneve, por edhe jashtë asaj materiales, siç është avokimi e lobimi që ndikojnë në avancimin e situatës së PAK në Kosovë.
Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Kosovë?
HandiKOS: HANDIKOS mision të vetin ka avancimin e realizimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Si rezultat, ne vazhdimisht lobojmë dhe avokojmë dhe promovojmë mirëqenien dhe rritjen e standardit të jetesës së PAK. Përvec iniciativave tona si organizatë, punojmë ngushtë dhe mbështesim institucionet e Republikës së Kosovës, në veçanti hartimin e implementimin e politikave që garantojnë mirëqenien e qytetarëve me aftësi të kufizuara dhe shoqërisë në përgjithësi.
A bashkëpunoni me organizata të tjera jofitimprurëse? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë?
HandiKOS: Po, HANDIKOS është çdoherë i hapur për të bashkëpunuar me gjitha organizatat në vend, për çfarëdo çështje që mund të sjellë dobi në punën dhe synimin e përbashkët. Me organizatat me të cilat kemi bashkëpunim më të ngushtë janë ato të aftësisë së kufizuar kryesisht, siç është Shoqata e të Verbërve dhe të Shurdhërve, Forumi i Aftësisë së Kufizuar, me të cilat jemi duke implementuar edhe një projekt të përbashkët të financuar nga Bashkimi Evropian. Por jo vetëm këto, por edhe më shumë e shumë organizata të tjera vendore por edhe ndërkombëtare.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?
HandiKOS: Sfida më e madhe për ne si organizatë vazhdon të mbetet ofrimi i shërbimeve, të cilat nuk kanë qëndrueshmëri për shkak të mungesës së financimit direkt nga institucionet shtetërore. Prandaj është më se e domosdoshme që të arrijmë përkrahje financiare, të paktën për shërbimet ndaj fëmijëve dhe të rriturve, pasi që HANDIKOS është dera e parë dhe e vetme ku ata mund të trokasin për marrje të shërbimeve pa asnjë kosto.
Sfide tjetër, është stabiliteti politik, vullneti dhe gatishmëria e Institucioneve vendore në zbatimit e ligjeve, krijimin e ligjeve te reja duke pasur parasysh gjithmonë qasjen ne te drejta e jo sikurse deri me tani ku Institucionet tona personat me aftësi te kufizuar i shohin duke u bazuar ne modelin bamirës dhe mjekësor.
Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vij në vazhdim?
HandiKOS: Duke qenë shoqatë e Personave me Aftësi të Kufizuara për Personat me Aftësi të Kufizuara, përveç ofrimit te shërbimeve, HANDIKOS është partner kryesor i institucioneve qeveritare në hartimin e politikave që kanë të bëjnë me çështjet e këtij grupi të shoqërisë në nivel kombëtar dhe lokal. Përveç kësaj, organizata është edhe promovuesi kryesor në shtyrjen dhe zhvillimin e proceseve lidhur me Personat me Aftësi të Kufizuara, si implementimi i politikave dhe promovimi dhe përmbushja e të drejtave. Organizata e arrin këtë duke marrë pjesë aktivisht në mekanizmat institucionalë, si në Këshillin Nacional për Personat me Aftësi të Kufizuar, Komisionet e ndryshme Parlamentare, Inicimin e Ligjeve dhe nxjerrjen e akteve nën-ligjore, zhvillimin e planit Nacional dhe lokal për personat me aftësi të kufizuar, duke dhënë kontribute aktive në Raportet Kombëtare dhe Ndërkombëtare për të drejtat e Njeriut, Komisionin për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, që është mekanizëm operativ. Këtë e konsiderojmë suksesin me te madh deri ma tani. Ne vijim do te vazhdojmë drejt impmentimit te strategjisë dhe programeve të HANDIKOS.
Leave a comment