Partnerët Shqipëri me 11 dhjetor kanë hapur thirrjen për Çmimet e Filantropisë 2018. Afati i fundit për dorëzimin e nominimeve është më 18 janar 2019.

Partnerët Shqipëri i ka ndarë çmimet e filantropisë që nga viti 2011. Ashtu si shumë çmime të ngjashme, këto gjithashtu nuk janë vetëm një mënyrë për të njohur dhe promovuar individë dhe kompani që në njëfarë mënyre kanë ndihmuar në përmirësimin e jetës në shoqëri, por gjithashtu një platformë për vendosjen e tyre si një shembull për të tjerët.

Nominimet mund të dorëzohen deri më 18 janar. Kompanitë dhe individët mund të nominohen nga dikush tjetër, ose janë të mirëpritur për të nominuar veten. Të nominuarit duhet të jenë nga ata që:

  • Tregojnë ndjeshmëri dhe kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve lokale, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin social dhe ekonomik;
  • Mbështesin vazhdimisht organizatat jofitimprurëse, institucionet, komunitetet dhe individët, në mbështetje të një të mire të përbashkët;
  • Ushtrojnë aktivitetet e tyre në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me standardet etike ndaj komunitetit, mjedisit ose personelit të shoqërisë së tyre;
  • Demonstrojnë rezultate të qarta dhe të matshme të kontributit të dhënë deri në kohën e emërimit;
  • Kanë një mbulim gjeografik lokal ose kombëtar në aktivitetin e tyre filantropik.

Kategoritë për të cilat mund të bëni propozimet tuaja për Çmimin për Filantropinë janë:

  • Çmimi për Kompani me Kontribut në Nivel Kombëtar
  • Çmimi për Kompani me Kontribut në Nivel Lokal 
  • Çmimi për Kontributin si Individ

Vlerësimi për propozimet do të bëhet nga një juri me përfaqësim gjithpërfshirës nga sektori i shoqërisë civile, medias dhe institucioneve mbështetëse me programe zhvillimi ekonomik dhe social në Shqipëri.

Për të dhënë propozimin tuaj plotësoni Formularin e propozimit dhe dërgojeni me email në: partners@partnersalbania.org, ose me postë në adresën: Rruga Sulejman Delvina, N.18, H.8, Ap. 12, Njësia Bashkiake 5, Kodi Postar 1022, Tiranë, Kutia Postare (PO Box) 2418/1, Tiranë, Shqipëri.

Njihni një individ apo kompani që bën vepra të mira për të tjerët dhe komunitetin? Nominojini!