Partnerët Shqipëri organizuan në datat 25-26 maj 2017 në Tiranë, konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2017”.
Ky ishte viti i gjashtë që Partnerët Shqipëri organizon këtë konkurs i cili synon të mbështesë nisma biznesi që promovojnë përfshirjen sociale, integrimin, punësimin dhe zhvillimin ekonomik lokal nëpërmjet një qasjeje miqësore ndaj mjedisit.
Risia qëndron në bashkëpunimin dhe krijimin e një fondi të përbashkët të krijuar nga dhurime të kompanive vendase dhe institucioneve donatore ndërkombëtare.
Idetë fituese janë:
- “Art Recycling”, ideja e Qendrës Burimore të Alternativave të Zhvillimit, e cila synon ngritjen e një biznesi të vogël për prodhimin dhe shitjen e objekteve/produkteve të ndërtuara me materiale të riciklueshme. Ideja synon gjithashtu krijimin e mundësive për të rinjtë që të trajnohen dhe të mësojnë artin përmes riciklimit, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit për përdorimin e materialeve të riciklueshme.
- “Prodhim dhe Tregtim produkte Aroma Therapy”, ideja e Aroma Therapy Albania, një biznes i vogël që synon të krijojë një linjë produktesh kozmetike aroma-terapike autentike shqiptare, të shëndetshme dhe pa kimikate, të prodhuara nga burime natyrore lokale.
- “Sofra e Anéve”, ideja e Fondacionit Gjirokastra, e cila synon të zhvillojë ture të turizmit të kulinarisë në Gjirokastër, duke u mbështetur në traditën e pasur të “gatimeve të shtëpisë” dhe produktet e kopështeve. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj ideje synohet nxitja e prodhimit të produkteve bujqësore lokale, diversifikimi i shërbimeve turistike dhe rritja e punësimit.
Secila nga idetë fituese do të mbështetet financiarisht deri në shumën 800.000 Lekë. Dy nga idetë fituese do të bashkëfinancohen nga Banka Credins dhe Telekom Albania.
Burim: http://partnersalbania.org