Plot 54 fundjava në shërbim të qindra familjeve në nevojë në harkun kohor të vetëm një viti. Bëhet fjalë për “Fundjavë Ndryshe”, ideuar nga Arbër Hajdari, një student 21 vjeçar i Universitetit “Luarasi”, që ka ndezur një dritë shprese për familjet e varfra në të gjithë Shqipërinë.

Arbër Hajdari me stafin e “Fundjavë Ndryshe” kanë vendosur qe kohën e lirë t’ia kushtojnë bamirësisë. Pjesë e “ Fundjavë Ndryshe” u bë edhe Universiteti “ Luarasi” që me politikat e tij sociale ka kontribuuar dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj nisme për të qenë sa më pranë njerëzve në nevojë.

Në kuadër të leksioneve të hapura, Arbri, së bashku me kolegë të tij të “Fundjavë Ndryshe”, do të ndajnë vizionin e tyre me studentë të sapoardhur te “Luarasi”. Veç kësaj, universiteti do të jetë pjesë e nismave të bamirësisë në disa familje të varfra e po ashtu ka vënë në dispozicion bursë për studentët nga familje në nevojë. 
Për t’u njohur me punën e fondacionit në aktivitetin e djeshëm u prezantua edhe libri “Bota me fundjavën”.