Fabrika për prodhimin e letrës “Freesia” është e vetmja në rajon me mision punësimin e personave me aftësi të kufizuara. E themeluar më 19 maj 2023 dhe më një staf aktual prej 10 të punësuarve, kjo fabrikë prodhon letër kuzhine dhe tualeti, të cilat shiten në rreth 950  pika në të gjithë Kosovën.

Drejtori i fabrikës, Endrit Rexhaj, thotë se “Freesia” është themeluar nga Fondacioni Golden Eagle dhe se i gjithë procesi ka zgjatur pothuajse dy vite.

“Inspirimi për themelimin e fabrikës ka ardhur nga unë. Kam qenë pjesë e kompanisë “Frutex” për shtatë vite, në sektorin e IT-së. Aty e kemi filluar diskutimin dhe kemi ndërmarrë hapin e hapjes së fabrikës për punësimin vetëm të personave me aftësi të kufizuara, e gjitha e financuar nga Fondacioni Golden Eagle. Janë dashur përafërsisht dy vite që të jetësohet ideja, kurse tashmë janë bërë një vit që operojmë në treg. Kemi filluar me dy punëtorë, përderisa aktualisht kemi dhjetë të punësuar. Pra, jemi duke u rritur gradualisht dhe pretendojmë të rritemi ende, pasi kapacitetet janë që numri i të punësuarve të arrijë diku në 30”, ka thënë ai, duke shtuar edhe se themelimi i kësaj fabrike, deri në funksionalizimin e tërësishëm të saj, i ka kushtuar fondacionit rreth 1 milionë euro.

“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, kemi filluar punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ne jemi të vetëdijshëm se të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë në Kosovë nuk respektohen sa duhet. Madje, as nuk kanë mundësi për të punuar. Jemi diku vetëm tre persona që kemi eksperiencë pune edhe më herët, kurse për të gjithë të tjerët kjo është hera e parë që janë kyçur në treg të punës. Se si kemi arritur deri tek ta, është se kemi filluar me fushata të ndryshme të marketingut në rrjete sociale, kemi kontaktuar me shoqatën “Handikos”, ku edhe prej tyre kemi marr rekomandime që pastaj kanë rezultuar me punësimin e personave të caktuar”, bëri të ditur Rexhaj.

Drejtori i fabrikës ka thënë se zgjedhja e prodhimit të letrave higjienike dhe ambalzhës së kartonit si produkte për t’u prodhuar nga kjo kategori e shoqërisë, është bërë pasi që i kanë parë si më të lehta për t’u punuar.

“Arsyeja pse është vendosur të prodhohen letër e tualetit dhe letër e kuzhinës, si dhe të punohet me ambalazhin e kartonit në të njëjtën kohë, është fakti se janë produkte të cilat prodhohen më së lehti. Për me tepër, gjëja kryesore ka qenë që personave me aftësi të kufizuara t’u ofrohet një mundësi me kushtet më të lehta për punën që e bëjnë. Ne jemi të vetëdijshëm se tregu është i stërngarkuar me këto dy lloje të produkteve, por kjo nuk ka qenë problem që ne t’i zgjedhim të njëjtat, pasi që e kemi parë si një projekt unik që do të ndihmojë një kategori mjaft të rëndësishme të shoqërisë. Për ne ka qenë më e nevojshme që këtyre personave t’ua mundësojmë një vend të punës, sesa të  kemi qëllim kryesor përfitimin personal”.

Tutje, ai bëri të ditur se “Freesia” financohet kryesisht nga të hyrat që gjeneron me shitjen e produkteve, por edhe me ndihmë të fondacionit.

“Pjesa më e madhe e të hyrave gjenerohet nga vet puna jonë. Ne na duhet që t’i shesim produktet sa më shumë, ashtu që në atë mënyrë të rriten edhe financat tona dhe të hapim vende të reja të punës. Ne shesim produktet tona në diku rreth 950 pika në të gjithë Kosovën. Nuk jemi prezent në disa rrjete të mëdha të marketeve, pasi pavarësisht faktit se kemi pasur interesim për një gjë të tillë, nuk kemi gjetur bashkëpunim”.

I njëjti shtoi se janë duke menduar edhe zgjerimin e linjave të prodhimit me disa lloje tjera të produkteve.

“Normalisht, jemi duke punuar që si kompani të zhvillojmë ide për projekte, të cilat do ta zgjeronin ndikimin në shoqëri, si dhe do të na ndihmonin në rrugën drejt prodhimit të ndonjë produkti të ri. Duke u lidhur me këtë, po e theksoj se janë dy mënyra se si mund të ndihmohet kjo fabrikë dhe të rritet numri i të punësuarve: marrja e ndonjë projekti nga ndonjë organizatë, normalisht me punën tonë, si dhe blerja e produkteve nga qytetarët e Kosovës”.

Në fund, Rexhaj theksoi se si fabrikë janë munduar që të punësuarve tu ofrohen kushte të mira të punës, duke përfshirë shujta ditore me ushqim, sigurim shëndetësor, orar të punës sipas ligjit, kontrata të punës dhe një pagë mesatare rreth 650 euro.

Një gjë të tillë e pohon edhe punëtori i kësaj fabrike që nga themelimi, Elmi Qamili.

“Unë punoj në këtë fabrikë që nga themelimi. “Handikos” më ka njoftuar për këtë mundësi, kam aplikuar, jam ftuar ne intervistë dhe jam pranuar në punë. Kushtet e punës janë shumë të mira, pasi kemi sigurim shëndetësor, pagë të mirë, ushqim gjatë ditës. Madje, kemi edhe përfitime shtesë, sikurse letrat të cilat i prodhojmë dhe pije pa pagesë. Pra, nuk është që na mungon diçka. Më e mira është që edhe me kolegët kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë. Jemi si një familje tashmë këtu”, u shpreh ai.

Qamili shtoi se kjo fabrikë është një shembull i mirë, që duhet ndjekur edhe nga të tjerët.

Meritat për fotografi: Arbër Gjoni
 

Kjo intervistë është bërë e mundur nga mbështetja bujare e popullit amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja është përgjegjësi e Catalyst Balkans dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Programi për Angazhim Qytetar në Kosovë është një iniciativë pesë vjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).