Gjatë vitit 2021, Catalyst Balkans regjistroi donacione në vlerë prej rreth 2.220.000 euro, të mbledhura përmes 243 rasteve të dhurimit. Shuma e dhuruar për banor ishte 1,2 euro.

Individët bujarë mbetën lloji më aktiv i donatorëve në vitin 2021, me një përqindje prej pothuajse gjysmën e të gjitha rasteve të dhurimit. Pjesa më e madhe e këtyre donacioneve ishin nga donatorët e diasporës.

Sektori i korporatave ishte më pak aktiv në krahasim me vitin e pandemisë – me një pjesëmarrje prej 14% të të gjitha rasteve të dhurimit në vitin 2021. Në dhurimin vetëm për shtetin, kjo përqindje është më e lartë: 30%, që tregon se sektori i korporatave ishte më aktiv në donacionet e drejtuara ndaj shtetit, në krahasim me dhurimin për sektorin jofitimprurës (16%). Megjithatë, kur e vëzhgojmë vlerën monetare të donacioneve, kompanitë dhe ndërmarrjet evogla dhe të mesme ishin më bujarët – duke marrë pjesë në më shumë se dy të tretat e vlerës totale të dhuruar. Disa nga kompanitë që iniciuan numrin më të madh të rasteve të dhurimit ishin Petrol Company, NLB Bank Kosova, Frutex Company etj. Mirëpo, një rast dhurimi në vlerë prej një milion eurosh - nga kompania Frutex, gjeneroi shumicën e kësaj pjese, dhe kur përjashtohet ky rast dhurimi, pjesëmarrja e sektorit të korporatave në shumën totale të dhuruar është dukshëm më e ulët (12%).

Gjatë vitit paraprak, sektori i korporatave ka pasur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e arsimit në drejtim të dhurimit të pajisjeve të teknologjisë informative. Disa nga donacionet që ranë në sy ishin dhurimi i një laptopi dhe dhjetë kompjuterëve desktop, për kabinetin e IT-së të shkollës 17 Shkurti në Banjë, nga kompania Hazrolli, si dhe dhurimi i pesëdhjetë kompjuterëve për SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, dhe pesëmbëdhjetë kompjuterë me pajisje përcjellëse në shkollën fillore Dëshmorët e Vitisë nga Korporata Energjetike e Kosovës – KEDS.

Efektet e synuara të dhurimit

Donacionet e njëhershme përbënin më shumë se gjysmën e rasteve të dhurimit në vitin 2021. Një pjesë e madhe e rasteve të donacioneve të njëhershme ishin në formën e të mirave dhe materialeve të konsumit, si pako humanitare me ushqime dhe produkte higjienike për familjet e me status të dobët social. Pothuajse gjysma e donacioneve ishin në formën e të mirave materiale që janë dhuruar gjatë festave. Nëse vëzhgojmë vlerat monetare të donacioneve, dhurimi i njëhershëm gjeneroi 28% të shumës. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume është dhuruar për trajtime mjekësore, prej të cilave një shembull i dhurimit që bie në sy është fushata e fondacionit Labinot Tahiri për trajtimin e dy personave të lënduar nga shpërthimi në Ferizaj – për të cilët janë mbledhur 100,000 euro.

Nga ana tjetër, mbështetja afatgjatë si pajisje, investime kapitale, bursa, etj., ka pasur një rritje në përqindje krahasuar me vitin e pandemisë, duke arritur pjesëmarrje në një të tretën e të gjitha rasteve të dhurimit. Megjithatë, kjo përqindje është pak më e vogël se në vitin 2019. Donacionet afatgjata më së shpeshti janë destinuar për mbështetjen e arsimit, kryesisht në formën e bursave. Pajisjet ishin gjithashtu një formë e përhapur e mbështetjes afatgjatë në vitin 2021. Konkretisht, një e treta e të gjitha donacioneve afatgjata ishin donacione në pajisje, të tilla si pajisje ndihmëse, pajisje mjekësore, pajisje IT për shkollat dhe të tjera.

Mësoni më shumë për ngjarjet humanitare dhe shembujt e praktikave të mira në raportin “Kosova dhuron 2021”.