SOS Fshatrat e Fëmijëve ka qenë të pranishëm në Shqipëri që nga viti 1995, duke siguruar një shtëpi të dashur për fëmijët që kanë humbur kujdesin prindëror dhe duke përforcuar familjet më të rrezikuara në mënyrë që ata të mund të qëndrojnë së bashku.

Organizata gjithashtu ofron mbështetje praktike dhe psikologjike për të rinjtë përderisa ata përfundojnë studimet dhe përmirësojnë aftësitë e tyre. Ata bashkëpunojnë me bizneset lokale në Tiranë dhe rrethinë në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi për punë praktike, bursa dhe trajnime profesionale.

Në intervistën me Blerina Bllaca - Corporate Fundraiser në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri, do të mësoni gjithçka në lidhje me përpjekjet e organizatës për të siguruar një shtëpi të dashur për çdo fëmijë.

Si u krijua organizata juaj? Çfarë ka ndryshuar nga fillimi deri më sot?

Blerina: Fshati i parë i Fëmijëve SOS u themelua nga Hermann Gmeiner në Tirol të Austrisë, në vitin 1949. Si një punonjës i mirëqenies së fëmijëve, Gmeiner pa se si vuanin fëmijët jetimë si rezultat i Luftës së Dytë Botërore. Ai u përkushtua për t’i ndihmuar ata duke ndërtuar familje të dashura dhe komunitete mbështetëse. Me mbështetjen bujare të donatorëve, sponsorëve të fëmijëve, partnerëve dhe miqve, vizioni i Gmeiner për të siguruar kujdes të dashur në një mjedis familjar për fëmijët pa kujdes prindëror dhe për të ndihmuar familjet të qëndrojnë së bashku në mënyrë që ata të kujdesen për fëmijët e tyre, është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë shtatë dekadave . Sot, SOS Fshatrat e Fëmijëve është një organizatë aktive në 136 vende dhe territore të të gjithë botës, ku përfshihet edhe Shqipëria, duke ndihmuar qindra mijëra fëmijë çdo vit përmes kujdesit alternativ, fuqizimit të familjes, shkollave, qendrave shëndetësore dhe punë të tjera të bazuara në komunitet.

Cili ishte motivimi juaj për të punuar në sektorin jofitimprurës?

Blerina: Kur je ende në bankat e shkollës dhe ëndërron se cila do të jetë karriera e ëndrrave të tua, mendja herë të krijon një labirinth opsionesh  – nga të cilat nuk di ç’të zgjedhësh – e herë të boshohet. Gjëja e vetme mbi të cilën kam qenë gjithnjë e sigurtë sa i përket karrierës sime profesionale, ka qenë dëshira që puna ime e përditshme të ketë një ndikim kuptimplotë dhe pozitiv tek njerëzit dhe komuniteti që më rrethon. Kështu që, ku më mirë se sa në sektorin jo-fitimprurës, mund ta vija në praktikë këtë ëndërr? Ky është një sektor pune që jo vetëm i vjen në ndihmë individëve dhe komuniteteve në nevojë, por gjithashtu mbështetet dhe zhvillon punonjësit për t’i ndihmuar që të kenë një ndikim edhe më të madh në misionin e tyre të përditshëm.

Si ndikoi kriza COVID-19 në punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj? Në cilat aktivitete jeni përqendruar kohët e fundit?

Blerina: Në këto kohë të pashembullta kur pandemia COVID-19 vijon të përhapet dhe të ndikojë pothuajse në çdo individ dhe organizatë në të gjithë botën, edhe ne jemi prekur në mënyrë direkte dhe indirekte. Pavarësisht vështirësive, SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri është mirë-organizuar dhe ka reaguar me shpejtësi për të mbajtur të sigurtë stafin dhe komunitetet ku operon. Ne kemi vijuar të përmbushim misionin tonë për të ofruar një familje të ngrohtë dhe një mjedis të sigurtë për fëmijët pa kujdes prindëror, si edhe për të ndërtuar komunitete të qëndrueshme. Ne gjithashtu kemi reflektuar masat strikte dhe pasojat e pandemisë në aktivitetet tona, në mënyrë që të jemi më të përgatitur për çdo eventualitet të mundur. Nga ana tjetër, kjo kohë sfiduese paraqet gjithashtu një mundësi të shkëlqyer për të mësuar dhe për t’u rritur së bashku si profesionistë jofitimprurës. Punojësit e SOS Fshatrave të Fëmijëve në të gjithë botën po shkëmbejnë ide, po mësojnë të provojnë gjëra të reja, duke ndarë përvoja dhe mësime.

Në cilat aktivitete jeni më shumë të përqendruar për momentin?

Blerina: Situata e krijuar nga Covid-19 ka zhvendosur fokusin e organizatës sonë drejt prioritizimit të projekteve që u përgjigjen pandemisë, pasi edhe nevojat e përfituesve tanë janë rritur ndjeshëm. Ndër prioritetet kryesore aktuale me në fokus të gjithë fëmijët e Fshatit SOS, stafin direkt, si edhe familjet e komuniteteve ku operojmë mund të përmendim:

  • Mbështetjen shëndetësore parandaluese ndaj Covid-19, përmes blerjes së maskave, vitaminave dhe materialeve dezinfektuese);
  • Mbështetjen edukative, përmes blerjes së paketave shkollore dhe pajisjeve IT për të siguruar shkollimin online të fëmijëve;
  • Mbështetjen psikosociale, përmes ofrimit të kurseve të logopedisë dhe spektrit të autizmit për fëmijët që vuajnë prej tij, përmes aktiviteteve të ndryshme rekreacionale në grupe të vogla etj;
  • Mbështetjen agrokulturore dhe blegtoriale përmes blerjes së fidanëve dhe farave bujqësore, si edhe një sasi të vogël krerësh, për të siguruar mirëushqyerjen e familjeve në komunitetet ku operojmë.

Është një periudhë gjatë së cilës kemi kërkuar dhe vijojmë të kërkojmë mjete financiare për të ndihmuar në zvogëlimin e  ndikimit të kësaj pandemie dhe për t’iu përgjigjur efekteve të saj të shumta në komunitetet ku operojmë.

Si financohet organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj?

Blerina: Organizata jonë bazohet në dy linja kryesore financimi – fondet ndërkombëtare, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga “Hermann Gmeiner Foundation” me seli në Mynih, si edhe fondet lokale, falë partneriteteve me ambasadat e akredituara në vend, kompani e individë të ndryshëm, si edhe mekanizmat ndërkombëtare të BE-së dhe OKB-së.  Ne jemi një organizatë që çojmë përpara misionin tonë falë donacioneve. Ekzistojnë forma të ndryshme për të mbështetur punën e organizatës, për ta bërë shoqërinë ku jetojmë më të bukur duke mbështetur fëmijët pa kujdes prindëror. Ndër to mund të përmenden donacionet në para, donacionet në produkte, donacionet në shërbime, grante projektesh nga mekanizma ndërkombëtarë etj.

Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Shqipëri?

Blerina: SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri po zëvendëson metodën konvencionale të dhënies së granteve afatshkurtra për zbatim të shpejtë, me implementimin e partneriteteve strategjike, për të krijuar një ndikim domethënës afatgjatë në një mënyrë inovative. Së bashku me partnerët tanë, ne po implementojmë ato çka quajmë programet e investimeve me ndikim social, të cilat jo vetëm realizojnë ndryshime pozitive shoqërore, por edhe përfitime financiare për donatorët tanë, falë transferimit të imazhit pozitiv për kompanitë e tyre.

A bashkëpunoni me organizata të tjera jofitimprurëse? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë?

Blerina: SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri bashkëpunon me organizatat dhe rrjetet kryesore në vend që punojnë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, por jo vetëm.  Organizata jonë është gjithashtu anëtare e rrjetit kryesor për të rinjtë “Zëri i të Rinjve” dhe rrjetit BKTF (Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve). Bashkëpunojmë dhe kemi pasur marrëdhënie kontraktuale me disa organizata lokale dhe ndërkombëtare si UNFPA, Save the Children, Terre des Homme, GIZ, TLAS, Nisma, SHKEJ etj.

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?

Blerina: Në një vend si Shqipëria, me më pak se 3 milionë banorë dhe që regjistron mbi 12.000 organizata joqeveritare aktive, mbledhja e fondeve të mjaftueshme dhe të vijueshme lokale është shumë e vështirë. Mungesa e politikave të mirëfillta të CSR në pjesën dërrmuese të kompanive të pranishme në vend na kufizojnë shpeshherë në aftësitë tona për mobilizimin e burimeve lokale. Gjithashtu, donatorët aktualë mund të ndryshojnë përparësitë dhe të tërheqin fondet.

Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vijë në vazhdim?

Blerina: Gjatë 70 viteve pune të përkushtuar, SOS Fshatrat e Fëmijëve ka mbështetur mbi 4 milion fëmijë përmes kujdesit alternativ dhe programeve të fuqizimit të familjes, një numër domethënës në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria. Në vend që të vendosen në jetimoret tradicionale, ku fëmijët marrin kryesisht përkujdesje institucionale, forma e përkujdesjes SOS u mundëson fëmijëve të mos ndahen nga motrat e vëllezërit biologjikë dhe u jep mundësinë të jetojnë në grup-familje të vogla, me një kujdesdhënës të dedikuar (prindi SOS) i cili merr rolin e prindit për ta. Për ne, çdo ditë pune, çdo fëmijë i pranuar, çdo jetë e transformuar, përbën një sukses domethënës. Ndikimi ynë pozitiv në jetën e fëmijëve ka qenë i mundur vetëm falë shumë njerëzve që kujdesen dhe mbështesin organizatën tonë. Ndaj do të vijojmë të çojmë përpara premtimin që asnjë fëmijë të mos mbesë i vetëm dhe të rritet në një mjedis të sigurtë e të ngrohtë, si një individ i barabartë i një komuniteti që e mbështet.