Partnerët Shqipëri është një OJQ e pavarur shqiptare e themeluar në vitin 2001, që punon për të mbështetur shoqërinë civile dhe për të lehtësuar bashkëpunimin ndër-sektorial me qëllim që të përforcojnë institucionet demokratike dhe për të avancuar zhvillimin ekonomik.

Partners Albania është anëtar i Partners Network, si dhe Euclid, BCSDN, ECAS, DIESIS, ANNA LINDH, etj.

Kostandina Këruti, Menaxhere e Programit na tregoi më shumë rreth misionit, aktiviteteve, programeve dhe arritjeve të organizatës.

Si u krijua organizata juaj? Çfarë ka ndryshuar nga fillimi deri më sot?

Kostandina: Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim është një organizatë lokale e themeluar në vitin 2001, që mbështet shoqërinë civile dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndër-sektorial me qëllim forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e zhvillimit ekonomik.

Në fillimet e veta organizata quhej Partnerët Shqipëri – Qendra për Ndryshim dhe Manaxhim Konflikti, me mision përparimin e shoqërisë civile dhe sjelljen e një kulture ndryshimi dhe manaxhimi konflikti. Fondacioni u krijua në bashkëpunim me Partnerët për Ndryshim Demokratik (tashmë e quajtur Partnerët Global) një organizatë ndërkombëtare e vendosur në SHBA, e angazhuar për ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme lokale për përparimin e shoqërisë civile dhe demokratike në botë. Që prej krijimit të saj, Partnerët Shqipëri ka bashkërenduar programe që kanë patur për qëllim avancimin e demokracisë dhe shoqërisë civile në Shqipëri nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve lokale e individuale, dhe mundësinë e bashkëpunimit efektiv brenda sektorit, si dhe aktorëve të tjerë.

Ky vit përkon me 20 vjetorin e rrugëtimit tonë dhe sigurisht organizata ka evoluar për t`u përgjigjur në kohë dhe me ndërhyrje novatore, nevojave e kërkesave të shoqërisë sonë. Përpjekjet tona gjatë gjithë këtyre viteve kanë kontribuar në drejtim të një sektori jo-fitimprurës më transparent, të qëndrueshëm dhe vital; një bashkëpunimi më të fuqishëm ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe autoritete publike, qofshin këto në nivel qendror apo vendor, në përpjekjet e tyre për një qeverisje më efektive dhe transparente dhe shërbime më të mira ndaj publikut; si dhe për përfshirjen aktive dhe të përgjegjshme të qytetarëve në zhvillimin e komunitetit. Zhvillimi i aktivitetit filantropik, nisma për të mbështetur sipërmarrjen dhe novacion social kanë kontribuar për të avancuar integrimin dhe punësimin e grupeve të marxhinalizuara dhe zhvillimin  ekonomik lokal.

Cili ishte motivimi juaj për të punuar në sektorin jofitimprurës?

Kostandina: Mjedisi mundësues dhe zhvillimi i qëndrueshëm i shoqërisë civile është një ndër fushat kryesore të punës së Partnerëve Shqipëri. Forcimi i vitalitetit të sektorit të shoqërisë civile në Shqipëri për t’iu përgjigjur më efektivisht nevojave të ndryshme sociale për zhvillim në tërë vendin ka qenë motivimi ynë që në fillimet e punës sonë. Gjithashtu, Partnerët synon të fuqizojë OJF-të për zhvillimin e standardeve të performancës dhe rritjen e besueshmërisë, transparencës dhe imazhit publik të sektorit, në forcimin e demokracisë, zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në BE, si dhe fuqizimi i lidershipit në komunitete lokale (grupe lokale dhe individë), për një shoqëri civile më aktive dhe të qëndrueshme, me impakt të rëndësishëm në forcimin e demokracisë.

Si ndikoi kriza COVID-19 në punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj?

Kostandina: Pandemia globale e shkaktuar nga COVID – 19 ndikoi në veprimtarinë e të gjithë organizatave kudo në botë. Partnerët Shqipëri që në fillim të rasteve të para të shpallura të pandemisë, respektoi masat e qeverisë dhe i gjithë aktiviteti vazhdoi sipas planit, por online. Kjo është edhe si masë e rëndësishme kujdesi për punonjësit e saj dhe të gjithë atyre individëve dhe institucioneve që punojnë me ne. Duke qenë një organizatë burimore për shoqërinë civile si dhe manaxhuese e disa skemave nën-grantimi me organizatat e shoqërisë civile dhe sipërmarrjet sociale, kriza e shkaktuar nga COVID-19 ndikoi në një mobilizim më të lartë nga ana jonë! Përveç aktiviteteve tona të planifikuara, kontakte të ngushta mbajtën edhe me përfituesit e granteve për të diskutuar mënyrën më të mirë të mundshme për t’iu përshtatur situatës dhe për t’i mbështetur ata. Për të ofruar informacione të rëndësishme për sektorin në lidhje me COVID-19, Partnerët Shqipëri përshtati faqen e saj të internetit me një dritare të re të etiketuar COVID-19 ku ofroi informacione mbi masat e qeverisë, masat dhe udhëzimet që prekin OJF-të, lidhjet kryesore në faqet e internetit që raportojnë mbi pandeminë, histori frymëzuese dhe novatore që po ndodhin në Shqipëri dhe në botë. Gjithashtu, Partnerët Shqipëri përgatitën dy paketa të mbështetjes për sektorin e OJF-ve në kushtet e emergjencës COVID-19, duke siguruar përdorim falas të platformave online për grupet e shoqërisë civile dhe ofruar trajnim mbi përdorimin e platformave të tilla për të mbështetur veprimtarinë e tyre.

Edhe pse distancimi fizik si ndikim i pandemisë ndryshoi mënyrën tonë të organizimit të aktiviteteve dhe kontaktin e drejtpërdrejt me përfituesit dhe bashkëpunëtorët tanë, kriza gjithashtu na dha mundësi të reja për të zhvilluar programe për ngritje kapacitetesh mbi përdorimin  e teknologjive nga OJF-të dhe përshtatjen e proceseve të monitorimit dhe vlerësimit përmes formës online.

Në cilat aktivitete jeni më shumë të përqendruar për momentin?

Kostandina: Aktivitetet e Partnerëve Shqipëri organizohen në linjë me programet strategjike të ndërhyrjes së saj. Katër fushat strategjike mbi të cilat aktivitetet e Partnerëve Shqipëri po zhvillohen janë: 1) krijimi i një mjedisi mundësues dhe zhvillimi i qëndrueshëm i shoqërisë civile, 2) qeverisje me pjesëmarrje transparente dhe e përgjegjshme; 3) aktiviteti filantropik dhe infrastruktura mbështetëse dhe 4) sipërmarrja dhe novacioni social. Aktivitetet për momentin janë fokusuar drejt kërkimit, proceseve monitoruese, udhëheqjes së debatit dhe ndërtimit të dialogut ndër sektorial për të mbështetur bashkëpunim dhe zhvillimin e politikave për një shoqëri civile më aktive dhe të qëndrueshme, me impakt të rëndësishëm në forcimin e demokracisë bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare.

Si financohet organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj?

Kostandina: Gjatë këtij rrugëtimi 20-vjeçar, Partnerët Shqipëri ka patur shumë mbështetës, partnerë dhe donatorë. Partnerët Shqipëri financohet nga donatorët bilateral, multilateral, institucione private filantropike, agjencitë e huaja të zhvillimit dhe bashkëpunimit që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri. Krijimi i partneriteteve dhe diversifikimi i burimeve te financimit është një nga qëllimet tona. Që prej vitit 2005, Partnerët Shqipëri ofron shërbimet me pagesë për sektorin e biznesit konsitojnë në: vlerësimin e nevojave për trajnime; zhvillimin dhe ofrimin  e programeve të trajnimit; sesione asistence dhe mentorimi; dhe lehtësim dialogu dhe procesesh. Shërbimet targetojnë oficerët e rinj dhe të mesëm; manaxherët e mesëm dhe nivelet ekzekutive në industrinë e shërbimeve financiare (bankë dhe mikrofinancë); industrinë e telekomunikacionit; sektorin BPO (Business Process Outsourcing) dhe korporata të tjera.

Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Shqipëri?

Kostandina: Partnerët Shqipëri punon në fushën e filantropisë që prej vitit 2010. Qëllimi ynë është nxitja dhe zhvillimi i aktivitetit filantropik, nëpërmjet kërkimit, promovimit dhe krijimit të infrastrukturës mbështetëse. Partnerët Shqipëri kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe interesit për vlerën ekonomike dhe sociale të aktivitetit filantropik, nëpërmjet hulumtimit, informimit dhe nxitjes së debatit publik rreth tij. Gjithashtu, Partnerët Shqipëri po ofron mbështetjes për zhvillimin e platformave novatore që lehtësojnë dhe mundësojnë bashkëveprim mes aktorëve për zhvillimin e aktivitetit filantropik me fokus platformat on-line crowdfunding dhe fondacionet komunitare.

Partnerët Shqipëri është i vetmi institucion prej janarit 2015 që po kryen monitorimin e aktivitetit filantropik në Shqipëri nëpërmjet hulumtimit të medias, përfshi edhe ato sociale si dhe burimeve të informacionit nga institucionet publike dhe jo-publike. Hulumtimi kryhet mbi baza ditore dhe gjetjet paraqesin çështjet e mbështetura, natyrën dhe vlerën e dhurimeve, mbulimin gjeografik si dhe natyrën e dhuruesve.

A bashkëpunoni me organizata të tjera jofitimprurëse? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë?

Kostandina: Partneret Shqiperi prej tre vitesh funksionon si “Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri” -  një platformë informimi dhe shërbimesh që kontribuon në fuqizimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, të pavarur, transparentë e të përgjegjshëm, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, në demokracinë pjesëmarrëse dhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ngritja e kësaj Qendre, vjen në vijimësi të punës së dedikuar shumëvjeçare të Partnerëve Shqipëri, në mbështetjen dhe fuqizimin e sektorit të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në vend. Iniciativa financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?

Kostandina: Në këto 20 vite, Partnerët Shqipëri nuk ka ndjekur rrugën e lehtë dhe të sigurt, gjë e cila e ka bërë udhëtimin tonë disa herë më të vështirë. Shpesh fraza jonë kryesore ka qenë “sfido status quo-në”, por u kemi qëndruar gjithmonë besnikë vlerave tona organizative - të qenurit etikë, bashkëpunues, gjithëpërfshirës dhe profesionalë. Pavarësisht pengesave kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kemi treguar përkushtim, kreativitet dhe fleksibilitet.

Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vij në vazhdim?

Kostandina: Është shumë e vështirë të etiketosh suksesin tënd më të madh gjatë kësaj përvoje 20 – vjeçare. Suksesi më i madh është pilotimi dhe sjellja e modeleve dhe praktikave novatore me kontribut në avancimin e shoqërisë civile në Shqipëri.