Përtej Barrierave po punon për përmirësimin e edukimit për të drejtat e njeriut, përfshirjen sociale dhe diversitetin, vullnetarizmin, punësimin e të rinjve dhe sipërmarrjen sociale, pjesëmarrjen e të rinjve dhe qytetarinë aktive, digjitalizimin dhe inovacionin dhe punën rinore në Shqipëri. Ata janë veçanërisht aktivë në fushën e stimulimit dhe promovimit të vullnetarizmit. 

Për momentin ata janë fokusuar edhe në mbledhjen e fondeve për ndërtimin e një sere për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara intelektuale dhe për këtë kanë nevojë për ndihmën e komunitetit. 

Ana Dervishi, Drejtore Ekzekutive e Përtej Barrierave na tregoi më shumë për projektin e serës, misionin e organizatës, aktivitetet dhe planet për të ardhmen. 

Si u krijua organizata juaj? Cila ishte ideja juaj kryesore kur themeluat organizatën? Si u zhvillua misioni juaj me kalimin e kohës? 

Ana: Ideja lindi shumë spontanisht nga një grup të rinjsh me aftësi të kufizuara dhe të rinj të tjerë. Në vitin 2003 ne kemi bërë një aktivitet sportiv, pra së bashku të rinj me aftësi të kufizuara dhe të rinj të tjerë, dhe pastaj më vonë duke parë që ishte shumë i suksesshëm dhe u kënaqëm shumë, menduam që të formojmë një organizatë dhe ta quajmë Përtej barrierave – Beyond Barriers, e cila është regjistruar më 30 qershor të vitit 2004. Misioni ynë ishte unik për sa i përket realitetit që ekzistonte në atë kohë në Shqipëri. Sepse kishte organizata që punonin me aftësitë e kufizuara që bënin aktivitete për përfshirje, por vetëm brenda grupit të tyre social, ndërkohë që organizatat rinore ishin inegzistente. Misioni ynë ishte fuqizimi i të rinjve me aftësi të kufizuar, duke promovuar një model social dhe jo modelin mjekësor që këta të rinj që kishin një aftësi të kufizuar të rrinin të mbyllur dhe të izoluar. Dhe ishte një organizatë unike në llojin e saj, sepse solli për herë të parë pjesën e përfshirjes sociale të të rinjve me aftësi të kufizuara dhe të rinjve të tjerë.  

Ne nuk kemi pasur një donator, siç ndodh zakonisht në Shqipëri, ku organizatat kanë një donator dhe bëjnë projekte. Bashkimi jonë ishte thjesht vullnetar, me vullnetin e mirë të të rinjve për të bërë diçka të nevojshme për komunitetin dhe të rinjtë. Anëtarët e bordit, dhe unë ishim të rinj plot ide dhe si fillim aplikuam me dy projekte të vogla por që patën shumë impakt. Në projektin e parë ne realizuam një rampë tek Galeria e arteve dhe një ekspozitë me vizatimet/pikturat e fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale të shkollës speciale Luigj Gurakuqi që ndodhet në Tiranë. Mbi 250 persona morën pjesë në atë aktivitet i cili u realizua në vitin 2005. Ne ende bashkëpunojmë me këtë shkollë ku për momentin studiojnë 127 fëmijë me aftësi të kufizuara intelektuale si sindroma down, probleme me të mësuarit.  

Më pas organizata mori pjesë në aktivitetet e programeve europiane për edukimin, programi Rinia qe ekzistonte në atë kohë. Unë pata fatin të përzgjidhem nga SALTO SEE në një seminar kontakti ne Budapest dhe aty filloi rrugëtimi ynë në punën me programet edukuese te Bashkimit Europian. Ky seminar shënoi një fillim jo vetëm për organizatën tonë, për rritjen e bashkëpunimeve dhe networking me organizata europiane por edhe për të nxitur angazhimin e të rinjve nga Shqipëria në këto projekte qe ishin të panjohura në atë kohë për rininë shqiptare. Ishte kjo një eksperiencë fantastike, sepse ne në Shqipëri nuk është se kishim eksperienca të kësaj natyre.  

Por me zhvillimin e organizatës dhe duke parë se sektori rinor ka qenë shumë i dobët në Shqipëri në atë periudhë, u zgjerua edhe misioni ynë. Shumë të rinj shprehën interes të na bashkoheshin dhe ne e zgjeruam edhe target grupin e organizatës duke e zgjeruar për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë.  

Përtej Barrierave sot ka një plan strategjik për organizatën, kemi 7 shtylla të punës tonë të cilat janë: edukimi në të drejtat e njeriut, përfshirja sociale dhe diversiteti, vullnetarizmi, punësimi i të rinjve dhe sipërmarrja sociale, pjesëmarrja rinore dhe qytetaria aktive, digjitalizimi dhe inovacioni, dhe puna rinore e cila është edhe si emërues i përbashkët i asaj që ne bëjmë në programet tona. 

Vullnetarizmi është një nga shtyllat tona kryesore. Aktualisht ne punojmë në nivel lokal, kombëtar, rajonal edhe europian për sa i përket nxitjes, promovimit dhe njohjes së vullnetarizmit në nivel politikash por edhe në nivel të drejtpërdrejtë. Për momentin kemi një projekt financuar nga Lëviz Albania, i cili synon të krijoj një mjedis mundësues për vullnetarizmin në Shqipëri, një prej ndërhyrjeve është edhe në rekomandimet që ne kemi bërë për shtetin shqiptar për përmirësimin e ligjit të vullnetarizmit, (në Shqipëri kemi një ligj që nuk është funksional, në vend që të ishte nxitës i vullnetarizmit, ka krijuar një barrierë administrative dhe sociale për vullnetarizmin). Ky projekt për të parën herë ka ngritur një platformë digjitale që quhet www.vullnetarizmi.al e cila ka funksione të ndryshme si promovimi dhe informimi i publikut për vullnetarizmin, match-making për vullnetaret/institucionet dhe organizatat.  

Dhe përveç kësaj, ne bashkëpunojmë edhe me RYCO, jemi partnerë lokalë për Shqipërinë për vullnetarizmin rajonal në projektin Route WB6 i cili nxit vullnetarizmin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe mundëson shkëmbimin e vullnetareve midis shteteve të Ballkanit duke promovuar paqen dhe pajtimin midis te rinjve. Dhe për këtë është bërë një manual, janë testuar skemat e shkëmbimit të vullnetarëve në afat të shkurtër dhe të mesëm.  

Ndërsa në nivel europian, ne punojmë  me vullnetarët europian. Duke filluar nga viti 2011 deri tani kemi pritur gati 250 të rinj nga Europa në aktivitetet tona këtu, në fushën e përfshirjes sociale por në të njëjtën kohë kemi dërguar rreth 200 të rinj në vende të ndryshme të Europës të bëjnë eksperiencë vullnetare në vendet e Bashkimit Europian. 

Gjithashtu BBA ka implementuar edhe projekte të tjera që kane te bëjnë me punësimin e të rinjve dhe sipërmarrjes nëpërmjet projekteve IPA.  

Ndërkohë që një pjesë shumë e rëndësishme e aktiviteteve tona janë pjesëmarrja rinore dhe qytetaria aktive, dhe këto janë programet rinore që ne marrim pjesë në Europë, nga Komisioni Europian është Erasmus+, dhe ne dërgojmë të rinj në aktivitete të ndryshme të cilët rrisin pjesëmarrjen rinore por edhe qytetarinë aktive.  

Duke parë trendin, edhe sidomos me pandeminë, edhe pse nuk e kemi shumë të zhvilluar këtë komponent, stafi i organizatës po punon në dy platformat, siç thash, njëra është vullnetarizmi.al dhe platforma tjetër që ne e kemi në zhvillim e sipër është për tematiken e te drejtave te njeriut, konkretisht për gjuhën e urrejtjes. Funksioni i kësaj platforme është informues, për të treguar çfarë është gjuha e urrejtjes apo cilat janë hapat që duhet të ndërmarrin personat që hasin gjuhë të urrejtjes. Po ashtu kemi ndërtuar dhe një modul në kuadër të platformës, ku të rinj , mësues dhe punonjës rinor mund të futen dhe në mënyrë auto-didakte të mësojnë se ç’është gjuha e urrejtjes nëpërmjet të metodave të edukimit joformal.  

Cili ishte motivimi juaj personal për të punuar në sektorin jofitimprurës? 

Ana: Unë kam studiuar shkencat sociale, por gjithmonë e kam pasur shumë dëshirë pjesën e zhvillimit të shoqërisë, vullnetarizmin, pjesëmarrjen dhe të qenit qytetar aktiv, dhe gjithmonë kur kam pasur mundësi e kam përdorur kohën time të lirë në shërbim të grupeve në nevojë në aktivitete vullnetare. Për mua është e rëndësishme të lë gjurmë në jetë, të kontribuoj me aq sa mundem për aktivitetet të cilat zhvillojnë komunitetin. Unë kam marrë shumë ekspertizë, kam kryer një master për projektet europiane dhe planifikim dhe manaxhim. Por unë gjithmonë kam dashur që të rri në Shqipëri dhe të jap njohuritë e mia dhe të kontribuoj për rininë shqiptare. Jam idealiste në natyrë dhe më pëlqen të jem kështu. Ashtu siç e ka thëne edhe Nënë Tereza, të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.   

Ka 23 vite që unë punoj në këtë fushë, dhe mund të kisha qenë në çdo lloj profesioni, por kam preferuar që të rri këtu sepse unë vërtet besoj në atë që ne e bëjmë. Kjo është edhe motoja e organizatës tonë “Ne besojmë në atë që bëjmë”. Sepse unë kam parë ndryshim, un shikoj që ndryshimi mund të jetë shumë i vogël, dhe mund të jetë individual në disa raste por kjo është si ato rrathët që ti hedh një gur në ujë dhe ato rrathët hapen. Kështu që unë e kam parë këtë ndryshim tek të rinjtë në aktivitetet që ne kemi bërë dhe mendoj që kjo është pjesa më e rëndësishme e punës që unë bëj. Sepse unë dua që kur të plakem dhe të shoh prapa të shoh që kam bërë sado pak për rininë, dhe mendoj se ja kam arritur disi deri tani.   

Si ndikoi kriza COVID-19 në punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj? Në cilat aktivitete jeni përqendruar kohët e fundit? 

Ana: Kovid-19 ka pasur një ndikim agresiv për punën tonë. Ka pasur shumë pak donatorë të cilët nxorën thirrje për aplikime, dhe pasojat shihen më shumë tani. Pasi nuk patëm mundësi për të aplikuar, ato rezervat që ne kishim mbledhur si organizatë i përdorëm, patëm disa luhatje si ulje rrogash për një periudhë të caktuar. Por pastaj duke punuar organizata filloj ta rimarrë veten. Nuk është se ka qenë e thjeshtë. Ajo që ne si organizatë mësuam, është se puna jonë u kthye kryesisht në online, dhe edhe aftësimi i punonjësve që të punojnë në mënyrë digjitale ka pasur atë efektin e vetë. Na është dashur të trajnojmë stafin se si të punojmë online. Edhe kjo ka qenë një vështirësi, por besoj se nuk ka qenë kështu vetëm për ne, por për të gjithë botën. Siç thash, tani e kemi rimarrë veten, por pandemia pati një efekt shumë të keq edhe pse shteti nuk deshi t’ia dinte fare për organizatat, edhe pse ne kishim nevojë për një ndihmë në atë kohë.  

Në cilat aktivitete jeni fokusuar më shumë për momentin? Cilat janë qëllimet më të rëndësishme që keni planifikuar të arrini në të ardhmen? 

Ana: Organizata ka disa projekte në implementim por do të doja të ndalesha tek një projekt shume i dashur për mua, serën për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara intelektuale, e cila do të ndërtohet në ambientet e shkollës speciale Luigj Gurakuqi, me të cilën ne punojmë që prej vitit 2004 deri tani. Tek shkolla ne gjithmonë kemi dërguar vullnetarë, vullnetarët e huaj që kemi marrë, një pjesë të kohës së tyre punonin tek shkolla. Pra ato bënin aktivitete artistike, kulturore, sportive me fëmijët. Filozofia e shkollës është që këta fëmijë të shkojnë aty dhe të studiojnë, por e kanë të pamundur për shkak të vështirësisë dhe mënyrës së zhvillimit që ato kanë. Puna e vullnetareve i ka ndihmuar shumë fëmijët, sepse ata kanë nevojë për një plan-program alternativ dhe jo vetëm të mësojnë lëndët e shkollës.  

Këta fëmijë kanë nevojë për një mjedis alternativ për te mësuar, bashkëvepruar në grup, për të punuar me të rinj të tjerë e shokët e tyre jashtë klasës së mësimit, kështu lindi ideja e seres. Kur u hap platforma smile.al në Shqipëri ne e dërguam atje projektin, dhe u pëlqye shumë, u vlerësua si një projekt shumë i mirë , pasi ne dërguam edhe një maketë se si do të duket sera kur të realizohet. Mendoj se shoqërisë sonë i duhet ende kohë për ta perceptuar kulturën e të dhuruarit për kauza sociale për të kontribuar në të mirë të komuniteti. Në thirrjen për të dhuruar tek platforma  www.smile.al kemi bërë shumë promocion por rezultatet nuk janë të mira. Për të gjithë ata që e lexojnë këtë interviste do ju ftoja te kontribuonit sado pak në iniciativën tonë tek platforma smile.al: Serë për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara intelektuale me qëllim që të mund të mbledhim shumën e nevojshme për tu dhënë fëmijëve me aftësi të kufizuara këtë serë.  

Sa i përket qëllimeve lidhur me të ardhmen, për ne janë me rëndësi që ato 7 shtyllat e punës që i përmenda. Normalisht ne duam ta zgjerojmë organizatën tonë, jemi organizata numër 1 për rininë në Shqipëri, punojmë në nivel lokal, jo në të gjithë Shqipërinë sepse e kemi të pamundur, mbulojmë qytetet më të mëdha dhe disa zona që janë më të margjinalizuara gjeografikisht. Plani jonë është të punojmë tek të rinjtë, por më shumë në pjesën e ngritjes së kapacitetit të lidershipit tek të rinjtë duke qenë qytetarë aktiv, duke marrë pjesë në zhvillimin e komunitetit. Ne kemi një skemë shumë të mirë për ta bërë këtë me klubet vullnetare por që kërkon financim dhe burime njerëzore. Ndërkohë që ne do të qëndrojmë tek këto shtyllat e punës që i theksova në fillim, sepse ato janë në të njëjtën linjë me objektivat e vendosura nga strategjia rinore europiane.  

Si financohet organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj? 

Ana: Financuesi më i madh i projekteve tona është Komisioni Europian nëpërmjet programeve Erasmus+ dhe European Solidarity Corps. Kemi bashkëpunim edhe me RYCO, me zyrën rajonale dhe nga ato kemi fituar disa projekte, kemi edhe donatorë të tjerë mirëpo asnjëri nga ato nuk janë nga sektori i biznesit. Këtu në Shqipëri ka shumë nevojë që organizatat të lidhen me bizneset si dhe të mund të financohen nga bizneset. Kjo është një fushë ende e pa eksploruar. Ne kemi bashkëpunuar edhe me Partners Albania dhe ata na kanë krijuar mundësinë për të takuar biznese të ndryshme të cilët kishin interes të financojnë fushën e shoqërisë civile, nëpërmjet një takimi të organizuar nga PA ku patëm mundësinë t’ia prezantojmë idetë tona bizneseve. Ishte një iniciativë e mrekullueshme, dhe  janë ato të vetmit që ndihmojnë sektorin dhe bëjnë një përpjekje në këtë fushë. Edhe unë personalisht këtë formë të financimit e shoh si një alternativë shumë të mirë për tu zhvilluar në të ardhmen. Por tani për tani donatori ynë kryesor është Komisioni  
Europian.  

Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Shqipëri? 

Ana: Ne kemi partneritete lokale, që d.m.th. që ne nuk i kemi parë organizatat lokale si një konkurrencë por përkundrazi, dhe kjo ka qenë filozofia jonë gjithmonë, kemi ndihmuar dhe i kemi promovuar dhe ndarë me të tjerët ato njohuri që ne i kemi. Në bazë të KE në Slloveni është Sallto Southeast Europe që punon në Ballkanin  Perëndimor, dhe Sallto na ka licencuar ne si organizatë për të qenë pikë kontakti për programin Erasmus+ dhe Eurpean Solidarity Corps, që nga viti 2011 deri tani. Dhe ajo që ne bëjmë është se ne japim informacion dhe ndërtojmë kapacitetet e organizatave në nivel kombëtar për sa i përket njohurive për të aplikuar tek programet e KE. Unë mendoj që kjo është një lloj filantropie, sepse ne ndajmë shumë informacione dhe po ta shikosh në nivel kombëtar fondet që kanë marrë organizatat shqiptare tek programi i Erasmus+ apo Youth Injection, janë shumë më shumë se sa në gjithë programet tjera të KE, sepse programet e komisionit funksionojnë në mënyrë të tillë që shteti ynë paguan një taksë për pjesëmarrje në këtë program dhe ato pastaj kthehen me projekte. Shqipëria ka marrë shumë projekte në programet që theksova, dhe e gjithë kjo është merita jonë sepse në vitin 2009 në komponentin rinor aplikonte vetëm një organizatë dhe kjo ishim ne. Ndërkohë që tani aplikojnë 80 organizata, marrin shumë fonde. P.sh. në vitin 2018 apo 2019, Shqipëria mori vetëm nga komponenti rinor rreth 1 milion euro. Pra ne me të vërtetë kemi ngritur kapacitet e organizatave, dhe filantropia nuk është të dhurosh vetëm para,  por të dhurosh edhe kohë dhe informacion. Po ashtu edhe nga fondet e organizatës disa herë kemi dhuruar për projekte të shoqërisë civile të cilat janë prezantuar në evenimente të ndryshme. Po ashtu në tërmetin e nëntorit të vitit 2019, organizata jonë dhuroi një nga kontejnerët në vlerë prej 2,000 euro, shumë kjo jo e vogël për një organizatë jofitimprurëse si e jona, kontejnerin ia dhuruam një familjeje me dy fëmijë që rrinin në çadër në mes të dimrit. Dhe zakonisht ne si organizatë, kur kemi parë projekte apo çështje, sidomos me rëndësi sociale, kemi dhuruar gjithmonë me ato mundësi që kemi. Nga ana tjetër, ne vazhdimisht kemi kontribuar në shoqërinë tonë me punën vullnetare dhe me përpjekjet tona për të zhvilluar punën vullnetare, në vitin 2011 ne formuam Shërbimin Vullnetar lokal në Tiranë dhe ka qenë i pari i këtij lloji dhe është dalluar si një praktikë shumë e mirë. Shërbimi përbëhej nga ne si organizatë dhe 12 institucione dhe organizata që donin të pritnin vullnetarë, i trajnuam në ciklin e manaxhimit të qëndrueshëm të vullnetarizmit dhe nga ana tjetër morëm të rinj që punonin tek këto organizata dhe shërbyem si një urë lidhëse. Kjo ka vazhduar deri në vitin 2015, por pastaj në vitin 2016 pasi u miratua ligji i vullnetarizmit i cili ishte shumë kufizues dhe u detyruam ta ndërpresim këtë aktivitet, pasi ligji paraqitej si një barrierë dhe nuk e mundëson vullnetarizmin, por përkundrazi. Ajo që doja të them se edhe ky aktivitet ka qenë  në kuadrin e filantropisë, në vitin 2011 kemi pasur 500 vullnetarë në të gjithë Tiranën, por kanë qenë 500 vullnetarë të trajnuar, me kontrata të rregullta me afat prej 3 muajsh, të përgatitur për të punuar në mënyrë adekuate nën mbikëqyrjen e stafit. E cila sërish nënkupton rritjen e kapaciteteve.  

Si e përfshini komunitetin tuaj në punën tuaj dhe pse është kjo e rëndësishme? Çfarë sjell kjo mbështetje për organizatën tuaj? 

Ana: Gjatë përpilimit të projekteve tona, ne marrim parasysh mendimet e anëtarëve tanë, por jo vetëm, ne bëjmë edhe një matje të impaktit me target grupin që ne punojmë, raporte vlerësimi për aktivitetet dhe gjithmonë kërkojmë feedback dhe sugjerime për të ardhmen. Dhe bazuar në këtë matje impakti që ne bëjmë, jo vetëm kur mbaron një aktivitet por edhe në përgjithësi, mendoj se është kjo mënyra se si ne adresojmë ato nevoja që janë në komunitet. Po ashtu unë theksova që punojmë me organizata partenre, p.sh. punojmë me organizata që punojnë me romë, punojmë me njësitë e integrimit europian pranë çdo bashkie, në 61 bashki, kemi punuar me ato në aspektin e përgatitjes së tyre se si të aplikojnë për programet e KE, por në të njëjtën kohë bëjmë edhe aktivitete lokale. Pra bashkëpunimi për ne është shumë i rëndësishëm me organizata, me institucione, me organizata të komuniteteve pakicë, me organizata të vogla që nuk kanë shumë mundësi, me organizata të komuniteteve të margjinalizuara si p.sh. të minoriteteve seksuale. Pra kjo është mënyra se si ne e përçojmë punën tonë tek target grupi në nevojë.   

A bashkëpunoni me organizata të tjera jofitimprurëse? Si? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë? 

Ana: Duke qenë pikë kontakti për programin Erasmus+ dhe European Solidarity Corps, kjo na ka dhënë mundësinë që të njohim shumë organizata, dhe përveç se ti ndihmojmë këto organizata, kemi pasur mundësi edhe të flasim dhe ti diskutojmë se cilat janë objektivat e secilës organizatë, planet strategjike,  dhe me ato organizata që kemi gjetur linja të përbashkëta veprimi kemi krijuar partneritete. Pra kemi bashkëpunim me shumë organizata dhe me njësitë e integrimit që janë të vendosura në secilën bashki në Shqipëri.  

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni? 

Ana: Sfida më e madhe mendoj se është të punosh në një mjedis ku nuk mund të lulëzojë meritokracia. Sektori i rinisë është ende i pazhvilluar, dhe shumë organizata janë ende në nivelin e mbijetesës. Sektori rinor ka nevojë për qëndrueshmëri dhe për politika nga shteti të cilat mbështesin dhe ligjërojnë punën rinore. Kjo çon tek përpjekjet që duhet të bëjnë organizatat rinore për njohjen e punës rinore gjë që është ende e pazhvilluar në Shqipëri. Mendoj se kjo është sfida më e madhe, pastaj kjo sjell të gjitha ato tjerat nga pas, që d.m.th. nuk ka qëndrueshmëri financiare, ne trajnojmë stafin dhe më pas kur ato gjejnë një punë më të mirë largohen sepse puna rinore ende nuk ka një status, nuk është e njohur në Shqipëri. Ne kemi kërkuar ligjin në vitin 2019, dhe nëse e shikon atëherë të paktën për herë të parë është bërë një përkufizim i punës rinore, por nuk ka asnjë gjë për statusin e punonjësit rinor, nuk njihet si koncept. Pra puna rinore duhet të njihet në aspektin ligjor dhe social, dhe kjo është diçka që paraqitet si sfidë për ne. Mosnjohja e sektorit rinor apo punës rinore, përpjekjeve që organizata jonë apo shumë organizata në nivel kombëtarë bëjnë. Pra nuk po merret në konsideratë puna jonë. Mungesa e bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale e kufizon jashtë mase punën tonë, edhe pse puna me të rinj është mjaft e vështirë dhe me përgjegjësi.  

Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vij në vazhdim? 

Ana: Unë jam krenare për sa ka arritur organizata jonë, krahas faktit që nuk kemi pasur një donator si shumë organizata këtu në Shqipëri, dhe unë jam shumë krenare që stafi ekzekutiv në bashkëpunim me bordin e organizatës kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë me shumë përpjekje që organizata të kryej projekte të qëndrueshme dhe që i kane rezistuar kohës.  

Përtej Barrierave ka arritur të zhvillohet, të krijojë dhe të sjellë një qasje unike për punën me të rinjtë, programet e mobility, si për vullnetarizmin, platformat digjitale, lojërat e tavolinës (gamification and board games for human rights), pra në Shqipëri ne i kemi sjellë për herë të parë si risi nga projektet tona. Pjesa tjetër që është shumë e rëndësishme është impakti që kemi lënë tek të rinjtë duke u dhënë mundësi për të marrë informacion, për të rritur kompetencat e tyre në fusha të ndryshme, mundësi të ofruara për të rinj nga e gjithë Shqipëria.  Jo më larg se dje, morëm lajmin që një i ri nga një fshat i vogël i Shqipërisë, të cilin e kemi dërguar nëpërmjet programit vullnetar në Itali, ka treguar sukses të jashtëzakonshëm, edhe pse kur është nisur prej këtu nuk ka pasur asnjë xhaketë me vete, dhe ky është vetëm një nga shembujt e shumtë që i kemi ndër vite.  Pra fakti që ne i japim të rinjve një mundësi për tu zhvilluar dhe avancuar është suksesi më i madh për ne. Edhe pse ndër vite kemi marrë disa çmime për projektet tona nga  institucione dhe organizata të ndryshme, mundësia që i ofrojmë të rinjve që nuk kanë një mundësi, mbetet suksesi ynë më i madh.