Germin është një organizatë joqeveritare që përdor teknologjinë dhe kanalet virtuale për të lidhur dhe angazhuar Diasporën në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të tyre të origjinës.  

Germin udhëhiqet dhe mbështetet nga një grup profesionistësh të Diasporës duke filluar nga fusha e politikave publike, financave, informacionit, teknologjisë, drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe diplomacisë.  

Ata kanë një rrjet të gjerë profesionistësh dhe bashkëpunëtorësh me angazhim të pjesshëm, që aktualisht banojnë në 24 vende duke përfshirë Ballkanin, Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut. 

Në intervistën me Lirim Krasniqin, Drejtorin Ekzekutiv, mund të mësoni gjithçka në lidhje me programet dhe aktivitetet e misionit të Germin si dhe arritjet tyre. 

Si u krijua organizata juaj? Çfarë ka ndryshuar nga fillimi deri më sot? 

Lirim: Organizata Germin është themeluar në vitin 2014. Ka filluar pas një studimi që është bërë nga ish-themeluesi i organizatës, z. Behar Xharra, për potencialin e diasporës së Kosovës, përtej remitancave. Ka filluar si nismë në vitin 2012 përmes një platforme që quhet Kosovo Diaspora dhe në vitin 2014 është zyrtarizuar  si OJQ në Kosovë, me qëllim të angazhimit të diasporës, e sidomos këtij potenciali që shkon përtej remitancave duke përdorur kanale të teknologjisë informative për të përmirësuar edhe aspektin e diplomacisë publike dhe digjitale të Kosovës, si një shtet i ri në atë kohë; dhe gjithashtu duke kanalizuar të gjithë potencialin e diasporës në aspektin human dhe profesional në funksion të zhvillimit dhe të promovimit të Kosovës.  

Cili ishte motivimi juaj për të punuar në sektorin jofitimprurës? 

Lirim: Motivimi im personal ka qenë që të jap një lloj kontributi duke u nisur nga modeli i angazhimit civil për çështje të ndryshme dhe sidomos për çështje që lidhen me diasporën. Duke u bazuar në besimin se diaspora e Kosovës ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe nevojitet krijimi i urave të komunikimit dhe hapësirave për ta kanalizuar këtë potencial dhe për ta shfrytëzuar në funksion të zhvillimit të Kosovës. Dhe që pothuajse tre vite tani personalisht kam qen mjaft i angazhuar në këtë drejtim, dhe besoj që edhe me kontributin e të tjerëve dhe me bashkëpunimin me të tjerët, ky motiv për tu angazhuar ka qenë gjithnjë në rritje, gjë që është një simbol shumë i mirë për shkak se modeli i angazhimit qytetar nevojitet të rritet vazhdimisht dhe të kultivohet në funksion të demokratizimit dhe zhvillimit të shumë sektorëve, e sidomos  këtij që ne e kemi në fokus.  

Si ndikoi kriza COVID-19 në punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj? Në cilat aktivitete jeni përqendruar kohët e fundit? 

Lirim: Nuk është se ka ndikuar shumë. Ka ndikuar në anulimin e disa aktiviteteve të planifikuara në formatin fizik. Mirëpo sa i përket aktiviteteve tona, nuk është se kemi ndaluar. Një pjesë të aktiviteteve tona i kemi shndërruar në formatin virtual. Në këtë drejtim ne kemi pasur një përvojë të komunikimit virtual edhe në të kaluarën duke pasur parasysh se target grupi jonë janë pjesëtarët e diasporës në shtete të ndryshme të cilët ne në vazhdimësi i kemi targetuar përmes kanaleve virtuale. Prandaj në këtë drejtim nuk është se ka ndikuar shumë, mirëpo aktivitetet që kanë qenë të planifikuara të mbahen fizikisht, qoftë në Kosovë, qoftë në diasporë, ka ndryshuar forma e tyre por nuk janë anuluar, kjo është e rëndësishme.  

Në cilat aktivitete jeni më shumë të përqendruar për momentin? 

Lirim: Këto dy muajt e fundit kemi qenë me të vërtetë jashtëzakonisht të angazhuar me zgjedhjet në Kosovë, sidomos me votimin nga jashtë ose nga diaspora. Jemi organizata e vetme faktikisht në Kosovë që e monitorojmë punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sa i përket votimit përmes postës ose votimit jashtë vendit; dhe në këtë drejtim që nga fillimi i procesit, që nga regjistrimi deri tek dërgimi i votave dhe tani verifikimit dhe numërimit të tyre, ne kemi qenë monitorues dhe vëzhgues të vazhdueshëm dhe gjithashtu kemi raportuar dhe kemi informuar të gjithë pjesëtarët e diasporës sa i përket çdo hapi në këtë proces. Përveç kësaj ne jemi duke zhvilluar edhe disa projekte të tjera. Është një projekt që e kemi në bashkëpunim me Bankën Botërore sa i përket rëndësisë së remitancave në vendet e origjinës, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, dhe roli i diasporës Shqiptare në këtë drejtim, ku po mundohemi që me komunitete të ndryshme të diasporës të shteteve të ndryshme të diskutojmë aspekte të ndryshme të remitancave siç janë kanalet e dërgesave, kosto e transferimit, impakti ekonomik dhe social në vendin amë, e kështu me rradhë. 

Si financohet organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj? 

Lirim: Ne i kemi disa forma të financimit. Ajo kryesorja është përmes donatorëve ndërkombëtarë që janë në Kosovë, por po ashtu edhe vendor. Në mesin e tyre përfshihen Swiss Cooperation Office, GIZ-i Gjerman, Banka Botërore dhe USAID  si dhe organizata të tjera vendore disa nga të cilat janë institucione publike si p.sh. Komunat. Por po ashtu një formë tjetër e sigurimit të fondeve është përmes fushatave për ngritje të fondeve. Ne si organizatë jemi bashkëthemelues të Fondacionit Global Shqiptar ose Global Albanians Foundation i cili është i regjistruar në Boston në Amerikë dhe shërben si platformë për ngritje të fondeve individuale, jo vetëm në Amerikë por në gjithë botën.  Ku ne kemi zhvilluar disa fushata të suksesshme duke ngritur fonde aty nga pjesëtarë të diasporës për projekte të ndryshme të cilat i kemi zhvilluar dhe po ashtu e kemi zhvilluar atë platformë në mënyrë që të shërbejë si një ndërmjetësues për donacione nga diaspora për organizata të ndryshme në vendet e origjinës. Deri më tani kemi patur mjaft sukses për shkak se vetëm në një vit e gjys të fundit përmes GAF janë ngritur diku rreth 400,000$ të cilat kryesisht janë fokusuar tek përpjekjet për të zbutur efektet e tërmetit në Shqipëri por edhe efektet e pandemisë në Kosovë. Si dhe kemi bashkëpunuar me organizata të ndryshme lokale edhe këtu edhe në Shqipëri.  

Ne e kemi një buton në webfaqe  për të dhuruar i cili është i lidhur me një platformë që quhet Every Action, është e ngjashme me GoFundMe por pak më e sofistikuar sa i përket të dhënave dhe sigurisë së të dhënave. Dhe këtu mund të dhuroj çdo njeri, pavarësisht shtetit ku jeton, thjesht me një kredit kartelë mund të zgjedhë shumën e dhurimit dhe po ashtu të zgjedhë edhe një nga nismat ose projektet tona për të cilën dëshiron të dhurojë personi. Ndërsa sa i përket platformës GAF ne i bëjmë kryesisht fushata të fokusuara dhe përmes Facebook edhe rrjeteve të tjera sociale bëhet grumbullimi i fondeve.  

Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Kosovë? 

Lirim: Mendoj që jemi duke kontribuar jashtëzakonisht shumë. Sidomos duke pasur parasysh që në Kosovë dhe Shqipëri kultura e filantropisë nuk është shumë e përhapur. Ne siç e thash përmes fondeve që i kemi mbledhur përmes platformës GAF kemi kontribuar relativisht mirë sa i përket mbështetjes së organizatave lokale. Edhe pse kanë qenë kryesisht raste humanitare për shkak të tërmetit dhe pandemisë, gjithsesi përtej këtyre kemi edhe disa që janë raste të suksesit ku përmes dhurimeve dhe donacioneve individuale qoftë nga bizneset qoftë nga individë nga vende të ndryshme, kryesisht nga pjesëtarët e diasporës, jemi duke e kultivuar në një lloj mënyre çdo herë më shumë këtë kulturën e filantropisë. Dhe në këtë mënyrë besoj që kemi një ndikim edhe në ekosistemin e filantropisë në Kosovë dhe Shqipëri.  

A bashkëpunoni me organizata të tjera jofitimprurëse? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë? 

Lirim: Ne fillimisht jemi edhe të regjistruar si OJQ edhe në Shqipëri që nga shtatori i vitit të kaluar dhe vetëm këto dy vitet e fundit në Kosovë dhe Shqipëri ne kemi bashkëpunuar me mbi 50 organizata lokale, ndërsa në diasporë kemi kontakte të vazhdueshme me mbi 250 organizata të diasporës, dmth. të themeluara edhe që udhëhiqen nga pjesëtarë të diasporës të cilat merren me çështje të ndryshme por që ne mbajmë kontakte të vazhdueshme me ta edhe konsultohemi shumë shpesh me ta sa i përket çështjeve të ndryshme lidhur me diasporën. Si p.sh. kur kemi qenë pjesë e grupit punues për projektligjin dhe strategjinë e diasporës në Kosovë, ne kemi marrë komente nga rreth 150 profesionistë të diasporës të cilat i kemi përpunuar dhe i kemi dërguar pranë grupit punues në kuadër të Kuvendit të Kosovës. Pra kemi një bashkëpunim shumë të gjerë me organizata sidomos të diasporës por edhe me organizata lokale për projekte të ndryshme.  

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni? 

Lirim: Sfida më e madhe pak a shumë si çdo organizatë e shoqërisë civile është jo qëndrueshmëria financiare. Edhe pse ne jemi nga të vetmet organizata që jemi duke i diversifikuar burimet financiare, pra përtej donatorëve tradicional ne jemi duke ngritur fonde edhe përmes formave tjera siç është filantropia. Gjithsesi burimet e kufizuara financiare në një lloj mënyre ndikojnë në planifikimin afatgjatë të projekteve ose programeve dhe kjo është një nga sfidat kryesore me të cilat përballemi si organizatë. Normalisht ka edhe probleme të tjera më të vogla por kjo është ajo që do e theksoja.  

Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vij në vazhdim? 

Lirim: Suksesin tonë më të madh e konsideroj ndikimin ose krijimin e një hapësire për diasporën për të ndikuar në Kosovë dhe Shqipëri në fusha të ndryshme, qoftë politike, qoftë ekonomike edhe sociale. Këtë e kemi bërë përmes projekteve të ndryshme. Vetëm 3 aspekte mund ti përmend: sa i përket ndikimit politik, ne kemi avokuar në disa zgjedhje për të drejtën e votës dhe kemi pa në vazhdimësi rritje të interesimit nga diaspora për të votuar në Kosovë dhe gjithashtu edhe rritje të rëndësisë së debatit mbi përfaqësimin e diasporës në institucionet politikë-bërëse, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Në aspektin ekonomik përmes projekteve të ndryshme siç është ai për remitancat por edhe për tërheqje të investimeve kemi pasur një impakt të drejt për drejtë në vendet e origjinës dhe kemi sjell një numër të madh investitorësh potencial dhe biznesesh potenciale nga diaspora që do të investojnë në Kosovë dhe Shqipëri, në aktivitete të ndryshme që i kemi zhvilluar. Si dhe kemi kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis sektorit privat dhe publik edhe në Kosovë edhe në Shqipëri por edhe me komunitetin e biznesit në diasporë. Dhe po ashtu sa i përket çështjeve sociale përmes filantropisë, dmth. e gjithë platforma e GAF ka qenë e iniciuar nga organizata jonë dhe një numri që unë e konsideroj relativisht i lartë i fondeve të mbledhura ka qenë një impakt i drejt për drejtë në çështje të ndryshme sociale lidhur me emergjencat që janë krijuar në Kosovë dhe Shqipëri këto një vit e disa muaj të fundit.