Duke ditur mirë sfidat me të cilat përballen gratë brenda komunitetit të tyre, OJF Gruaja Hyjnore u përpoq të edukojë gratë mbi të drejtat e tyre, duke i fuqizuar ato ekonomikisht duke i ndihmuar të fitojnë burimet e tyre të të ardhurave.

Përveç kësaj, misioni i Gruas Hyjnore është të mbështesë dhe fuqizojë të rinjtë dhe të avancojë pozitën e grave në shoqërinë kosovare duke rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e tyre, barazinë gjinore, duke përmirësuar arsimin dhe duke organizuar aktivitete shoqërore.

Në një intervistë me Qëndresa Hajdari, menaxhere e projektit të kësaj organizate jofitimprurëse, ne zbuluam sfidat më domethënëse me të cilat ata ballafaqohen, se si ato kontribuojnë në zhvillimin e filantropisë në Kosovë, dhe cilat aktivitete janë më të fokusuarat për momentin. Qëndresa gjithashtu na dha një shembull të aktiviteteve të tyre për mbledhjen e fondeve, që pasqyron mënyrat e tyre krijuese të aktivizimit të komunitetit të tyre.

Si u krijua shoqata juaj? Çfarë ka ndryshuar nga fillimi deri më sot?

Qëndresa: Igballe Hajdari, që tani është drejtoreshë e shoqatës, shumë vite para se të krijonte këtë shoqatë, në mënyrë individuale ka punuar shumë (në menyrë vullnetare) me gratë që kanë pasur nevojë për mbështetje sociale, sidomos me gratë e strehimores së Gjilanit, të cilat edhe i ka ndihmuar të zhvillohen profesionalisht. Pas kësaj pune vullnetare te zonjës Igballe, lindi ideja për të krijuar një organizatë jofitimprurëse dhe të punojë edhe më tutje dhe të zgjeroj aktivitetet dhe stafin. Në vitin 2012, zonja Igballe ka regjistruar zyrtarisht shoqatën Gruaja Hyjnore me seli në Gjilan, me një grup të vogël të grave vullnetare, dhe kështu ka filluar puna në këtë shoqatë. Struktura organizative e OJQ Gruaja Hyjnore përbëhet nga kuvendi, këshilli drejtues, drejtoresha ekzekutive dhe ekipi për implementim.

Gjatë fillimeve të shoqatës, komuna na ka mbështetë me një zyrë, mirëpo më vonë na është kërkuar ta lirojmë të njejtën. Projekti i parë ka qenë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me titull ‘Aftësimi i grave dhe vajzave për shkathtësi të reja’. Përmes këtyre aktivitete është bërë trajnimi i grave dhe vajzave për ngritje profesionale dhe pavarësim. Pas trajnimeve, kemi mbajtur edhe mini-panairin në qendër te Gjilanit, ku këto gra kanë patur mundësi t’i promovojnë dhe t’i shesin produktet që i kanë krijuar vetëm, duke përfituar kështu edhe financiarisht. Edhe pse përfitimi nuk ka qenë një shumë e madhe për nga aspekti material, qëllimi kryesor ishte krijimi i bindjes se pas edukimit dhe zhvillimit profesional vijon punësimi ose vetëpunësimi. Pastaj, po atë vit kemi përfituar edhe një grant tjetër nga Rrjeti i Grave te Kosovës, për fuqizimin e gruas në komunën e Gjilanit. Dhe kështu, nga viti në vit, kemi përfituar grante të ndryshme dhe vazhdojmë punën ende pa u ndalur. Dallimi nga fillimi e deri me sot është qe ne kemi arritur të fitojmë besimin e qytetareve, të komunës dhe të donatorëve të ndryshëm përmes aktiviteteve dhe punëve qe po bëjmë vazhdimisht.

 OJQ Gruaja Hyjnore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë të Komunës së Gjilanit, mori një donacion nga Komuniteti Ballkano-Egjiptian Kombëtar "Piramida" në Austri, për mbështetje të drejtpërdrejtë të personave me aftësi të kufizuara: 25 karrige me rrota për Handikos dhe institucionet shëndetësore, 20 pajisje ndihmëse dhe 5 pako me materiale të ndryshme

Cili ishte motivimi juaj për të punuar në sektorin jofitimprurës?

Qëndresa: Shkelja e të drejtave të njeriut (pabarazia gjinore), dhuna në familje, këto kanë qenë arsyet që na kanë dhënë shtysë për të punuar në sektorin jofitimprurës. Misioni i OJQ Gruaja Hyjnore është që t’u krijojë mundësi individëve, komunitetit dhe shoqërisë në Gjilan, Anamoravë e më gjerë, që të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të zhvillohen ekonomikisht. Vizioni i OJQ Gruaja Hyjnore është si lidere në mbështetjen e të drejtave të grave dhe promovuese e të drejtave të grave. Vlerat e OJQ Gruaja Hyjnore janë: socializimi, bashkëpunimi, përgjegjësia, besimi, angazhimi.

Si ndikoi kriza COVID-19 ë punën e organizatës? Sa ka ndryshuar mënyra e funksionimit tuaj? Në cilat aktivitete jeni përqendruar kohët e fundit?

Qëndresa: Fillimisht aktivitetet tona u ndaluan ashtu si e gjithë bota. Mirëpo, e vazhduam punën me zbutjen e masave dhe me kujdes të shtuar. Normalisht që nuk aktivitetet ishin me dinamikën e njejtë si para pandemisë, por ne prap nuk u dorëzuam, u munduam t’i vazhdojmë aktivitetet duke i’u përshtatur rregullave. Takimet/aktivitetet tona varësisht nga numri i pjesëmarrësve i mbajmë edhe online. Gjithashtu, pas pandemisë kemi filluar shumë aktivitete t’i realizojmë dhe t’i promovojmë edhe më shumë në rrjete sociale. Ne si organizatë zakonisht mundohemi që të organizojmë aktivitete edhe në ditë që shënojnë rëndësi, qofshin aktivitete edhe një ditore, qofshin me mbështetje nga ndonjë donator apo edhe në mënyrë vullnetare. Kohëve të fundit jemi përqendruar në aktivitete që kanë të bëjnë me edukimin e të rinjve rreth edukatës shëndetësore dhe seksuale.

Në cilat aktivitete jeni më shumë të përqendruar për momentin?

Qëndresa: Tani jemi përqendruar në aktivitetet që merren me edukimin seksual të të rinjve duke i parë edhe ndodhitë e fundit të ngacmimit seksual nëpër institucione edukative, në rrugë, në familje apo kudo qofshin ato. Gjithashtu jemi të përqendruar edhe në aktivitete që e e kanë për qëllim të ndalojnë dhunën në familje apo shoqëri, gjithmonë duke u bazuar ne ndodhitë më të shpeshta. Duke i parë rastet e dhunës që po rriten gjithmonë e më shumë, ne po mundohemi që përmes aktiviteteve tona të vetëdijësojmë popullatën për parandalim të dhunës seksuale, fizike apo edhe psiqike që i hasim çdo ditë.

Si financohet shoqata organizata juaj? Me cilat kategori të donatorëve punoni më shumë dhe si? Si mund ta mbështesë dikush punën tuaj?

Qëndresa: Ndërsa sa i përket mbledhjes së fondeve, ne jemi organizatë që kemi diku rreth 90 anëtarë. Së bashku me anëtarët tanë shpesh edhe mbledhim fonde ose nëse jo financiarisht, ndihmojmë edhe në mënyra të tjera që t'i organizojmë aktivitet e planifikuara në të mirë të komunitetit. 


Mund të na jepni një shembull të ngjarjeve tuaja për mbledhjen e fondeve?

P.sh.. një nga aktivitetet tona të fundit që e kemi realizuar me ndihmën e anëtareve tona ka qenë shënimi i Ditës së Fëmijëve - 1 Qershori. Për këtë ditë, kemi përgatitur ushqime të ndryshme, jemi mbështetur edhe me pije (ujë dhe lëngje të frutave), dhe këtë aktivitet e kemi mbajtur në qendër të qytetit të Gjilanit. Kemi ftuar fëmije edhe nga qendra PEMA (fëmijë me aftësi të kufizuara) si dhe fëmijët që kanë qenë të pranishëm atë ditë në qendër të qytetit, si dhe fëmijë nga komuniteti RAE, kanë patur mmundësi të marrin ushqim dhe pije falas, kjo falë stafit dhe anëtarëve të oorganizatës tonë. 


Ne si shoqatë jemi mbështetur shumë nga Rrjeti i Grave të Kosovës, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Gjilanit, ATRC/USAID, etj. Ne si organizatë merremi më shumë me të drejtat e grave në pronë dhe trashëgimi, në edukim, në shëndetësi, etj. Zakonisht aplikojmë në të gjitha thirrjet që i përshtaten misionit dhe vizionit tonë. Deri më tani kemi punuar në projekte dhe me donatorë si: Të rinjtë dhe siguria njerëzore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Fuqizimi i Gruas në Regjionin e Gjilanit nga Rrjeti i Grave te Kosovës; Aftësimi i grave dhe vajzave për shkathtësi të reja nga MKRS; Shtimi i lëndës Edukate Shëndetësore ne shkolla nga RrGK; Panairi i Artizanateve mbështetur nga Komuna e Gjilanit – Departamenti i Kulturës;  Vetëdijesohu për një jetë më të mirë – mbështetur nga Global Albanians Fondation; Një femër e edukuar - shoqëri e shëndoshë; Gruaja në 20 fotografi (8 Marsi); 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në familje; Ngritja e vetëdijes së qytetarëve mbi të drejtën e grave në pronë dhe trashëgimi mbështetur nga Rrjeti i Grave te Kosovës dhe donatorin tjetër USAID/ATRC si dhe shumë të tjerë.

Trajnim për prerje, qepje dhe artizanat në kuadër të projektit "Rritja e aksesit të grave në punësim"

Si kontribuon organizata juaj në zhvillimin e filantropisë në Kosovë?

Qëndresa: Organizata jonë qysh edhe para krijimit të saj ka kontribuar në zhvillimin e filantropisë. Siç e ceka edhe në përgjigjen e pyetjes së parë, pra para krijimit të organizatës, drjetoresha Igballe Hajdari, si një filantrope, e cila është marrë me gratë te cilat janë dëbuar nga shtëpitë ku  kanë qenë të martuara dhe janë lënë në rrugë, pa mbështetje, e të cilat janë strehu në strehimoren e Gjilanit, dhe me të cilat, ajo ka biseduar në mënyrë shoqërore, i ka dhënë hapësirë të flasin me të si një shoqe, i ka ftuar për kafe ne lokalin e saj, si dhe iu ka shpërndarë dije nga zanati i saj (rrobaqepësia), duke i ndihmuar ato gra që të socializohen mes veti dhe njëkohësisht të përforcohen profesionalisht.

Ne si shoqatë përpos projekteve me mbështetje financiare nga donatorë të ndryshëm, organizojmë edhe aktivitete të ndryshme në mënyrë vullnetare në të mirë të qytetarëve. Shpesh mbajmë edhe aktivitete me fëmijët me aftësi të kufizuara të qendrës PEMA ne Gjilan. Zakonisht aktivitetet e 1 Qershorit – Ditës së Fëmijëve, mundohemi t’i organizojmë me këtë qendër. Gjithashtu,  përmes projektit të fundit që e kemi implementuar vullnetarisht, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë të komunës së Gjilanit kemi pranuar donacionin nga Bashkësia Nacionale Ballkano-Egjiptiane "Piramida " në Austri, për mbështetjen direkte të personave me aftësi te kufizuara. U shpërndanë 25 karroca për persona të palëvizshëm, 20 pajisje ndihmëse për ecje dhe 5 pako me material të ndryshëm përcjellës për persona me aftësi të kufizuara.

A bashkëpunoni me organizata të tjera jofitimprurëse? A mund të më tregoni më shumë lidhur me këtë?

Qëndresa: Po, bashkëpunojmë me organizata me të cilat i kemi të njëjtat qëllime. Kemi bashkëpunuar edhe me orgaznizata jashtë komunës së Gjilanit. Përpos organizatave, ne bashkëpunojmë edhe me komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë. Zakonisht me organizatat që bashkëpunojmë, i realizojmë aktivitetet e njëjta mirëpo në komunat që veprojmë, pasi që i kemi edhe të njëjtat qëllime. Kjo na e bënë punën më të lehtë dhe na bënë qe mes veti të shkëmbejmë edhe informata, te cilat na nevojiten edhe për raporte apo statistika.

Gjatë aktiviteteve me gra dhe vajza për rëndësinë e shëndetit riprodhues

Ne si organizatë punojmë me çdo person, pavarësisht nga përkatësia, gjinia, feja, mendimi politik, prejardhja kombëtare ose shoqërore, gjendja ekonomike/sociale, orientimi seksual, aftësitë e kufizuara, etj.  Pra, projektet tona gjithmonë bëhen për ndonjë qëllim në të mirë të komunitetit.  Komunitetin gjithmonë e përfshijmë gjatë realizimit të aktiviteteve tona si dhe komuniteti është gjithmonë i gatshëm të na mbështesë edhe ne si organizatë në iniciativat tona qytetare. Ne si organizatë dhe si qytetarë mundohemi të jemi shumë aktiv dhe të organizuar sepse kur ne organizohemi si komunitet, mundësitë janë më të mëdha që komuna të na mbështes në iniciativat tona.

Cat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?

Qëndresa: Sfidë e jona si OJQ është që nuk kemi qëndrueshmëri financiare afatgjate nga donatorët. Duke mos pasur qëndrueshmëri afatgjate financiare, ne nuk kemi mundësi që stafin ta mbajmë gjate gjithë kohës në punë si dhe na duhet që zyrën që e shfrytëzojmë për punë dhe aktivitete ta lirojmë kur nuk kemi projekte. Ndërsa për punët vullnetare që i bëjmë na duhet që takimet me stafin t’i mbajmë nëpër kafeteri apo edhe nëpër shtëpi.

Çfarë konsideroni suksesin tuaj më të madh dhe çfarë do të vij në vazhdim?

Qëndresa: Suksesin tonë më të madh e konsiderojmë lidhjen që kemi krijuar me të rinj të komunës tone, edhe me të cilët shpresojmë t’i bëjmë ndryshimet dhe t’i arrijmë qëllimet që i kemi si shoqatë. Falë punës tonë të pandalshme, kemi edhe shumë mesazhe nga shumë qytetarë, organizata e donatorë që po na komplimentojnë për punën dhe aktivitetet që po i realizojmë. Pra, suksesi ynë është kur aktivitetet tona vërtetë dëgjohen dhe mesazhet tona përçohen tek qytetarët. Ne si shoqatë po arrijmë qëllimet tona duke u bërë zëri i qytetarëve, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë edhe më  tutje me aktivitete të ndryshme në të mirë të qytetarëve.