Pandemia COVID-19 ka ndryshuar jetën dhe shprehitë e të gjithëve, duke ndikuar në të gjitha segmentet e shoqërisë. Ky vit ka qenë i ndryshëm nga të gjithë të mëparshmit edhe për sa i përket filantropisë dhe donacioneve. Sipas sondazheve tona mbi filantropinë, numri më i madh i donacioneve iu dedikuan luftës kundër efekteve negative të pandemisë.
Pa dyshim që janë organizuar shumë iniciativa edhe për shkaqe të tjera, dhe ne jemi përpjekur t'ju ofrojmë raporte të rregullta javore për vepra të mira dhe dhurime që synojnë të mbështesin komunitetet në të gjithë rajonin.
Afër fundit të vitit 2020, ju prezantojmë historitë e 10 veprave të mira që janë shënuar këtë vit, secila në mënyrën e vet specifike.
Shpresojmë që disa nga këto histori do t'ju frymëzojnë të përfundoni këtë vit me një vepër të mirë tuajën dhe të mbështesni komunitetin tuaj në mënyra të shumta në vitin e ardhshëm.
Sigurimi i ndihmës emergjente për Novi Pazar, Tutin dhe Sjenica
Njëlloj si në shumë situata të mëparshme krize, pandemia e koronavirusit ka treguar se ne i përgjigjemi krizave me solidaritet dhe unitet, duke siguruar mbështetje atje ku është më e nevojshme.
Një nga shembujt më të mirë të kësaj ka qenë fushata për sigurimin e ndihmës për Sjenica, Novi Pazar dhe Tutin, e cila u fillua në Donacije.rs kur këto tre qytete u bënë zona të nxehta të COVID-19.
Kur situata në këto tre qytete u përkeqësua, filloi një fushatë për sigurimin e ndihmës emergjente, ku 462 donatorë kontribuuan me 2.5 milion RSD në pak më shumë se dy javë. Për më tepër, 1.5 milion RSD e parë u mblodhën vetëm brenda dy ditësh.
Falë mbështetjes së qytetarëve të shumtë, kompanive, organizatave, si dhe Grupit 484 dhe Ambasadës Norvegjeze, u blenë pajisjet e nevojshme mjekësore dhe mbrojtëse, të cilat u mundësuan profesionistëve mjekësorë dhe pacientëve të luftonin COVID-19 në mënyrë më efikase kur u nevojitej më shumë.
Mbështetje e konsiderueshme nga komuniteti për Café Bar 16 që punëson fëmijë dhe të rinj nga Strehimorja e Fëmijëve në Beograd
Një kafene e veçantë e quajtur Café Bar 16 ka ekzistuar në Beograd për gati tre vjet tani dhe punëson mbi 40 të rinj që jetojnë në varfëri ekstreme, duke u ofruar atyre një strehë dhe një vend për të mësuar dhe argëtuar.
Qendra për Integrimin e Rinisë themeloi Café Bar 16 në mënyrë që fëmijët që duhet të largohen nga streha kur të mbushin 16 vjeç të mos mbeten vetëm.
Për 16 vjet, Strehimorja e Fëmijëve ka punuar me fëmijë të moshës 5 deri në 15 vjeç, të cilët jetojnë dhe punojnë në rrugë. Këta fëmijë në të shumtën e rasteve jetojnë në varfëri ekstreme, nëpër qyteza me kasolle në Beograd.
Pandemia e koronavirusit ndaloi botën dhe të gjithë i kemi ndjerë pasojat. Megjithatë, pandemia ndikoi veçanërisht tek grupet e rrezikuara, përfshirë këtu fëmijët që jetojnë dhe punojnë në rrugë.
Nga ana tjetër, si biznes në fushën mikpritjes, Café Bar 16 ishte ndër të parët që ndjeu efektet ekonomike të masave të paraqitura për të mbrojtur shëndetin e popullatës. U bë pothuajse e pamundur që kafeneja të financojë funksionimin e saj nga të ardhurat, siç kishte vepruar para paraqitjes të pandemisë.
Në mënyrë që të ishin në gjendje të vazhdonin punën në muajt në vijim, ata organizuan një fushatë për mbledhjen e fondeve në platformën Donacije.rs.
Fushata së pari filloi me qëllimin që të mbledhë 600,000 RSD, por shumë shpejt arriti një qëllim më të lartë - 1 milion RSD, i cili gjithashtu u tejkalua për pak më shumë se 2 javë.
Projekti u mbështet gjithashtu nga Grupi 484 dhe Ambasada Norvegjeze, dhe shuma e përgjithshme e donacioneve arriti në 1,349,610 RSD.
Përveç mbledhjes së donacioneve, kjo fushatë frymëzoi një reagim të madh të komunitetit, i cili ofroi mbështetje duke shpërndarë informacione dhe thirrje për ndihmë. Një numër i madh i qytetarëve dhe personave të famshëm në Serbi shpërndanë informacionin dhe ftesat për të dhuruar përmes rrjeteve të tyre sociale, ndërsa media gjithashtu ofroi mbështetje duke shkruar mbi fushatën dhe suksesin e saj.
Kontributi i Forumi Serb i Filantropisë dhe Fondit B92 në luftën kundër COVID-19
Nga fillimi i krizës deri në fund të nëntorit 2020, mbi 20 milion EUR u dhuruan për luftën kundër COVID-19 në Serbi. Sektori i korporatave ishte donatori më i madh, ndërsa numri më i madh i donacioneve u drejtohej qeverive dhe institucioneve lokale dhe kombëtare.
Bashkëpunimi midis sektorit jofitimprurës dhe sektorit të korporatave gjithashtu rezultoi në një kontribut të rëndësishëm, ku Fondi B92 dhe Forumi Serb i Filantropisë luajtën një rol të rëndësishëm.
Falë angazhimit të anëtarëve të Forumit Serb të Filantropisë dhe të gjithë komunitetit filantropik, dhe në bashkëpunim me Fondin B92, rreth 190 milion RSD u mblodhën në formë të parave të gatshme, ndërsa mbi 10 milion RSD u dhuruan në formën e materialeve, e gjithë kjo kishte për qëllim të siguronte mbështetje për sistemin e kujdesit shëndetësor të Republikës së Serbisë.
Anëtarët e SPF punuan në gjetjen e distributorëve , depove dhe kompanive të dorëzimit që ishin në gjendje të dorëzonin urgjentisht mallrat. Ashtu që, në bashkëpunim me Nordeus dhe UNICEF, u krijua një tabelë e përhershme e nevojave dhe afatet e dorëzimit, ku të dhënat azhurnohen çdo ditë.
Disa nga shembujt e donacioneve për mbështetjen e sistemit shëndetësor janë si në vijim: Fondacioni Hemofarm - 5,000,000 RSD; Hemofarm Stada - 387,000 EUR; Delhaize - 6,000,000 RSD; UniCredit Bank - 50,000 EUR; Grupi Elixir - 30,000,000 EUR; Nordeus - 60,000 EUR dhe 3,391,200.00 RSD, individualisht dhe përmes iniciativës së tyre me anëtarët e Digital Serbia; Telekom Serbi - 20,000,000 RSD dhe Marbo Product si pjesë e PepsiCo Group - 11,000,000 RSD.
Donacionet në të mira materiale ishin gjithashtu thelbësore, kryesisht produktet higjienike, të cilat siguroheshin nga Unilever Beograd, vaktet e rregullta për personelin mjekësor dhe pacientët, të cilat ishin dhuruar nga McDonalds, dhe ushqime dhe pije të dhuruara nga MOL, Coca Cola, Marbo Product, MDS dhe Mars. Vlera totale e këtyre donacioneve ishte mbi 10 milion RSD.
Individët që dhurojnë për trajtimin mjekësor të fëmijëve
Megjithëse shumica e donacioneve kishin për qëllim luftën kundër efekteve negative të COVID-19, nuk mungoi mbështetja për qëllime të tjera. Një nga temat më të mbështetura ishte shëndetësia, ku, sipas hulumtimit tonë, më shumë se 10 milion EUR iu dhuruan Fondacionit ‘Be Human’ për trajtimet mjekësore të njerëzve në nevojë për kujdes të shtrenjtë mjekësor jashtë vendit.
Ajo që tërhoqi shumë vëmendje ishin kontributet e individëve, të cilët dhuruan donacione për trajtimet mjekësore të fëmijëve në mënyra të ndryshme.
Një shembull i mrekullueshëm ishte ai nga Milosh Mijailoviç dhe Biljana Dragiçeviç, të cilët dhuruan shtëpinë e tyre prej 90 m2 në qendër të Rudnikut për një ankand bamirësie të organizuar si një fushatë për mbledhje fondesh për trajtimin e Anika Maniç.
Shtëpia iu shit për 8,000 USD Spasoje Cvijetinoviçit i cili jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu bleu një skuter që Ivo Car dhe familja e tij e dhanë në ankand për të mbledhur para për Anikan. Respektivisht, ai pagoi për skuterin, mirëpo ai nuk e mori atë, por ia la familjes që bëri këtë gjest humanitar.
Radoslav Marjanoviç nga Umçari bëri një gjest të ngjashëm duke shitur një shtëpi që ai trashëgoi dhe dhuroi 10,000 EUR e fituara për trajtimin e Minja Matiç, e cila vuan nga atrofia muskulore kurrizore.
‘Bëju human - ankandet e bamirësisë’ është një grup i themeluar vitin e kaluar, ku qytetarët mbledhin para për fëmijë dhe të rritur, fondet e trajtimit të të cilëve mblidhen përmes Fondacionit ‘Be human’.
DM drogerie markt mbledh 3 milion RSD për kuzhinat e supave përmes fushatës #GivingFriday
Për të dytin vit radhazi, DM drogerie markt organizoi fushatën e tyre #GivingFriday në vend të shitjeve tradicionale të Black Friday.
Si pjesë e kësaj fushate, kompania dhuron për bamirësi 5% të të ardhurave të saj nga Black Friday. Për #GivingFriday të këtij viti, më 27 nëntor, DM mblodhi një total prej 3 milion RSD për kuzhinat e supave të Kryqit të Kuq në Serbi.
DM drogerie markt organizon #GivingFriday globalisht nën parullën ‘Dhurimi është e zeza e re’ (Giving is the new black).
Në iniciativën #GivingFriday e vitit të kaluar në Serbi, u mblodhën 3 milion RSD për rinovimin e Spitalit Universitar të Fëmijëve në Tirshova.
Hajriz Brçvak: vepra të mira që mbështesin Malin e Zi dhe Sanxhakun
Një nga personat e shquar dhe i njohur gjerësisht për punën e tij filantropike në Mal të Zi është Hajriz Brçvak, i cili ka mbështetur komunitetin malazez në mënyra të ndryshme për vite me rradhë. Për kontributin e tij, ai mori çmimin e filantropisë Iskra 2019, i dhënë nga Fondi i Qytetarisë Aktive. Mbështetja e tij nuk ka munguar as këtë vit, si përsa i përket donacioneve për trajtimin e efekteve të pandemisë COVID-19 ashtu edhe iniciativave për qëllime të tjera.
Në vitin 2020, Brçvak ka mbështetur komunitetin e tij përmes donacioneve të shumta, disa prej të cilave janë: 100,000 EUR për Departamentin Kombëtar të Koordinimit për Sëmundjet ngjitëse për të mbështetur luftën kundër koronavirusit; një dhurim prej 60,000 palë dorezash, 15,000 maska dhe 2,000 vizore për spitalet dhe qendrat shëndetësore në të gjithë Malin e Zi; 100 kostume mbrojtëse për Qendrën Shëndetësore të Tivarit; tunele dezinfektimi për spitalet malazeze; 750,000 maska për qytetarët dhe 140,000 maska për fëmijët e shkollave në Mal të Zi.
Vlera totale e dhurimeve të Brçvak në para dhe mallra arrin në më shumë se gjysmë milioni euro. Për të treguar vlerësimin e tyre, këtë verë, njerëzit e Tivarit vendosën një bilbord me emrin e tij, duke e quajtur atë "simboli i mirësisë në Malin e Zi".
Përveç dhurimeve të tij në Malin e Zi, Brçvak i ka dërguar donacione edhe Sanxhakut në Serbi. Në kohën e krizës më të rëndë shëndetësore në atë rajon, ai dhuroi para, pajisje dhe të mira materiale për Novi Pazarin, Tutin, Sjenica dhe Prijepolje.
Solidariteti ndërkufitar: mbështetje për shqiptarët e prekur nga tërmeti
Në fund të vitit 2019, Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrues dhe njerëzit e prekur nga i njejti vazhduan të marrin mbështetje gjatë gjithë muajve në vijim, dmth. muajt e parë të vitit 2020.
Vlera totale e donacioneve të siguruara nga qytetarëve, kompanive, organizatave ndërkombëtare dhe qeverive të vendeve të ndryshme ishte 1,988,854,600.00 EURO. Një shumë e konsiderueshme u mblodh në fushatën për mbledhjen e fondeve që u mbajt në Bruksel në Shkurt të vitit 2020, ku donatorët më të mëdhenj ishin qeveri të shumta të huaja të cilat së bashku dhuruan gjithsej 1,336,536,000.00 EUR.
Mbështetje emergjente për më të prekurit nga tërmeti i Zagrebit
Pas tërmetit shkatërrues që goditi Zagrebin në Mars, shumë kompani, organizata dhe individë organizuan mbështetje për njerëzit që ishin prekur më shumë nga tërmeti.
Një nga nismat përfshinte Fondin 5.5, i cili u krijua nga iniciativa qytetare ‘Zagreb Earthquake Relief’ dhe Shoqata SOLIDARNA.
Qëllimi kryesor i Fondit ishte të siguronte ndihmë financiare emergjente për grupet e qytetarëve me status social të rrezikuar që ishin prekur veçanërisht nga tërmeti i Zagrebit.
Përmes një thirrje publike për aplikim, iu dhanë ndihma 48 familjeve me status të rrezikuar social, në shumën totale prej 706,400 HRK, ndërsa përfitimi mesatar individual për familje ishte 14,716 HRK.
Në këtë mënyrë, gjithsej 132 persona morën mbështetje, duke përfshirë 37 fëmijë, 18 persona me aftësi të kufizuara dhe 21 persona me sëmundje kronike ose serioze.
Donacionet e BH Telekom
Këtë vit, BH Telekom ka ofruar donacione në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën në shumën totale prej mbi 2 milion KM, nga të cilat 1 milion KM u dhuruan në ditët e para të pandemisë, me ç‘rast spitalet e kantonit dhe ato të përgjithshëm në Konjic, Zenica, Gorazhde, Travnik dhe Bihaç secili mori 200,000 KM për blerjen e pajisjeve të nevojshme.
1 milion KM e mbetur u shpërndanë tek një total prej 164 personave juridikë me qëllim të mbështetjes së projekteve në lidhje me ofrimin e ndihmës për grupet më të rrezikuara, personat me aftësi të kufizuara dhe vështirësi zhvillimi, kuzhina supash, shoqata humanitare dhe institucione arsimore.
Shumë nga këto 164 persona juridikë që morën donacione ishin institucione arsimore. Gjithsej 450,535 KM iu dhuruan një numri të caktuar të shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa 105,200 KM iu dhuruan universiteteve në Bosnjë dhe Hercegovinë, përfshirë këtu Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Sarajevë, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Tuzla, Fakultetin e Transportit dhe Komunikimit në Sarajevë dhe Universitetin në Bihaç. Fondet u përdorën për të blerë pajisjet e nevojshme për qendra të IT dhe laboratorë.
Për më tepër, BH Telekom siguroi qasje falas në internet për rreth 4,000 studentë në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën për t'u mundësuar atyre të ndjekin mësimin online. Për më tepër, në bashkëpunim me partnerët e tyre, BH Telekom u siguroi studentëve pajisjet e nevojshme - 320 tabletë dhe 20 laptopë.
Miniera SASA siguroi 200 kompjuterë tablet për studentët në Makedonska Kamenica
Një shembull tjetër i mbështetjes së arsimit vjen nga Maqedonia e Veriut.
Meqenëse ky vit shkollor ka qenë i ndryshëm, Miniera SASA vendosi të blejë 200 kompjuterë të rinj tablet dhe t'i dhurojë ato në shkollat në Makedonska Kamenica, në mënyrë që të gjithë nxënësit të kenë kushtet e nevojshme për të ndjekur mësimin online.
Më konkretisht, 150 kompjutera tablet iu dhuruan nxënësve të shkollës fillore të Universitetit Shën Kirili dhe Metodij dhe 50 kompjutera iu dhuruan shkollës së mesme ‘Mile Janevski-Dzingar’.
Përfundim
Midis veprave të mira të panumërta është e vështirë të zgjedhësh se cilat e veçuan më shumë këtë vit. Ne do të prezanzojmë më shumë shembuj dhe detaje mbi donatorët, vlerën e dhurimeve të tyre dhe shkaqet për të cilat ato dhuruan, në raportet tona vjetore mbi gjendjen e filantropisë në Ballkanin Perëndimor në vitin 2020, të cilat do t'i botojmë në vitin 2021.
Në ndërkohë, nëse mendoni se ndonjë iniciativë e rëndësishme nuk është përfshirë në këta shembuj, ju lutemi na shkruani dhe ne me kënaqësi do ta zgjerojmë listën.
Leave a comment