Qendra "Streha" është një qëndër rezidenciale që siguron strehim dhe riintegrim në shoqëri për të rinjtë LGBTI në Shqipëri. Gjithashtu Streha inkurajon individë dhe iniciativa për të mbështetur lëvizjen e të drejtave LGBTI duke shpërndarë çmimet e Aleatëve të vitit. Për herë të katërt, këtë vit, do të organizohet një mbrëmje bamirësie për të ngritur fonde që do të garantojnë vazhdimësinë e shërbimeve të ofruara nga Streha dhe rrjetin e partnerëve të tyre.
Të enjten, 17 maj, kur shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Biphobisë, kjo shoqatë organizon darkën e bamirësisë me temë "Love is All". Eventi do të zhvillohet në “Hotel Plaza” në Tiranë, në orën 19.30. Persona nga sektorë të ndryshëm do të jenë të ftuar në event, si: aktivistë të të drejtave civile, mbrojtës të të drejtave të njeriut, përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, ambasadorë dhe artistë nga fusha të ndryshme - të gjithë për të njëjtin qëllim: të sigurojnë që Qendra "Streha" të ketë sukses në misionin e saj.
Më e rëndësishmja, kjo iniciativë është e hapur për çdo person të gatshëm të kontribuojë për këtë çështje ose për të marrë pjesë në këtë event.
Më shumë informacion mund të gjeni duke kontaktuar në info@strehalagbt.al.